Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

1 Maji i gjen punëtorët edhe më të shtypur

Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, Organizata Politike (OP) ka mbajtur një aktivitet simbolik tek sheshi “Partizani i Panjohur”, ku ka denoncuar mungesën e politikave mbështetëse në mbrojtjen e të punësuarve gjatë pandemisë.

Nën sloganin “Taksoni oligarkët, paguani punëtorët”, OP solli në vëmendje përkeqësimin e jetës së individëve që kanë humbur punën gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, aktivistët kanë përmendur sektorë si minierat, fasoneritë, call center-at apo supermarketet, ku puna ka vijuar me ritmet e zakonshme, duke u rrezikuar atyre shëndetin.

Sipas aktivistëve, kriza ekonomike mund të zgjidhet përmes rishpërndarjes së pasurisë, duke taksuar kështu shtresat e pasura.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje – Qëndra në Shqipëri ka reagur ditën e sotme, ku është theksuar se pandemia rëndon më së shumti mbi punëtorët, duke veçuar sërish sektorin e fasonerisë, minierat, ndërtimin dhe atë energjik.

Masat e marra nga qeveria në Shqipëri për të përballuar thellimin e krizës, kanë qenë ose të pamjaftueshme ose në drejtimin e gabuar.

Nga kjo krizë e thelluar ka vazhduar të fitojë ajo pakicë që fitonte edhe para pandemisë: oligarkët që kanë kapur shtetin, bankat, dhe politikanë të korruptuar. Shumë prej atyre që kanë qenë më në nevojë, janë përjashtuar nga mbështetja e masave qeveritare”, shkruan VV në Facebook.

Kushtet e punës dhe rezistenca punëtore – panel diskutimi

Do ta përmblidhja si luftë për mbijetesë punën në fasoneri. Kam një vit që punoj në fasoneri, por kolegët e mi kanë katër vjet. Paga nuk është fare e kenaqshme, higjiena në disa vende është katastrofale, sikur ne futemi në kazana plehrash.

Paga që marrim nuk na e përballon jetesën që ne bëjmë, sepse çmimet e ushqimeve janë shumë të shtrenjta. Te rrisësh fëmijë në këtë kohë, me këtë pagë është brutale”.

Kështu u shpreh Besjana Lamnica, punëtore në fasoneri, gjatë një paneli diskutimit, organizuar nga Organizata Politike, e quajtur “Kushtet e punës dhe rezistenca punëtore”.

Prej disa ditësh, Lamnica por edhe punëtorët e tjerë, janë në protestë pasi nuk kanë marrë atë që kryeministri Rama e ka quajtur “pagë lufte”.

Ne po protestojmë për pagën e luftës, sepse ne u lajmëruam me datë 16 për të vazhduar punë, ndërkohë me 21 hapej paketa e dytë, ku ne do ishim përfitues. Na është thënë që ju nuk e përfitoni sepse ne sistem u kishte dalur qe ju nuk i plotësoni kushtet minimale”.

Albina Ruko, u shpreh se pandemia e ka intensifikuar shtypjen në këtë sektor.

Ky 1 Maj, i ka gjetur punëtoret e fasonerisë mbase në ditët më të këqija të tyre. Në ditë normale punëtoret e fasoresinë e ngushëllonin veten me një rroge qesharake, ndërsa sot, ato jo vetëm që po hiqen nga puna, por edhe nuk po paguhen siç paguheshin në ditë normale.

Albina Ruko, aktiviste e Organizatës Politike

Të lejosh që me mijëra punëtore të shkojnë drejt infektimit por edhe mbase drejt vdekjes, kjo është një nga shtypjet më të mëdhaja që mund t’u bëhet punëtoreve sot”, shprehet Ruko për Citizens Channel.

Sot është mbyllur fasoneria e parë në kryeqytet. Atje janë evidentuar katër të prekur. Lajm bëhet i ditur nga Inspektorati Shëndetësor Shtetëror. Në Krujë gjithashtu janë mbyllur 22 fasoneri, nga 27 aktive në tërësi.

Edhe më herët, punëtorët por edhe aktivistët, kanë kërkuar që të mbyllet ky sektor. Problemi i infektimit është adresuar edhe në profilin e Kryeministrit Rama, i cili u është përgjigjur se respektimi i masave si distanca fizike, dizinfektanti apo mbajtja e dorezave, do t’i mbronte punonjësit e fasonerive.

Citizens Channel ka raportuar në vazhdimësi frikën konstante të të punësuarve gjatë gjithë pandemisë. Në datën 24 mars, u shënua punëtorja e parë e prekur në fasonerinë “ProDyn”, çka çoi në pezullimin e punës për dy javë.

Disa ditë më parë, në 12 mars, ishin punëmarrësit në fasonerinë “Albaco Shoes” që refuzuan të vijojnë procesin normal të punës, pasi morën vesh që dy prej menaxherëve italianë ishin karantinuar. Pas protestës, puna u ndërpre për disa ditë, pa të drejtë rroge.

Sektori minerar gjatë pandemisë

Një tjetër panel mbi sigurinë në miniera u zhvillua me Elton Debreshin, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e shpallur në datën 17 nëntor.

Të jesh minator, ne kemi nje shprehje, të futemi të gjallë në dhe, me nje fjalë, të futemi na varr për së gjalli”. Kështu e përshkruan Debreshi profesionin që ai e humbi disa muaj më parë, kur u pushua nga kompania private “AlbChrome”.

Pushimi i tij erdhi pak ditë pasi u shpall krijimi i sindikatës së re, që solli protesta disa ditore për rikthimin e tij në punë. Të njëjtin fat patën edhe sindikalistët e tjerë. Behar Gjimi, Ali Gjeta dhe Beqir Duriçi, u hoqën nga puna disa ditë më vonë.

Minatorët e angazhuar në sindikatën e re kanë vijuar rezistencën. Në datën 26 janar, ata protestuan në Tiranë dhe me anë të një marshimi, përsëritën kërkesat për rritje page, rishikim të normës, njohjes së vështirësisë dhe vjetësisë në punë dhe rikthimin e katër sindikalistëve në punë.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka adresuar në vazhdimësi frikën dhe pasigurinë e minatorëve për të vijuar punën gjatë pandemisë dhe u kanë bërë thirrje institucioneve të marrin masa të shtuara për të ruajtur shëndetin e punonjësve.

Call Center-at gjatë pandemisë

Një ndër sektorët me shumë punëtorë të prekur nga pasojat e pandemisë ka qenë edhe ai i call center. Në datën 19 mars u shënua punonjësi i parë i prekur në kompaninë “Teleperformance” dhe dhjetra operatorë të tjerë u detyruan të karantinohen. Pas mbarimit të izolimit, operatorët u njoftuan se do shkëputej marrëdhënia e punës deri në mbarim të pandemisë.

Citizens Channel ka raportuar mbi shqetësimin e operatorëve dhe shkëputjen e përkohëshme të punës, e cila është pasuar edhe me reagimin e sindikatës “Solidariteti”. Pas këtij reagimi, “Teleperformance” bëri me dije se ditët e vetizolimit do të paguheshin.

Irdi Ismaili, operator prannë “AlbaCall” shprehet se pavarësisht sfiave, ky 1 Maj i ka gjetur punëtorët më të organizuar.

Irdi Ismaili, operator

Është e vërtetë që kriza shëndetësore ka krijuar shumë probleme për sektorin e call center, duke nisur që nga puna nga shtëpia që është diçka që provohet për herë të pare, e deri te pezullimet apo pushimet nga puna. Por ky 1 Maj na gjen më të bashkuar se kurrë me kolegët”, thotë ai për Citizens Channel.

Ismaili pohon se organizimi sindikal është mënyra më efektive për të siguruar respektimin e të drejtave të punëtorëve.

Abuzimet e kompanive nuk numërohen, por bashkimi i punëtorëve do ja dalë që pas kësaj krize të ketë më shumë të drejta se më parë. Kriza veçse ka zgjuar te punëtorët ndërgjegjen kolektive dhe rëndësinë e organizimit sindikal. Kjo është një shpresë për mbarë shoqërinë”, përmbyll ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *