Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Punimet për HEC-et kthejnë ujin e kaltër të Valbonës në një rrjedhë të zbardhur nga inertet

S’asht ma ajo klimë, s’asht ma ajo bukuri e natyrës…”, pohon me dhimbje Ibrahim Demiraj, banor i Tropojës, duke iu referuar punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës.

Pavarësisht rezistencës dhe një beteje të gjatë ligjore të banorëve të zonës dhe aktivistëve, prej dy vitesh po vijon puna për hapjen e tuneleve, që do të fusin në tuba ujin e Valbonës për të prodhuar energji elektrike.

Pak ditë më parë, aktivisti Arben Kola ka vizituar Valbonën  për të dokumentuar me video dëmin e shkaktuar. Në imazhet e përcjella në redaksinë e “Citizens Channel”, duket si uji dhe gurët tashmë kanë marrë një ngjyrë të bardhë, si pasojë e çimentos dhe inerteve të tjera të derdhura.

Kur udhëtoje përgjatë lumit të Valbonës, të mahniste. Gjendja e cila shfaqet në video ka mbi dy muaj e gjysmë, tre muaj që është e njëjta”, thotë Kola për Citizens Channel.

Ibrahim Demiraj kujton si angazhimet për ta ruajtur luginën të paprekur kaluan përmes një rrugëtimi të gjatë, ku rezistenca e banorëve dhe aktivistëve mori jehonë ndërkombëtare, ndërkohë që paralelisht çështja u ndoq në rrugë ligjore.

Me trishtim, Demiraj rrëfen se tentativat e shumta për ta shpëtuar Parkun Kombëtar nuk e arritën plotësisht qëllimin, “HEC Dragobia” dhe “HEC Çeremi” janë duke u ndërtuar.

Gjendja është skandaloze, e rënduar për mjedisin. Boll bëmë, folëm, asigja… do vazhdojmë, ça kemi me ba”, shprehet ai.

Pasojat e marrjes së ujit ndjehen ende pa u përfunduar ndërtimi i hidrocentralit, tregon Demiraj, ndërsa shton se inertet e hedhura kanë zhdukur troftën, dhe uji tashmë është i papijshëm për bagëtinë dhe njerëzit.

Në tunelin që fillon në Pas Kollate asht ba diga, tre kilometër me mbërrit te hidrocentrali që bahet në Dragobi. Aty ka dalë llum, kum, argjilë dhe beton, bahet përzierje me njëra-tjetrën, aliazh dhe bien në lum. Asht skandal”.

Çfarë thotë ligji për ndërtimet në zonat e mbrojtura?

“Lugina e Valbonës” është shpallur Park Kombëtar, kategori e dytë në vitin 1996.

Ligji Nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, në nenin 16/pika c ndalon në mënyrë specifike ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e kësaj kategorie.

Neni 16/Pika c

“Janë të ndaluara ndërtimi i zonave urbane, i autostradave, hekurudhave, linjave të prodhimit të energjisë, si hidrocentrale, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës e të gazit me shtrirje të gjatë”.

Në një intervistë për Top Channel, Sulejman Xhepa, shefi i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura ka pohuar se nuk mund të ndërtohet në parqe kombëtare, duke listuar një serë dëmesh që sjellin ato në ekosistem.

Krijon një impakt negativ në mjedis sepse do të ndërhyhet me gërmime, me hapje me gërmime, me ndryshimin e regjimit ujor si në gjallesat ujore ashtu edhe në bimësi”, tha në shkurt të këtij viti Xhepa.

Si u dha leja e ndërtimit të hidrocentralit në luginën e Valbonës?

Në vitin 2007 u miratua leja për ndërtimin e hidrocentralit “Dragobia”, në Valbonë. Shoqëria “Gener 2”, nënshkroi kontratën koncensionare me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, si autoritet kontraktues.

Fillimisht ishte menduar që të ndërtoheshin katër hidrocentrale brenda zonës së mbrojtur, duke shfrytëzuar burimet ujore të përroit të Çeremit, lumit të Valbonës, përroit të Matinës dhe atë të Milloshit për një periudhë 35-vjeçare. Më pas, kompania fituese u tërhoq nga vendimi për të ndërtuar katër HEC-e, duke i reduktuar në dy, “HEC Dragobia” dhe “HEC Çeremi”.

Projekti ynë fillestar në Dragobi përbëhej nga 4 hidrocentrale. Duke vlerësuar ndikimin e madh në mjedis të dy prej tyre, në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit dhe ministrinë e Ekonomisë, ne e ndryshuam projektin duke eliminuar veprat qe kishin impakt negativ”, u shpreh në qershor të vitit 2016 Gëzim Pani, në atë kohë drejtor i “Dragobia Energy”.

Dragobia energy” është shoqëri konçesionare e themeluar për zbatimin e kontratës së hidrocentraleve në Luginën e Valbonës. Ajo është 100% në pronësi të “Gener 2” sh.p.k.

Banorët e Tropojës u shprehën asokohe se nuk ishin përfshirë në konsultime publike. Ata u vunë në dijeni të këtyre projekteve, pasi makineritë u shfaqën në terren e paralelisht nisën dhe protestat.

proces-verbalin e konsultimit për publikun kryer nga “Dragobi Energy” në vitin 2013, rezultojnë se kanë marrë pjesë 20 banorë dhe kanë shprehur miratimin e tyre për ndërtimin e HEC-eve. Aktivistët akuzuan kompaninë se kanë falsifikuar firmat e pjesëmarrësve dhe pretendojnë se në këto lista figurojnë të pranishëm edhe njerëz të ndarë nga jeta.

Rruga ligjore, Gjykata e Tropojës rrëzon Gjykatën e Tiranës, të dyja shpallin moskompetencë

Banorët e Tropojës, aktivistët dhe qytetarë njëkohësisht kishin filluar të flisnin haptazi kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Duke marrë shkas nga kjo situatë, u krijua dhe shoqata TOKA, e “ngjizur” si nevojë për t’u organizuar dhe mbrojtur natyrën.

“TOKA” së bashku me 27 banorë depozituan një padi pranë Gjykatës Administrative të Tiranës, në muajin maj të vitit 2017. Ata kërkuan anulimin e dy hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, duke listuar argumentet që lidhen me ndërtimin në një park kombëtar të kategorisë së dytë dhe falsifikimin e firmave në dëgjesat publike. Disa muaj më vonë, Gjykata rrëzoi padinë e banorëve dhe organizatës “TOKA”.

Ky vendim u apelua dhe në qershor të vitit 2018 padia u pranua. Gjykata e Apelit urdhëroi pezullimin e punimeve.

Në datën 31 korrik 2018, Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tropojës vendosi të rrëzojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Gjykata e Tropojës i dha të drejtën kompanisë koncensionare “Dragobia Energy” të vijojë punimet të paktën deri në 31 janar 2019.

Në shkurt të vitit 2019, “Toka” dhe një grup banorësh ngritën një tjetër padi ndaj Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

https://www.facebook.com/watch/?v=1992302501072058&extid=qKyysBR74VF6BmbS

Padi e cila u hodh poshtë dy muaj më vonë (prill 2019) nga Gjykata me arsyetimin se nuk ishin paraqitur prova të mjaftueshme.

Ndërkohë pak ditë më pas, në maj 2019 banorët u thirrën për padinë tjetër të depozituar pranë Gjykatës së Rrethit Tropojë, mbi pretendimin e falsifikimit të firmave gjatë dëgjesave publike për ndërtimin e HEC-eve. Dy gjykatat e Tiranës dhe e Tropojës kanë shpallur mos kompetencë për të marrë vendim mbi çështjen, e cila i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës së Lartë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *