Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Citizens Urban Stories” – Eksplorim në vilat e harruara të Tiranës…

Vizito platformën: Citizens Urban Stories

Oj e zonja e shtëpisë…!

Një heshtje disa sekondëshe… e më pas, nga përtej avllisë, dëgjohet një përdredhje e shulit të derës me endje, për t’i lenë vendin portretit të zonjave apo zotërinjve të shtëpive të vjetra tiranase, tek të cilët bujtëm e na pritën “si n’shpi tonë”.

– “Hajdeni, urdhëroni…. Qënkeni goxha, por shtëpia ka vend plot”.

– “Po ecim në gjurmët e vjetra të Tiranës. Duam të njohim historinë e familjes suaj, të shtëpisë suaj. A mund të na rrëfeni më shumë….?”

Përtej zhurmës së buldozerëve të një qyteti në ndërtim, kaosit të trafikut, pallateve të larta që vazhdojnë të ngrejnë krye me shpejtësi dhe vrapimit në qoshet e tyre të lëna si thërrime, shtrihet një mozaik ngyrash: oborre me lule, mure qerpiçi të gëlqerosur, dritare dhe tavanë prej druri, fasada të shtëpive të regjura nga koha.

Rrugicat lidhëse të shtëpive private, ruajnë ende gjurmët e një qyteti të ndërtuar nga njerëzit, për njerëzit.

Portat hyrëse, herë prej druri e herë prej hekuri, të gdhendura me ornamente identifikuese, hapin njërin kanat me ndroje, nën frikën se një tjetër ndërtues po troket.

Përpos kushteve dhe pengesave që solli pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19, Citizens Channel, përgjatë muajve të verës trokiti derë më derë në shtëpitë e vjetra Tiranase, për të rikriujuar gjashtë itenerare historike të qytetit.

Pas portave, tashmë familjare për ne, jemi takuar me zonja dhe zotërinj të profesioneve të ndryshme, të mbiemrave të mëdhenj që kanë formësuar qytetin dhe krijuar historinë e tij.

Jemi takuar me të rinj dhe të reja, të rritur nën peshën e historisë madhështore të një qyteti, ku themelues kanë qenë prindërit e gjyshërit e tyre. Me pasionin  për të ecur në këtë rrugë, duke njohur të shkuarën, rrënjët e tyre dhe duke kontribuuar në mbajtjen gjallë të këtij identiteti.

Nuk është kollaj që në ndryshimet e shpejta që po pëson kryeqyteti të mos tundohesh nga oferta për të qenë me “kohën”, por këta të rinj, pasardhës të atyre që kanë qenë qytetformuesit, e kanë ruajtur trungun familjar në gjithë qenien e tij, në kulturë, diskurs social, shtëpi e komunitet.

“Citizens Urban Stories” është konceptuar dhe ndërtuar me këtë frymë, ku në qendër është individi, njeriu, qytetari, e përmes rrëfimeve të tij konceptohet komuniteti, rrugicat, oborret e shtëpive dhe vetë shtëpia si oazi i fundit i identitetit jo vetëm të individit, por gjithë qytetit.

U nisëm nga Pazari i Ri, tek Ura e Tabakëve, rruga Xhorxh Martin, Kalaja e Tiranës, rruga e Dibrës, rruga Qemal Stafa e Kont Urani, duke përshkuar në këmbë “shtigje” të panjohura më herët, rrugica të fshehura e shtëpi private smerald, herë të braktisura, e shumë herë të mbajtura me zor në këmbë.

Foto: Gjashtë gjurmët e qytetit të vëzhguara nga Citizens Urban Stories

Familjarizimi jonë (herë i tepruar) për të hyrë në çdo shtëpi, gjeti strehë tek krenaria e të zotëve që hapnin portën e zemrën, për të rrëmuarr në kujtimet e një qyteti që sot lëngon.  Kafet dhe bisedat e gjata në oborre shërbyen si medium komunikimi, ashtu sikurse nuk mund të shërbejnë kurrësesi skutat e errëta të çdo hyrje pallati. Të zotët e shtëpisë, u kthyen në udhërrëfyes e pika lidhjeje për të tjera shtëpi, për të tjerë njerëz, për të tjera histori urbane.

“Citizens Urban Stories” lindi si një kundërpërgjigje ndaj agresivitetit të madh të ndërtimeve dhe tjetërsimit të objekteve, që po cenon vilat e vjetra tiranase, ndonëse të shpallura monument kulture.

Kliko mbi foto për të parë hartën e objekteve të zhdukura të Tiranës

Zhdukja e tyre, e favorizuar edhe nga mungesa e një plani specifik për ruajtjen dhe mbrotjen e objekteve historike, përforcuar edhe nga mungesa e transparencës së pushtetit vendor dhe qendror, ka sjellë cënimin e identitetit historik të një qyteti prej 100 vjetësh tashmë kryeqytet.

Citizens Urban Stories

(Kliko mbi foto)

Nisma e “Citizens Channel” për të krijuar një platformë të dedikuar trashëgimisë kulturore përmes “Citizens Urban Stories” synon të ngrejë një kanal komunikimi të përbashkët mes qytetarëve, studiuesve dhe aktorëve shoqëror të interesuar në adresimin e problematikave të kësaj fushe dhe rritje të presionit ndaj pushtetit vendor për dy çeshtje kryesore:

  • Tjetërsimi i objekteve historike në Tiranë
  • Mungesa e transparencës në vendimmarrje duke cënuar identitetin historik të qytetit

Në platformën web të dedikuar “Citizens Urban Stories”, çdo vizitor, përdorues, studiues, arkitekt, gazetar e çdokush që do të njohë me tepër Tiranën e vjetër, mund të ecë në gjurmët e hershme të këtij qyteti, përmes skedave individuale të vilave të dokumentuara, hartës interaktive me gjurmët e qytetit, video-rrëfimeve nga banorët që i jetojnë këto objekte dhe në fund panoramës së vilave të zhdukura të Tiranës që nuk është më.

Mbi çfarë objektivash u ndërtua “Citizens Urban Stories”?

  • Të dokumentojë ndryshimin në siluetat arkitekturore të minimalisht 40 monumenteve të kulturës në Tiranë
  • Të hedhë dritë mbi veprmitarinë institucionale të pushtetit lokal dhe qendror, duke krijuar hapësirë alterantive informacioni
  • Të shërbejë si një mjet për nxitjen e presionit qytetar nëpërmjet informimit të opinionit publik përmes produkteve mediatike të pavaruara dhe të thelluara.

Puna kërkimore në terren, e mbështetur nga rrëfimet e pronarëve të vilave, e banorëve të lagjeve, përkon në dokumentimin e të dhënave përmes vëzhgimit në terren, fotografimit dhe intervistave me komunitetin dhe specialistë të fushës.

Vizito platformën: https://urbanstories.citizens-channel.com/

Eksploro gjurmët historike të Tiranës:

Citizens Urban Stories – Projekt i Financuar nga @Leviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC”.
#LEVIZALBANIA #LEVIZPERDEMOKRACINEVENDORE

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *