Citizens.al

Qeveria po shqyrton projektin e ishullit të Sazanit, Ministria e Mbrojtjes: Është ende zonë ushtarake

Ishulli i Sazanit, ku pretendohet se do të ndërtohet një resort luksoz nga Jared Kushner, dhëndri i ish presidentit amerikan Donald Trump, është pronë e ushtrisë shqiptare. Projekti u bë publik pak javë më parë në media dhe tregonte një resort të madh vilash që kërcënon Sazanin.

“Ishulli i Sazanit përfshihet brenda Planit te Vendosjes dhe Përhapjes së FA-së dhe shërben në interes të përmbushjes së misionit dhe detyrave të Forcave të Armatosura të RSH”, – i tha Ministria e Mbrojtjes, në një përgjigje me shkrim Citizens.

Ndërsa ndryshimet e fundit ligjore për Zonat e Mbrojtura i kanë hapur rrugë ndërtimeve në këto zona, është ende e paqartë se si do të vijojë investimi në ishullin e Sazanit, pasi ai gëzon statusin e zonës ushtarake.

Por duket se interesi për të zhvilluar këtë zonë ka vënë në lëvizje institucionet. Ministria e Mbrojtjes sqaron se ndonëse nuk ka ende një kërkesë zyrtare për zhvillimin e ishullit, bëri me dije se Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) i ka dërguar një shkresë, ku i kërkon më tepër informacion për zonën.

Nuk ka kërkesë nga institucionet e tjera shtetërore apo private për tjetërsimin e Ishullit të Sazanit”, – tha Ministria e Mbrojtjes.

Edhe Ministria e Turizmit u shpreh se nuk ka pasur kërkesë për zhvillim pranë kësaj ministrie.

Ndërsa AIDA tha për Citizens se pranë kësaj agjencie ka mbërritur një kërkesë për investim.

“Pranë AIDA është paraqitur një shprehje interesi nga kompania “Atlantic Incubator Partners LLC”. Kjo kërkesë ka ardhur me datë 27.12.2023”, tha AIDA për Citizens, duke shtuar se nuk është paraqitur ende asnjë projekt investimi, por vetëm shprehje interesi.

“Aktualisht, projekti në fjalë është në proces asistimi pranë institucionit tonë dhe jemi duke vlerësuar të gjitha kriteret ligjore që parashikon legjislacioni për investimet strategjike”, tha AIDA, e cila më vonë ka vijuar punën duke iu afruar Ministrisë së Mbrojtjes për më tepër informacion.

Ish-zëvendëskomandanti i Flotës Detare Artur Meçollari e konsideron shkelje të rëndë ndërhyrjen në një tokë që është pjesë e ushtrisë.

Për aq kohë sa prona është në planin e vendosjes së përhapjes nuk mund të jepet për zhvillimin e një projekti tjetër, i cili nuk i takon Forcës së Armatosur”, – komentoi Meçolllari, reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ai sqaron se sipas një vendimi nr. 15 të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, prona përbën aset strategjik të vendit, si e tillë nuk mund të jepet. 

Po ashtu ai përmend një precedent tjetër, që është vendosja në sekuestro e bazës detare të Sarandës, e cila u dha me qira për 20 vjet pa lënë asnjë metër katror për Forcën Detare dhe me kërkesë të SPAKUT dhe me dy vendime të GJKKO dhe Gjykatës së Lartë është vendosur në sekuestro.

“Sepse ka cënuar sigurinë kombëtare, marrëdhënien me NATO-s dhe misionin e forcës detare”, tha Meçollari duke shtuar se e njëjta praktikë vlen edhe për Ishullin e Sazanit.

Citizens raportoi më herët se si qeveria po shtron rrugën ligjore për vijimin e këtij investimi. 

Pas ndryshimeve ligjore në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ku Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) merr në dorë vendimmarrjen brenda zonave të mbrojtura, qeveria bëri një tjetër ndryshim. Këshilli Kombëtar i Territorit kthehet në Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) duke marrë kështu kompetenca vendimmarrëse edhe për zonat detare.

Ndër detyrat e KKTU-së është edhe “përcaktimin dhe ndryshimin e regjimit të zonave të mbrojtura të shpallura në rastet e pashmangshme dhe kufijve të tyre”.

KKTU shndërrohet kështu në përcaktuesen e projekteve apo mënyrës së zhvillimit të Zonave të Mbrojtura dhe hapësirave detare.

Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, për shkak të vlerave të jashtëzakonshme natyrore që mbart, u shpall zonë e mbrojtur për herë të parë më 2010 dhe është shtëpia e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare, ku një pjesë e tyre janë dhe lloje të rrezikuara.

Ishulli i Sazanit, shtëpia e specieve të rralla është një territor me sipërfaqe 5.7 kilometër, i cili sot referuar Ministrisë së Mbrojtjes vijon të jetë pjesë e pronave të ushtrisë. Ishulli u shpall në vitin 2010 u shpall park i mbrojtur.

Deri në vitin 2015 ka qenë një ishull i izoluar që ka shërbyer vetëm për stërvitje dhe operacione ushtarake. Në vitin 2015 u hap për herë të parë për vizitorët.

Në vitin 2019 pati një kërkesë nga  Shoqëria “Hotel Regina-Group” për zhvillimin e ishullit, e cila u rrëzua pasi binte ndesh me ligjin për  Zonat e Mbrojtura ku ndaloheshin zhvillime të kësaj natyre.

Ndërsa sot kjo është e mundur, pasi ligji i ri nuk i mbron më zonat e mbrojtura.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW