Citizens.al

“Jo mësimit online”, studentët protestojnë para Ministrisë së Arsimit

Injoranca vret më shumë se Covid-i”, ishte slogani që shoqëroi sot dhjetëra studentë që protestuan pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Në ditën e parë të vitit të ri akademik, studentët kundërshtuan zhvillimin e mësimit online, duke e konsideruar atë jo efikas.

Gjatë kohës së pandemisë, kur ishim në karantinë, zhvilluam mësim online diku te tre ose katër muaj, po ai mësim u vërtetua që ishte jo efektiv. Problematikë tjetër që është paradoks dhe shikojmë një standard të dyfishtë në marrjen e vendimeve është se çdo aktivitet ekonomik si baret, lokalet, qendrat tregtare, kinematë janë të hapura. Pra një grup studentësh mund të shkojnë në këto ambiente apo mund të shkojnë edhe nëpër takime elektorale partiake. Vetëm në universitet nuk mund të shkokan”,-tha studenti Fatjon Biba, për Citizens Channel.

Fatjon Biba, student

Edhe pse sot duhet të ishin duke ndjekur mësimin online, studentët rrëfejnë se akoma nuk kanë marrë e-maile njoftimi për mënyrën dhe platformën të cilën do të përdorin.

Themi se jemi regjistruar, por nuk është se e kemi marrë akoma ato e-mailet nga fakulteti që duhet të futemi për të bërë mësimin”,– rrëfen për Citizens Channel studentja e vitit të parë në degën administrim dhe politika sociale.

Sipas saj, mësimi i zhvilluar online nuk rezultoi pozitiv edhe gjatë maturës shtetërore që la pas, muaj më parë, duke sjellë paqartësi për shkollën në vijim.

Studente e vitit të parë, dega administrim dhe politika sociale.

“Zero, aspak, sepse ne e provuam kur ishim maturantë dhe nuk dolëm shumë mirë te provimet dhe ishte një gjë e vështirë, sidomos dhe tani që jemi viti i parë, nuk e dimë se si procedohet fare”,-shtoi ajo

Njoftimi për kalimin e mësimit online u krye tre ditë para fillimit të shkollës dhe pasi studentët kishin paguar konviktet apo shtëpitë me qira. Kjo ka sjellë pasiguri për marrjen mbrapsh të pagesave apo shërbimin për të cilin kanë paguar.

“Mbi të gjitha problem është bërë edhe pagesa e konvikteve sepse na kanë thënë që është afati I fundit, duhet të paguani se sbën ndërkohë që të nesërmen kur kemi bërë të gjitha pagesat, kanë dalë edhe na kanë thënë që do mbyllet, do bëhet online”,-sqaron studentja e vitit të dytë në degën shkenca kompjuterike, pranë Universitetit “Aleksandwr Moisiu”, Durrës.

Studente pranë universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës

Një problematikë e trajtuar gjatë protestës nga studentët ishte edhe pamundësia për të kryer praktikën në disa degë të caktuara.

Ne të fushës së mjekësisë, siç janë infermierët, mjekët e të gjithë të tjerët i bie që të kryejmë operacionet online. Do të dalim të pa aftë nesër dhe çdokush do të jetë në dorën tonë”,- u shpreh njëra nga studentet e pranishme.

Gjatë zhvillimit të protestës, policia e shtetit kërkoi shpërndarjen e saj pasi ishte e paligjshme, por insistimi i tyre nuk zgjati shumë, duke lejuar zhvillimin normal të saj.

Studentët hartuan një kërkesë për Ministrinë e Arsimit përmes së cilës kërkuan mësim të alternuar mes online dhe në auditorë; rimbursim të pagesës së konvikteve dhe qirave; paketa interneti falas dhe të dedikuara për studentët; pajisje teknologjike me qëllim aksesin në mësimin online.

“Lëvizja për Universitetin”, protestë para Kryeministrisë

Paralelisht me studentët e mbledhur para Ministrisë së Arsimit, studentë dhe përfaqësues të Lëvizjes për Universitetin, kanë marshuar para Kryeministrisë ku edhe kanë mbajtur një komunikim për shtyp.

Ndër kërkesat e radhitura prej tyre ishin: përgjysmim të tarifës vjetore të studimit dhe një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës.

“Mësimi online vazhdon të jetë i pamundur për shumicën e studentëve, qiratë janë rritur, kostot e jetesës po ashtu, karta studentore nuk funksionon, abone nuk ka, shërbime sociale e shkollore jo e jo. Ndërkohë qeveria në vend që të lehtësojë barrën e studentëve, i mban të larta tarifat e studimit dhe jep urdhër që konviktet të boshatisen nga studentët”,-u citua në komunikimin para Kryeministrisë.

Përmes një komunikimi online Ministrja e Arsimit, Evis Kushi uroi vitin e ri akademik, ndërsa kërkoi qetësi dhe vendosmëri përgjatë këtij procesi.

Komiteti i Ekspertëve ka propozuar së fundmi, që të paktën muajin e parë, mësimi të zhvillohet në distancë, pra “online”, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit. Një vendim aspak i lehtë ky, i imponuar nga ecuria dhe dinamika e pandemisë, por që fatmirësisht i ka gjetur universitetet tona të përgatitura që më herët në mënyrë që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje“,-u shpreh Ministrja Kushi.

Posted by Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë on Sunday, 1 November 2020

Studentët kanë paralajmëruar sërish protesta ditën e nesërme, më 3 nëntor 2020, në orën 10:00 para Ministrisë.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW