Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Niveli i lartë i ndotjes në basenin e Ishmit rrezik për jetën e banorëve

Një bombë ekologjike në shpërthim”, kështu e ka konsideruar inxhinieri i mjedisit Lulzim Bauman basenin e Ishmit. Përgjatë këtij baseni, që është përcaktuar më i ndoturi në vend, jetojnë rreth 30% e shqiptarëve.

Lulzim Baumann

“Nuk e di sesa ton mbetje mund të jenë këtu, duke filluar nga mbetjet inerte që janë hedhur së fundmi edhe mbetjet shtëpiake apo urbane që janë hedhur vazhdimisht, edhe gjithë zgjidhja është me tre kosha mbetjesh. Tre kontejnerë të vendosur nga bashkia mjaftojnë për të eliminuar një nga pikat më ekstreme të mbetjeve në bregun e Ishmit”,- sqaron inxhinieri.

Bauman ka punuar një manual praktik për eliminimin e mbetjeve përgjatë këtij baseni duke u munduar ta implementojë edhe nga ana praktike, për të mos i lënë zgjidhjet e problemit vetëm në letër.

Mungesa e administrimit të mbetjeve-shkaktari kryesor i ndotjes 

“Eleminimi i mbetjeve përgjatë basenit të Ishmit” është manuali referues i inxhinierit të mjedisit Bauman, i cili bën ndarjen e lumin në nëntë zona duke përcaktuar me foto edhe analiza ndotjen e lartë që vjen nga secila bashki e qarkut të Tiranës. Ajo çka vihet re në evidentimin e rasteve në manual është se Bashkia e Tiranës ka kontributin më të lartë në ndotjen e lumit, e ndjekur më pas nga Bashkia e Vorës edhe e Kamzës.

Ndër burimet kryesore të ndotjes përmendim: detergjentët larës, ujërat e zeza, ujërat industriale dhe mbetjet e ngurta.

Referuar studimit, ekzistojnë 109 pika grumbullimi ilegale mbetjesh. Gjashtë prej këtyre pikave të grumbullimit ndodhen në zonë të administruar nga Bashkia Tiranë, kryesisht në Kashar (fshati Mazrek, Mezez), Njësia Administrative nr.7 dhe 11, përgjatë lumit Lanë, Shkozë, Dajt (Ferraj dhe Brar).

Në bashkinë Vorë, zonat ku grumbullohen mbeturinat janë në Prezë (fshati Gjec-Fushë), Bërxullë (fshati Mukaj, ura e Limuthit, Bruke).

Në bashkinë Kamëz shpërndarja e vend-grumbullimeve të mbeturinave është në zonat e Valiasit, Laknas dhe Paskuqan.

Në bashkinë Krujë grumbullimi më i madh është ai në Njësinë Administrative Rinas.

Pikat e grumbullimit të mbetjeve, Bashkia Krujë

“Problemi kryesor është shëndeti i njerëzve, sigurisht po ta shikojmë në pamje të parë lumi është i shkatërruar, nuk ka shans të jetojë një gjallesë në këto anë, d.m.th. flora dhe fauna mund të themi është e vdekur. Era është e tmerrshme, këto janë mbetje që kur shpëlahen me ujin sigurisht krijojnë ndotje deri te ujerat nëntokësor” shpjegon eksperti mjedisor Bauman.

Ajo ç’ka vihet re nga gjetjet e studimit është mungesa e kontenierëve ku mund të hidhen mbeturinat, ndërsa në rastin kur ekzistojnë ato ndodhen larg vendit të hedhjes së mbetjeve. Po ashtu monitorimi dhe pastrimi i zonës nga bashkitë përgjegjëse është jo ekzistent.

Metalet toksike që derdhen në basenin e Ishmit tejkalojnë vlerat standarde të Bashkimit Evropian shumë herë, si për shembull niveli i kadmiumit është 102 herë më shumë se standardi i BE-së, ndërsa niveli i plumbit, 87 herë më shumë se niveli standard i BE-së.

Banorët: “Mungojnë kontejnerët”

Citizens Channel vizitoi njësinë numër 11 të kryeqytetit, aty ku shtrihet dhe zona më e ndotur e lumit. U konstatua se qytetarë të ndryshëm në mënyrë të shpeshtë gjatë ditës hidhnin mbetje duke u justifikuar me faktin se nuk kishin zgjidhje tjetër në mungesë të kontejnerëve.

Banor i zonës

“Këtu po bëhet nami me mbeturina. Vinë nga Tirana i hedhin këtu. Në darkë ndezin zjarrin, i djegin”,- tregon një nga banorët.

Ndërsa një tjetër banor i zonës ngarkon me përgjegjësi vetë qytetarët.

“Na duket mënyra më e shkurtër e mundshme. Njerëzit kanë rënë në qetësi, e kanë stakuar trurin dhe po s’qau fëmija nuk të jep gji nëna’,- rrëfen një tjetër banor.

Banor i zonës

Gjatë monitorimit në terren, Citizens Channel komunikoi dhe me përfaqësues të Policisë së Shtetit të cilët u shprehën se e kanë raportuar situatën alarmante, por është Bashkia e Tiranës që duhet të ndërhyjë.

Sipas Ligjit  nr.139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”/ Neni 23 përcakton se janë bashkitë përgjegjëse për grumbullimin e mbetjeve, largimin dhe trajtimin në territorin e juridiksionit të tyre. Ato duhet të ofrojnë shërbimin e grumbullimit të mbetjeve në të gjithë zonën duke u përshtatur me kërkesat apo nevojat e banorëve.

Si mund të rigjallërohet lumi?

Inxhinieri Baumann shpjegon se për të rivitalizuar këtë zonë duhet një bashkëpunim midis hallkave të së njëjtit zinxhir. Ai shpjegon se zakonisht banorët i drejtojnë ankesat kryeplakut të zonës, apo administratorit, më pas këta persona, me përgjegjësi ligjore duhet t’i drejtohen bashkisë.

“Kjo është gjendje emergjente, nuk ka kohë që ne të mendohemi. Kjo duhet të realizohet brenda ditës dhe kjo është ajo që presim minimalisht nga Bashkitë për të bërë. Koshat janë, investimi bashkisë është aty, thjesht duhet organizimi që brenda ditës të vendosen këto tre kontejnerë dhe të përmirësohet kjo situatë kaq skandaloze”,- përfundon ai.

Një rast suksesi së fundmi është vendosja e dy kontejnerëve në lumin e Ishmit, segment i përfshirë në Bashkinë e Kamzës, fakt i cili jep shpresë për realizimin e një aksioni të tillë edhe nga Bashkia e Tiranës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *