Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Analizë: Sfidat e turizmit shqiptar në rimëkëmbjen nga kriza e COVID-19

Autore: Sabina Veizaj | Citizens Channel

Ergys Vladi prej më shumë se gjashtë vitesh merret me turizmin e aventurës. Klientët e tij janë të huaj nga gjithë vendet e botës.

Për shkak të bllokimit të lëvizjeve pothuajse në të gjithë botën për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, atij i janë anuluar të gjitha kontratat me partnerët e huaj deri në muajin nëntor.

Për dy muajt e izolimit humbja që i është shkaktuar Vladit kap shifrën 50 mijë euro. Kurse vetëm për muajin maj humbja arrin në 12 mijë euro.

Në pamundësi për të zhvilluar aktivitetin e tij të zakonshëm me turistët e huaj, Vladi thotë për Citizens Channel se është munduar të adoptojë biznesin duke iu përshtatur situatës.

Aktualisht punon me shqiptarë duke i kufizuar eksplorimet rreth fshatrave të Tiranës dhe me familje, ku zhvillon ture  një ditore ose vajtje-ardhje.

Ergys Vladi – Guidë Turistike

“Kjo punë që po bëj unë tani, nuk të mban as frymën gjallë. Por po e bëj që të mos e mbyll. Shpresoj që situata të përmirësohet dhe këto kontrata të anuluara t’i kryejmë vitin e ardhshëm”- shprehet Vladi. Por problemi për të mbetet se çfarë do të bëhet ndërkohë.

Në zonën e Durrësit turizmi ka prekur fundin gjithashtu. Përfaqësues të strukturave hoteliere shprehen se nuk kanë parë ndonjëherë ditë më të zeza, që kur është zhvilluar turizmi në vend.

Krizën post Covid-19 po e vuajnë të gjithë aktivitetet që kanë lidhje drejtpërdrejt me turizmin, po ashtu edhe ato që kanë lidhje indirekte me këtë sektor, i cili cilësohet si më i godituri nga kriza e shkaktuar nga pandmeia.

Instituti i Statistikave vlerëson se në periudhën 2013-2017 , pesha specifike mesatare e shpenzimeve të turistëve të huaj (jorezidentë) në vendin tonë, ndaj totalit të PBB-së, është 13.3 %, ndërsa pesha specifike mesatare e shpenzimeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit tonë ndaj totalit të PBB është mesatarisht 11.2%. Në këtë periudhë në vendin tonë ka hyrë 21 milion persona.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë vetëm në vitin 2018-të turistët e huaj kanë prurë në Shqipëri 1,8 mld euro.

Sipas Raportit të Impaktit Ekonomik të Udhëtimeve dhe Turizmit 2019, të Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit, përgjatë vitit 2019, sektori i turizmit dhe udhëtimit  regjistroi një kontribut direkt prej 3,264.5 mln dollarësh duke përbërë rreth 8.5% të rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të Udhëtimit dhe Turizmit vs 2,7 % të Rritej së PBB-së së vendit. Ndërkohë duke përfshirë edhe efektet indirekte multiplikative, kontributi total është thuajse trefish më i lartë, duke përbërë rreth 21.2% të PBB-së, çka e rendit sektorin si një ndër kontribuesit kryesorë të zhvillimit të ekonomisë kombëtare.

Turizmi rezulton po ashtu edhe sektori që ka potencialin më të lartë të punësimit, nga ku 93 mijë kanë qenë të punësuarit direkt dhe mbi 254.3 mijë ishin të punësuarit total përgjatë 2019-ës.

Gjatë vitit 2018, hyrjet e shtetasve të huaj rezultuan 5.926.803  dhe turistët nga rajoni i Europës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj me 89,5 %, duke u rritur me 13,2 %.

Kurse pasojat e bllokimit nga Covid-19 bënë që truizmi në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën të pësonte tkurrjen më të madhe. Maji i këtij viti ka qenë krejt i pazakontë për turizmin.

Sipas INSTAT hyrja e shtetasve të huaj në Shqipëri për pushime në muajin maj ka qenë 98,8 % më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në Shqipëri në muajin maj kanë hyrë përmes ajrit, detit dhe tokës 46 mijë e 488 shtetas shqiptarë. Krahasuar me Maj 2019, numri i shqiptarëve që kanë hyrë në vend ka rënë 94,4 %.

Kurse hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 16 mijë e 389. Krahasuar me Maj 2019, ky numër ka rënë me 95,9 %. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë përgjatë pesë muajve të parë

2020 është 602 mijë e 300, duke rënë me 60,0 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Shqipëria vlerësohet të jetë një ndër vendet më të varura si ekonomi nga turizmi, prandaj tkurrja e theksuar në  këtë kohë pandemie, mund të ndikojë në tkurrjen e ekonomisë së vendit në tërësi.

Shqipëria vlerësohet si një nga shtetet që do ta vuajë më shumë pandeminë e Covid-19 në ekonominë e saj, me një rënie që varion nga -5% sipas FMN-së dhe Bankës Botërore, deri në -9%, sipas BERZH. Varësia e lartë nga turizmi, është një prej arsyeve kryesore, që i bën pesimiste parashikimet e institucioneve ndërkombëtare.

“Visual Capital”, që ka përpunuar të dhënat nga Organizata Botërore e Turizmit, ka përpiluar një hartë që rendit shtetet me varësi më të lartë nga turizmi. Mes tyre, renditet dhe Shqipëria, së bashku me Malin e Zi dhe Kroacinë.

Inforgrafikë; Burimi: Visual Capital

Shqipëria renditet në vendin e 30 në botë, sa i përket peshës së turizmit në punësimin total, me 22%. Kroacia e ka këtë tregues në 25% dhe Mali i Zi në 33%.

Sipas këtij raporti, pa një fluks të qëndrueshëm prej të ardhurave nga turizmi, shumë shtete mund të përballen me efekte të rënda në ekonomi. Në fakt Unioni Turistik Shqiptar ka llogaritur se humbjet në sektorin e turizmit i kalojnë 1,5 mld euro.

Sipas bashkimit të shoqatave rezervimet e pranverës nga 25 mln netë akomodime të rezervuara nga turistët,80% e tyre janë anuluar dhe 20% janë në pritje të një date udhëtimi e cila është në varësi të dinamikës së pandemisë.

Unioni parashikon që nisur nga situata të humbasin vendet e punës stafi i kualifikuar për shkak të reduktimit të fuqisë punëtore nga mungesa e likuiditetit deri në masën 70%. Po ashtu do të ndodh braktisja e profesionit nga guidat e licencuara nga pamundësia për ta ushtruar dhe kërkimi i një pune tjetër nga problemet financiare. Në të njëjtën kohë do të ketë konflikt ligjor me bankat nga pamundësia e shlyerjes së kësteve të kredive.

Eva Rama eksperte në fushën e turizmit shpjegon se në pikëpyetje është edhe turizmi i pritshëm që zhvillohet gjatë tremujorit të tretë të vitit, pra në vjeshtë, ku nga këto jo vetëm që janë anuluar 50% e rezervimeve, janë pezulluar shumë prej pjesës tjetër, por më e keqja, sipas saj, është se nuk ka rezervime të reja, të cilat zakonisht bëheshin dhe konfirmoheshin gjatë verës, pra gjatë kësaj periudhe.

Eva Rama – Eksperte në fushën e turizmit

“Si rrjedhojë e këtij kolapsi, i gjithë zinxhiri i bizneseve të turizmit ku bëjnë pjesë operatorët turistikë, strukturat akomoduese, transporti turistik, guidat turistike dhe restorantet turistike, nëse nuk ndërhyhet në kohë nga ana e qeverisë do shkojnë drejt falimentimit. Thënë këtë si dhe duke konsideruar të dhënat statistikore në lidhje me të ardhurat e gjeneruara nga turizimi, industria e turizmit pritës do të humbasë rreth 1.5 miliard euro, ndërsa dega e turizmit dalës e paralizuar plotësisht, rrezikon mijëra vende pune dhe mungesë parash në arkën e shtetit, që ky sektor kontribuon në formën e tatimit mbi fitimit, TVSH-së, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndtesore.”- thotë ajo.

Të njëjtën panoramë paraqet edhe Kliton Gërxhani nga ATOA (Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike).

Kliton Gërxhani – Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike

Sipas tij, pandemia ka ndikuar më shumë se çdo dëm i bërë deri më tani turizmit: “Dhe më e keqja, nuk ka mbaruar akoma dhe nuk e dimë kur do mbarojë”- thekson Gërxhani – “Flitet për shifra të ndryshme biznesesh turizmi të falimentuara, numër punonjësish të pushuar nga puna, dëmesh financiare në ekonomi, por edhe pse janë parashikime dhe akoma nuk ka një shifër zyrtare, dëmi është shumë i madh” përfundon ai.

Por pavarësisht se aktorët e sektorit dhe shifrat zyrtare tregojnë për një tablo të errët të turizmit në vend, operatorët shprehen të pakënaqur nga asistenca që ka dhënë shteti, për këtë sektor që kontribuon direkt dhe indirekt mbi 26% të Produktit të Brendshëm Bruto.

Sipas Rahman Kasës nga Unioni Turistik Shqiptar situata paraqitet problematike: “Nga paketat ne nuk kemi përfituar, por morën pagën 40 mijë lekë ata që hoqën stafin nga puna. Garancia sovrane nuk është ndonjë ndihmë e madhe për biznesin, më shumë është mashtrim sesa ndihmë e vërtetë për sektorin.”

Rahman Kasa – Unioni Turistik Shqiptar

Por sa priten të zgjasin efektet?

Për eksperten Eva Rama, kjo industri dëmet i ka jo vetëm aktuale, por me pasoja që do shtrihen në një periudhë disa vjeçare.  Kjo pandemi i ka ulur ndjeshëm financat familjare për nevoja bazike, shpjegon ajo, dhe nuk mund të flitet për “shpenzime luksi”, siç konsiderohet turizmi.

“Gjithashtu ajo që për mua është për tu trajtuar më shumë kujdes është edhe në aspektin psikologjik, pasi shumë njerëz do hezitojnë të lëvizin për pushime, të paktën për këtë vit kjo është më se e evidentueshme, për arsye frike për shëndetin dhe sigurinë e tyre. Kjo situatë do varet edhe nga ecuria në nivel global e numrit të të prekurve nga COVID-19, nga virulenca e tij dhe nga përgjigja që autoritetet kompetente në bashkëpunim me palët e përfshira në zinxhirin e industrisë së turizmit do bëjnë me fushata dhe promocione për udhëtime të sigurta dhe me përparësi ruajtjen e shëndetit”- thotë Rama.

Kurse Kliton Gërxhani thotë se nëse nuk ka përsëritje të pandemisë dhe mbyllje tjetër, mund të kthehemi në numrat e 2019-ës ndoshta pas 2-3 viteve. Kurse rikuperimi i dëmit financiar mund të zgjasë edhe 5 vite.

Për eksperten Eva Rama situata është e paqartë për të bërë një parashikim të qëndrueshëm: “Nga sa po konstatojmë në mënyrë të përditshme kjo është një situatë e paparashikueshme, thotë ajo, pasi kjo më së shumti do varet nga situata shëndetësore si dhe nga masat/ protokollet që do përcaktojë Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me të gjitha qeveritë”.

Rama sugjeron se sektori privat duhet të përshtatet me kushtet e reja, duke nisur trajnimet të stafeve për zbatimin e protokolleve shëndetësore. Ajo ngre njëkohësisht shqetësimin për më shumë mbështetje nga qeveria.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *