Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raport: 120 alarme përgjatë katër muajve për lirinë e medias në Evropë

120 alarme janë regjistruar përgjatë katër muajve mars-qershor sa i përket kërcënimeve ndaj lirisë së mediave në vendet anëtare të BE-së dhe vendeve kandidate.

Raporti i monitorimit hartuar nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Insituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), tregon se edhe ndikimi i pandemisë ka qenë një faktor negativ në lirinë e mediave gjatë kësaj periudhe. Monitorimi është kryer duke përfshirë politikë-bërësit, zyrtarët e qeverisë, përdorimin e veprimeve ligjore për të shtypur pavarësinë e mediave dhe sulmet ndaj punonjësve të mediave nga oficerët e policisë dhe protestuesit.

Nga ky monitorim vihet re se shumë qeveri e kanë përdorur pandeminë si një pretekst për të forcuar tendencat e tyre autoritare. Rasti i Hungarisë është një ndër shembuj që tregon se si kryeministri Viktor Orban ka ndjekur një kontroll të rreptë mbi informacionin e shpërndarë në media, duke intensifikuar fushatën për të diskredituar gazetarinë kritike. Ndërkohë, legjislacioni i ri penal kundër përhapjes së informacionit “të rremë” ose “të shtrembëruar”, të miratuar gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, shkaktoi pasiguri dhe vetë-censurim midis mediave. Kufizimet e lirisë së mediave për shkak të COVID-19 janë parë edhe në vendet e tjera evropiane.

Përmes një harte të lirisë së medias në të cilën i mundësohet secilit të ngarkojë detaje të një sulmi apo të kërcënimit të lirisë së medias, tregohen në kohë reale informacione për situatën e medias në secilin shtet në Bashkimin Evropian dhe vendet kandidate për në BE.

Referuar hartës, këto njoftime përfshijnë sulme fizike, veprime ligjore ose përpjekje për të censuruar gazetarët. Nga këto alarme që janë ngritur, 87 prej tyre i përkasin sulmeve fizike të kryera mbi gazetarët, 75 prej tyre sulmeve ligjore dhe 19 prej tyre tentativë për censurë. Harta regjistroi edhe 37 paralajmërime që lidhen me pandeminë COVID-19.

Shqipëri regjistron 9 alarme përgjatë katër muajve, Greqia 7 alarme, Maqedonia e Veriut 1, Mali i Zi 1, Italia 11 dhe Serbia 10.

Mes këtyre sulmeve ka lloje të ndryshme të kërcënimeve me të cilat përballen çdo ditë punonjësit e mediave. Sipas monitorimit të kryer në këtë raport forma më e zakonshme është kërcënimi apo kanosja, me 59 raste, pasuar më pas nga fyerja me 26 raste dhe nga akuzat penale ndaj gazetarëve në 17 raste.

Kërcënimet përgjatë 4 muajve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave kanë pasur burime të ndryshme prej te cilëve kanë dominuar:

  • 27 kërcënime nga policia/sigurimi i shtetit
  • 25 kërcënime përmes ligjeve dhe procedurave gjyqësore
  • 9 raste nga ana e partive politike
  • 8 raste nga kompani të ndryshme
  • 6 raste nga autoritete publike
  • 42 raste nga individë të caktuar
  • 7 raste nga organizata kriminale,
  • 9 raste nga media të tjera
  • 20 raste nga burime të panjohura

Një tjetër trend i kërcënimeve ndaj gazetarëve janë edhe rreziqet që punonjësit e mediave kalojnë kur mbulojnë protesta dhe demonstrata. Fillimi i vitit 2020 është shoqëruar me protesta në të gjithë Evropën, për çështje të ndryshme, të lidhura së fundmi edhe me masat e qeverive ndaj pandemisë COVID-19. Në një numër protestash në vende të tilla si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia, raporti tregon se 45 gazetarë dhe punonjës mediash të vendeve anëtare të BE-së dhe atyre kandidate u ngacmuan dhe u kërcënuan edhe fizikisht.

Ndërsa nuk ka munguar as dhuna dhe kërcënimet nga oficerët e policisë dhe shërbimet e sigurisë. Përgjegjësia e policisë për të mbrojtur gazetarët nga kërcënimet dhe sulmet është lënë pas dore thekson raporti, teksa në disa vende forcat e sigurisë u përpoqën në mënyrë aktive të pengojnë punonjësit e mediave që të bëjnë punën e tyre.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *