Citizens.al

Në ujërat e lumit Ishëm lundrojnë 733.000 kg mbetje, dikur shërbente për ujë të pijshëm

Konsideruar si lumi më i ndotur në Evropë, Ishmi përshkron Shqipërinë Qendrore dhe çdo vit derdh në detin Adriatik 733.000 kilogram mbetje, duke e kthyer këtë rrjedhë në një shqetësim ndërkombëtar.

Gjatësia e shtratit të tij është 79.2 km dhe formohet nga bashkimi i ujrave të lumit të Tiranës, lumit të Tërkuzës, lumit të Zezës dhe atë të Gjolës, për t’u derdhur në gjirin e Rodonit.

Për këtë arsye, duke parë nivelin e lartë të ndotjes, një grup studentësh dhe nxënësish të Durrësit, bashkë me aktivistë mjedisorë u angazhuan të shtunën në pastrimin e një segmenti të lumit të Gjolës, pjesë e Ishmit, me mbështetjen dhe iniciativën e organizatës ndërkombëtare River CleanUp.

Strategjia e menduar nga “River CleanUp” konsiston në angazhimin e komuniteteve me në fokus të rinjtë, qeverive lokale e vendore dhe fabrikat për t’i dhënë një zgjidhje situatës.

Informimi dhe kontakti me të rinjtë dhe komunitetin që jeton përgjatë këtij lumi është pjesë e planit.

Duam të edukojmë nxënësit e shkollave dhe studentët e universiteve ta duan lumin Ishëm, duke dhënë ndihmëse jo vetëm në pastrim, por edhe në ndërgjegjësim për ta mbajtur pastër lumin pasi ta pastrojmë nga plastika“, – u shpreh për Citizens Channel Laura Gjyli, përfaqësuese e organizatës River CleanUp në Shqipëri.

Rehabilitimi i këtij lumi konsiston edhe në aksione direkt në terren dhe bashkëpunim me kompanitë për të ricikluar mbetjet e mbledhura gjatë brigjeve të Ishmit.

Ajo që kërkojmë ne nga qeveritë vendore dhe lokale është që ato të lidhen bashkë me ne, të bashkëpunojnë jo vetëm në tërheqjen e mbetjeve por edhe ne atë që quhet riciklim i mbetjeve. Këto mbetje që ne i klasifikuam dhe i peshuam, të mundemi t’i çojmë diku që t’i përpunojnë dhe këto para le të investohen përsëri mbi lumin”, – shpjegon më tej Gjyli,  bashkërenduese e aksionit për pastrimin e lumit.

Laura Gjyli, studiuese e plastikës në brigjet e Adriatikut-pedagoge e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës

Gjyli beson se përmes ndërveprimit me komunitetin, qeveritë dhe kompanitë, shtrati i këtij lumi mund të rikthehet ne gjendjen natyrale brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Duam që të transformojmë kompanitë, duam të transformojmë edhe qeverinë. Duke na u bashkuar kësaj nisme, duke e parë nga afër terrenin, mendojmë se me përvojën e River-CleanUp, lumi Ishëm mund të pastrohet shumë shpejt, brenda dy vitesh”.

Alina Xhani, nxënëse e shkollës së mesme “Ibrahim Kodra” në Durrës, mblodhi bashkë me grupin e saj dhjetë thasë me rreth 70 shishe plastike secili. Ajo tregon se zgjidhja e kësaj ndotjeje masive do të ishte përmes vendosjes së koshave dhe rritjes së masave ndëshkimore.

Mendoj se nëse do të ishin vendosur akoma edhe më shumë kosha dhe ndoshta ndonjë masë ndëshkimore për të gjithë njerëzit që nuk i hedhin mbeturinat në vendin e caktuar, atëherë edhe njerëzit do të ishin të shtrënguar edhe do të detyroheshin t’i hidhnin mbeturinat në koshin e plehrave”, – thotë ajo për Citizens Channel.

Alina Xhani, nxënëse e shkollës së mesme “Ibrahim Kodra”

Sipas Xhanit, ndërhyrja institucionale do të kontribuonte pozitivisht jo vetëm në aspektin mjedisor dhe shëndetësor, por edhe në atë ekonomik.

Gjithashtu, mendoj që edhe për mjedisin, në aspektin ekonomike do të ishte diçka më e mirë nëse mjedisi do ishte i pastër dhe nuk do të kishte kaq shumë mbetje. Nëse dikush që vjen të investojë në një mjedis të caktuar, kur shikon një vend që është i pastër, atëherë mendon qe mund të ngrejë një biznes të vetin në atë vend”.

Për më shumë se katër orë, dhjetëra thasë u mbushën me shishe plastike, materiale ndërtimi, lodra fëmijësh dhe sende të tjera, të cilat e kishin kthyer bregun e lumit në një pirg plehrash. Pas aksionit, bregu mori një tjetër pamje.

Dikur ujë i pijshëm, sot një lumë që transporton plastikë dhe mbeturina

Gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit, shirat shkaktojnë daljen e lumit nga shtrati, duke sjellë përmbytje, ndërkohë që në verë, aroma e rëndë kushtëzon dhe veprimtarinë brenda mjediseve të shtëpisë, shprehen banorët.

Qamil Hyka, së bashku me bashkëshorten e tij, zotërojnë një shtëpi me një bahçe të madhe, por në verë, shpesh detyrohen të “ngujohen brenda”.

Në kohën e verës, kemi hyrë brenda, në vend se me ndenjt këtu. Kemi mbyll dyer e penxhere sepse nuk u durojte era. Erë e rrjedhjes së Tiranës. Ka ndiku për keq në frymëmarrjen tonë. Dimrit, vijnë mbeturina siç i keni pa edhe ka përmbytje shumë. Sa herë bien shira të rënda, deri në malësi, në Tiranë, në Kashar, i shoqërojnë kaj herë edhe me hapje rezervuaresh edhe lumi del në breg”, – pohon Hyka për Citizens Channel.

Ai rrëfen se familja e tij është zhvendosur afër lumit të Gjolës, pjesë e Ishmit, 80 vite më parë. Dikur uji i pastër i asaj rrjedhe shërbente për ujë të pijshëm dhe për vaditje por pas rënies së diktaturës, situata ndryshoi.

Qamil Hyka, banor

Kemi qenë kaq të lumtur, kaq mirë në këtë vend këtu… se është vend i mrekullueshëm. Lumi ka qenë shumë i pastër që edhe ujë mund të pijë në të. Sepse ky lumë ka shumë burime nëntokësore që dalin mbi sipërfaqe edhe lumi ishte i kulluar. Le rrobat që i lajte shumë bukur se ne dikur s’kemi pas shpime, s’kemi pas ujë. Atje te lumi shkojshim edhe për të la”, – kujton Qamil Hyka.

Ai vetë i hedh mbeturinat në atë rrjedhë, pasi afër zonës ku ai banon, nuk ka kosh plehrash.

Edhe populli vetë mbeturinat këtu i hedh, se s’ka ku t’i çojë më. Se këtej në fshat në periferi, nuk ka kosha plehrash që të hedhin mbeturinat. Detyrohen njerëzit t’i hedhin ku ka vend bosh, ku ka vend të ulët. Edhe ne vetë, gjithë kjo lagje, këtu i kemi hedh. I merr uji kur vjen po uji le edhe pjesën e vet”.

Baseni i Ishmit, një bombë ekologjike

Inxhinieri i mjedisit, Lulzim Bauman, e ka konsideruar basenin e Ishmit një bombë ekologjike. Përgjatë këtij baseni, që është përcaktuar më i ndoturi në vend, jetojnë rreth 30% e shqiptarëve, informoi ai.

Në muajin korrik, Bauman ka hartuar një manual praktik për eliminimin e mbetjeve, duke e ndarë lumin në nëntë zona. Në çdo zonë u përcaktua me foto edhe analiza ndotja që vjen nga secila bashki.

Bashkia Tiranë rezulton ndotësi kryesor i këtij lumi, ndjekur nga Bashkia e Vorës edhe ajo e Kamzës. Gjetjet e studimit tregojnë se ka mungesë të theksuar të koshave ku mund të hidhen mbeturinat dhe në rastin kur ekzistojnë, ato ndodhen larg vendit të hedhjes së mbetjeve. Po ashtu monitorimi dhe pastrimi i zonës nga bashkitë përgjegjëse është jo ekzistent, thuhet në këtë monitorim.

Burimet kryesore të ndotjes janë: detergjentet larës, ujërat e zeza, ujërat industriale dhe mbetjet e ngurta.

Metalet toksike që derdhen në basenin e Ishmit tejkalojnë vlerat standarde të Bashkimit Evropian shumë herë, shpjegoi për Citizens Channel inxhinieri Bauman, si për shembull niveli i kadmiumit është 102 herë më shumë se standardi i BE-së, ndërsa niveli i plumbit, 87 herë më shumë se niveli standard i BE-së.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW