Citizens.al

Etika në media: Gazetarët dhe redaktorët të prirur drejt klikimeve dhe jo cilësisë

Autor: Isa Myzyraj* | Citizens Channel

Gazetarët dhe mediat gjatë gjithë kohës duhet të  përpiqen të botojnë informacion që, në dijeninë e tyre, është i vërtetë, i balancuar dhe i verifikuar.”- kjo është pika e parë e Kodit të Etikës së Gazetarit, hartuar nga ekspertë vendas dhe të huaj, për Këshillin Shqiptar të Medias, një organ i cili merret posaçërisht me etikën në median shqiptare.

Vendi ynë vijon të përballet me shkelje periodike të etikës në media. Këshilli Shqiptar i Medias pas një monitorimi të 30 mediave online, përfshirë edhe faqet zyrtare të televizioneve ka vërejtur se në vendin tonë kryhen 8-9 shkelje të etikës në ditë.

Rasti i 15-vjeҫares së përdhunuar

Në muajin maj, vendi ynë u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku pedofili 65-vjeçar Abaz Dogu, roje në një shkollë në periferi të Tiranës, kishte abuzuar seksualisht me një të mitur 15-vjeçare.

Ngjarja e rëndë u raportua masivisht në median shqiptare, ndërsa nga organizatat për të drejtat e njeriut, dhe aktivistë të shoqërisë civile u ngrit alarmi se detajet e bëra publike nga media cenonin rëndë viktimën e mitur, ndërsa media arriti deri aty sa bëri publike në disa raste edhe emrin e të miturës, në shkelje të rëndë jo vetëm të etikës së gazetarit por edhe të ligjit.

News 24, Fax News dhe Vizion+ ishin televizionet ku në edicionin e lajmeve është shfaqur në shkelje të etikës dhe të ligjit emri i viktimës së mitur.

Nga ana tjetër televizioni Abc News, ka publikuar një artikull në web dhe në edicionin e lajmeve me titull: “DËSHMIA/ “Abazi abuzoi edhe me shoqet e mia”: Zgjerohet skandali i abuzimit me të miturat”

Në këtë artikull të Abc News, jepen fakte tronditëse dhe detaje të hollësishme nga përdhunimi i 15-vjeҫares.

Televizioni Fax News, në një kronikë që nxiti reagime të shumta, në shkelje të dhënave personale, publikoi në detaje vendin ku jetonte e mitura, madje edhe shtëpinë e saj dhe rrugët që të çonin tek shtëpia e të miturës, ç’ka e bënte lehtësisht të identifikueshme viktimën.

Në reagimin e parë për këtë ngjarje, edhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Besa Shahini i konsideroi si “tmerr” raportimet e mediave për rastin në fjalë.

“Media luan një rol kyç në këtë mes. Do të dëshiroja shumë që media të raportonte në mënyrë të drejtë rastet e abuzimit seksual. Ajo që kam parë deri tani ka qenë një tmerr i vërtetë. Përshkrim detajesh identifikuese të viktimave dhe fajësim indirekt i viktimave. Tmerr!”-thuhej ndër të tjera në reagimin e Shahinit.

Koloreto Cukali, nga Këshilli Shqiptar i Medias, ka thënë se në rastet e mësipërme ka një shkelje etike të medias dhe gazetarëve në raportimin e lajmit, madje ai thotë se këto shkelje bëhen hera-herës edhe me qëllim, për shkak të tërheqjes së lexuesve dhe shikuesve.

Koloreto Cukali, Këshilli Shqiptar i Medias

Kryesisht këto shkelje etike vijnë nga padija ata që i botojnë nuk janë të ndërgjegjshëm për shkeljen e etikës, sigurisht këtu luan rol edhe dëshira dhe nevoja për të marrë klikime dhe shikime. Ka një përzierje, që vende-vende bëhet për shkak të padijes, dhe vende-vende bëhet e qëllimtë për të tërhequr lexues dhe shikues.

Por, dhënia e detajeve të hollësishme mbi viktimën, kryesisht kur viktima është një i/e mitur, sjell edhe pasoja të rënda psikologjike për të.

Sipas psikologes klinike, Enertila Bekteshi pasojat për të miturën mund të jenë të rënda për një periudhë të gjatë të jetës.

Duhej shume kujdes në ҫdo raportim për atë rast,  pasi është një situatë shumë delikate e cila ka pasoja të mëdha si për të miturën por edhe për ambientin e saj familjar dhe shoqëror. E mitura do të ketë shumë vështirësi për të formuar personalitetin e saj , dhe pa diskutim që do të ndikojë në ҫdo hap që do të ndërmarr gjatë jetës, pasi detajet e rënda që janë publikuar nga media do të ngelin aty”-shprehet psikologja Bekteshi.

Enertila Bekteshi, Psikologe klinike

Vetëvrasjet në Kombinat

Në fillim të korrikut, vendi ynë do të tronditej përsëri, pasi në Kombinat nënë e bijë u gjetën të vdekura, ndërsa vajza tjetër e familjes në gjendje të rëndë shëndetësore.

Familja Josifi, predikonte një sekt që ende nuk është identifikuar, ndërsa mediat më të mëdha në vendin tonë, që në orët e para të raportimit të ngjarjes do të publikonin emrin e organizatës ku sipas këtyre mediave bënin pjesë nëna dhe dy vajzat.

Top Channel dhe News 24, në edicionet e tyre të lajmeve dhe në faqet zyrtare online, shkruan se familja Josifi bënte pjesë tek organizata e Dëshmitarëve të Jehovait.

Asnjë nga mediat e lartpërmendura nuk shkruajtën se “dyshohet” nëse bënin pjesë ose jo, por ato e bënë fakt të kryer duke shkruar se familja Josif “bënte pjesë” në këtë sekt fetar, ndërsa në web-et e tyre nuk thuhej asnjë burim, i identifikuar ose i paidentifikuar, ku gazetari ka të drejtë të ruajë burimin e tij.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, organizata Dëshmitarët e Jehovait me qendrën e tyre në Shqipëri reagoi duke hedhur poshtë aludimet se familja Josif bënte pjesë në organizatën e tyre.

Nisur nga këto raportime, Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias, thotë se në këto raste është e vështirë identifikimi nëse ka pasur ose jo shkelje të etikës, pasi sipas tij mediat në shumë raste nuk japin burimin e informacionit.

“Media duhet t’i japë kur këto informacione, kur i dëshmon dikush, në këtë rast raportimi është i nevojshëm, por media duhet të raportojnë brenda një artikulli që dëshmitarët e Jehovait e kanë përgënjeshtruar. Pra etika e kërkon që t’i duhet të japësh faktin që këto gra kanë qenë anëtare të këtij urdhëri, por në momentin që vetë urdhëri ka dalë në deklaratë duhet që brena të njëjtit artikulli të përfshihet, dhe këtu ka një neglizhencë të madhe të medias shqiptare të cilat edhe kur e raportojnë deklaratën e dëshmitarëve të Jehovait, e raportojnë si deklaratë në vete, deklaratën e tyre duhet ta publikosh sa herë që ti ta përmendësh dhe të thuash që këto dyshohet se, ose dëshmitarët thonë se… po aty brenda edhe fakti tjetër se organizatat e mohon këtë fakt. “-shprehet Cukali.

Pikërisht, këtu vërehet qartë një neglizhencë e mediave shqiptare, pasi ata në të gjitha rastet janë mjaftuar vetëm duke e bërë në vete lajm, deklaratën e Dëshmitarëve të Jehovait, dhe jo duke ia bashkangjitur çdo lajmi të publikuar më herët ose më vonë, këtë deklaratë.

Etika, përballë presionit të klikimeve

Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve, pas një studimi të kryer pak muaj më parë, ka arritur në përfundimin se në 40% të rasteve, mediat japin të dhëna të tërthorta në lidhje me viktimat e dhunës dhe abuzimeve seksuale kur këto viktima janë të mitur, dhe në këtë mënyrë, bëhet shumë e lehtë që të dhënat personale të zbulohen lehtësisht.

Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi shprehet se pavarësisht shkeljeve është bërë një punë e mirë gjatë viteve në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale.

Dikur gazetarët dhe media, nuk ia kishin idenë e të dhënave personale, dhe mbrojtja e tyre, tani media ka bërë hapa të rëndësishëm para në këtë aspekt”-shprehet Dervishi.

Besnik Dervishi, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Koloreto Cukali, deklaron se situata vazhdon të jetë problematike në lidhje me etikën e medias, dhe se Këshilli Shqiptar i Medias, vëren me qindra shkelje të etikës çdo muaj dhe vijon duke thënë se këto shkelje bëhen kryesisht nga mosdija, por edhe dëshira për të marrë klikime dhe shikime, që në vetvete është një shkelje.

Dëshira për të marrë klikime dhe shikueshmëri kërkon që ti të abuzosh me tituj dhe me lajmin, që ta bësh sa më joshës dhe tërheqës duke shkelur etikën”-shprehet ai, duke thënë se një tjetër shkelje madhore është ndërhyrja e pronarëve në linjën editoriale të medias.

*  Isa Myzyraj është një nga studentët pjesëmarrës në ciklin e moduleve online dhe trajnimeve të nismës “Empower Journalists”, organizuar nga Citizens Channel. 

Të Fundit

One Response

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW