Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pedaluesit rrezikojnë jetën; Eksperti: “50 % e ndërtimeve në Tiranë të gabuara”

Autore: Sabina Veizaj | Citizens Channel

Ferdi Bregu, sipërmarrësi në prodhimin e akullores në Tiranë, do ditë më parë u gjobit me 1000 lekë pasi po ngiste biçikletën jashtë korsisë.

Në mëngjes tek shkoja në punë me biçikletë si zakonisht, dëgjoj një oficer policie që më thërret , ej o zotëri ! Ndaloj dhe polici më komunikon që si çiklist je në kundravajtje sepse duhet të çikloni vetëm te pista çiklabile!”- tregon për Citizens Channel Bregu, duke vijuar mandej rrëfimin se një qytetari tjetër, në të njëjtën pozitë me të tijën nuk e gjobiti, pasi nuk i ishte përgjigjur thirrjes së policit për të ndaluar, madje e kishte fyer dhe kishte ikur nxitimthi.

Por gjoba 1000 lekë nuk është fatura më e shtrenjtë që paguajnë pedaluesit në Tiranë.

Sipas Bashkisë Tirana ka 42 kilometra korsi biçikletash ekzistente dhe në fazë përfundimi; por të dhënat jo zyrtare tregojnë se në kryeqytet nuk qarkullojnë më shumë se 5 mijë biçikleta dhe problemet me sigurinë e pedalimit nuk janë të pakta.

Alma është tek të 30-at dhe punon në një kompani private që ndodhetlarg nga shtëpia ku banon.

Përpara karantinës, ajo shkonte në punë me autobus. Mandej, ajo vendosi të blinte një biçikletë, të cilën tregon se e ka pasur pasion që e vogël.

“Në verë, kur nuk kishte trafik dhe rrugët më dukeshin sikur ishin pothuajse vetëm për mua, isha shumë e lumtur mbi biçikletë. Gjithçka ishte e thjeshtë. Shkoja në punë për pothuajse 25 minuta. Me fillimin plotësisht dhe intensivisht të aktiviteteve, nisjen e shirave, të shkollave, kuptova se në rrugët e Tiranës, jo vetëm nuk është aq bukur siç e shijova në verë, por herë- herë më kap një frikë e justifikuar. Jo më larg se dje tek kryqëzimi i stadiumit Dinamo isha në korsinë time, semafori jeshil, më preu rrugën makina e policisë. Drejtuesin as nuk e pashë për fytyrë se u tremba, nuk më pa fare. Frenuam gozhdë të dy”– tregon Alma, duke thënë se tanimë duhet të niset për në punë një çerek ore përpara që të mbërrijë në kohë.

Të njëjtën gjë konfirmon edhe vëzhgimi i Citizens Channel nëpër disa rrugë të kryeqytetit që përshkohen nga korsitë e biçikletave. Problematikat që vërehen në këndvështrimin e pedaluesëve duke u nisur nga siguria rrugore janë parkimet e shpeshta të automjeteve në korsitë e biçikletave ku nuk vërehet asnjë polic për t’i larguar ose gjobitur.

Po ashtu koshat e plehrave janë të vendosur në korsi të biçikletave dhe kur vjen maunja për të marrë mbeturinat në 9 të mëngjesit në rrugën e Tiranës së Re, pedaluesit duhet të ndalojnë, të marrin biçikletën në dorë, ose të ngjiten në trotuar ku ecin njerëzit, ose të rrezikojnë në rrugën e makinave. Njëjtë edhe stacioni i autobusit ndodhet sërish tek korsia e biçikletave.

Këto problematika i konfirmon edhe Kleard Rexhepaj i “Bike Doctor Albania“, i cili zotëron një klub pedaluesish, servis dhe dyqan. Rexhepaj organizon edhe ture me biçikleta për vizitorët e huaj në Shqipëri.

“Tirana për personat që nuk janë profesionistë apo nuk kanë shumë eksperiencë pedalimi është shumë e sikletshme sepse nuk arrijnë të manovrojnë dot në këtë kaos. Pavarësisht se po bëhen çdo ditë korsi biçikletash, ka makina që parkojnë në korsi të biçikletave, ecin njerëzit tek korsitë e biçikletave. Drejtues automjetesh që ndalojnë dhe hapin derën tek korsia e biçikletave që shkaktojnë rrezik ta përplasin pedaluesin. Por në të njëjtën kohë, nëse e sheh nga pikëpamja e atyre që ngasin makinën, ne u kemi zënë rrugën atyre. Duhet gjetur një gjuhë e përbashkët kolektive. Unë përdor vetë si biçikletën, makinën dhe motorin. Duhet krijuar një kulturë tolerance dhe kujdesi për tjetrin. Për shembull tek 9 katëshet ku është stacioni i autobusit, tek korsia e biçikletave ke përherë njerëz. Jo vetëm që nuk lëvizin kur i bie borisë, por të shohin edhe shtrembër. Duhet kulturë. Kjo zgjidhet me kulturë”- thotë Rexhepaj.

Kleard Rexhepaj, Bike Doctor Albania

Ai tregon se në Tiranë pavarësisht problematikave dhe mungesës së sigurisë rrugore për pedaluesit, vërehet një ndërgjegje e shtuar për përdorimin e biçikletës si mjet transporti dhe mjet sportiv që të bën mirë për shëndetin.

Rexhepaj thotë se kjo tendencë ka gati 7 vjet që ka nisur, por është rritur shumë gjatë karantinës. Ai vetë ka shitur 250 biçikleta në dy muaj dhe kërkesat vijojnë janë në rritje me gjithë kufizimet e furnizimeve për shkak të pandemisë.

Aksidentet rrugore

Të dhënat zyrtare të disponueshme tregojnë për aksidente fatale me biçikleta.

Statistikat e Policisë së Shtetit tregojnë se në periudhën nga viti 2016 deri në 10-mujorin e vitit 2020 në Shqipëri kanë ndodhur 635 aksidente me pasojë plagosje të lehtë, plagosje të rendë dhe me humbje jete. Nga këto për të njëjtën periudhë, kanë humbur jetën si pasojë e aksidentit me biçikletë 82 persona, janë plagosur lehtë 429 të tjerë dhe 124 syresh kanë marrë plagë të rënda gjatë këtyre aksidenteve.

Viti 2019 shënon numrin më të lartë të viktimave nga  aksidentet me biçikletë, 22. Kurse në 10 muajt e parë të vitit 2020 janë larguar nga jeta 13 persona si pasojë e aksidenteve me biçikletë.

Policia e Shtetit në përgjigje të Citizens Channel, sqaron se “për të gjitha rastet e pasqyruara, kur kanë ndodhur aksidente me përfshirje biçikletat, në 635 aksidente, Policia Rrugore ka referuar në organin e prokurorisë materialet në ngarkim të drejtuesve të mjeteve të përfshirë në këto aksidente. Është në tagrin e prokurorisë të vazhdojë hetimet dhe në bazë të provave i dërgon ato për gjykim pranë gjykatave penale, ku çështjet shkojnë drejt një vendimi sipas të cilit drejtuesit e mjeteve sipas akteve dhe provave dënohen në bazë të dispozitave të Kodit Penal.

Policia e Shtetit shpjegon gjithashtu se në aktivitetin kontrollues dhe parandalues të aksidenteve rrugore, një zë të veçantë ka edhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve për vendosjen e rregullit në trafik në qendrat urbane, e kombinuar kjo edhe me kompentencat edhe me aktivitetin e Policive Bashkiake në qytetet kryesore, të cilt aplikojnë gjoba për parkime të gabuara dhe për zënien e hapësirave publike.

Në raportimet dhe në ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që parkojnë automjetet në korsitë e biçikletave, neni përkatës i Kodit Rrugor është 144/2 dhe neni 155/g [“parkim i gabuar në rrugëkalimet dhe vendkalimet për këmbësorë, në korsitë për biçikleta dhe mjete të ngjashme me to, si dhe në daljet e tyre”]. Numri i masave për periudhën 2016-2020 është në total 357,876 masa për parkime të gabuara dhe për parkime në korsitë e biçikletave, për shkelje të nenit 155/g janë 2654 masa me gjobë.”- bën me dije Policia e Shtetit.

Policia nuk iu përgjigj një kërkese për informacion të Citizens Channel, ku  kërkohej numri i masave administrative ndaj pedaluesve në Tiranë për mos respektimin e korsisë.

A janë ndërtuar korsitë e biçikletave sipas rregullave të sigurisë rrugore dhe konform planit urbanistik?

Eksperti dhe audituesi i sigurisë rrugore Mamir Hodo thotë se në Tiranë korsitë e biçikletave janë ndërtuar gabim. Sipas tij 50% e ndërtimeve të reja në Tiranë, (pallate dhe objekte të tjera ndërtimi) janë ndërtuar keq në kuptimin e sigurisë rrugore dhe duhen prishur, “kjo është e pamundur, por të paktën të mos të thellojnë gabimet”, thotë Hodo për Citizens Channel.

Hodo shpjegon se korsitë e biçikletave nuk duhet të ndërtohen njësh me tokën, por 20 cm lart nga toka në mënyrë që çdo shpërqendrim i drejtuesit të automjetit, sado që të anoj nga e djathta, të mos ketë mundësi të hyjë në korsinë e biçikletave duke dëmtuar çiklistin.

80% e korsive të biçikletave në Tiranë sjellin rrezik. Projektimi ka vend për tu parë. Stacioni i autobusëve nuk duhet të jetë në korsinë e biçikletave, as koshi i mbeturinave. Kurse furnizimi i bizneseve duhet të bëhet pas orës 12 të mesnatës deri në 6 të mëngjesit që të mos sjellë problematikë duke parkuar në korsinë e biçikletave. Këto merren parasysh duke u diskutuar me audituesit e sigurisë rrugore, që ne në Shqipëri jemi vetëm 10 të tillë, por na kanë lënë jashtë loje, nuk na kanë thirrur asnjëherë, se po të na thërrisnin dhe të jepnim mendime, do të ishin të detyruar ti zbatonin”- shpjegon Hodo.

Mamir Hodo, ekspert dhe auditues i sigurisë rrugore

Ai thotë se çdo rrugë duhet audituar për sigurinë rrugore dhe këtë nuk e bën policia rrugore.

“Ka ekspertë për këtë punë. Policët rrugorë vendosen tek pikat e zeza, që përcaktohen pas audititit, pra në akse ku ka më shumë rrezik për aksidente. Nuk ka studime të mirëfillta sepse nuk e bëjnë  punën me seriozitet. Siguria rrugore është një çështje e rëndësisë prioritare sepse ka të bëjë me jetën e njerëzve”, thotë eksperti Hodo.

Ai ngre shqetësimin edhe për pedaluesit e periferisë në zonat e Freskut e Paskuqanit, ku sipas tij nuk ka as ndarëse e jo më korsi biçikletash.

“Nëse nuk e çon dot korsinë deri atje, të paktën vendos kuardrel, mbrojtëse metalike anësore. Është me rëndësi për jetën e njerëzve. Ata janë të rrezikuar. Nëse promovon biçikletat duhet të bësh korsi me standard dhe të nxisësh kulturën e respektimit të tjetrit. Ka mungesë edukate ndër njerëz, si në drejtues automjetesh, biçikletash dhe këmbësorë. Duhet krijuar një edukatë shoqërore për të respektuar njëri-tjetrin.”– sqaron eksperti Hodo.

Kurse urbanisti Gentian Kaprata shkon më tej duke menduar që Tirana nuk është më qytet në aspektin urbanistik.

Banorët e sotëm të gjithë shtrirjes ndërtimore Tiranë – që nuk e kuptoj pse e quajnë qytet – tolerojnë “magjistarin” e radhës, t’jua bëj qytetin si jashtë shtetit pa e vrarë mendjen për dobishmërinë konkrete të gjërave! Pavarësisht se jetojnë në fjetore të kithta dhe me një pafundësi mungesash e disbalancash, banorët e sotëm të qytezës së djeshme, nuk kanë asgjë për të kundështuar nga projekti poetik për të përgjysmuar gjerësinë asfaltike të rrugëve kryesore të Tiranës! Për ta mjafton që fjetorja e tyre “njësoj” si qytetet e mëdha perëndimore ka korsi të dedikuar bicikletash. Mirëpo shtatori, së bashku me domosdoshmërinë racionale të lëvizshmërisë urbane, vjen gjithmonë, dhe kënaqësia për tu dukur si jashtë shtetit i lëvendin vuajtjeve të përditshme në trafikun e agravuar të qytetit”,- thotë Kaprata.

Gentian Kaprata, urbanist

Në fakt, vijon ai të sqarojë, ky është gjithë thelbi i këtij ekuacioni menaxhues, dhe pikërisht për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve janë zhvilluar teknikat e urbanistikës.

Është shumë e thjeshtë të thuhet se lëvizja biçikliste sjell shumë të mira për qytetarët dhe qytetin, por, tregon ai, thelbi është si të gjesh mënyrat dhe rrugët që lehtësimi i kësaj alternative të lëvizjes të mos vështirësojë alternativat e tjera.

Për Kapratën, të shtosh problemet dhe disbalancat në qytet duke vështirësuar praktikat e përditshme të lëvizshmërisë qytetare, nuk mund të justifikohet nga asnjë përfitim imagjinar. Duhet të kuptojmë, dhe ta bëjmë sa më shpejt, thotë ai, se synimi final i administrimit lokal është përmirësimi i cilësisë urbane të jetesës së qytetarëve, jo krijimi në mendjen e një pjese prej tyre të imazheve të rreme se ‘Tirana po bëhet si jashtë shtetit’!

“Imazhet e rreme janë gënjeshtra të bukura që veniten sapo të vërtetat e shëmtuara bëhen prezente në jetën reale, dhe korsitë e bicikletave po na zhgënjejnë. Lehtësimi i lëvizjes bicikliste, dhe në këtë kuptim shtimi i numrit të qytetarëve që e përdorin këtë lloj transporti qytetas, mund të jetë i skuksesshëm vetëm nëpërmjet një procesi të gjatë për implementimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të qytetit.

Sipas Gentian Kaparatës, ky proces duhet të mbështetet në tre kushtëzime thelbësore:

  • Së pari, procesi duhet të jetë aq i gjatë sa të shkojë paralel me kohën që kulturalisht qytetarët të përvetësojnë gjerësisht këtë mënyrë lëvizjeje;
  • Së dyti, Plani duhet të jetë hartuar duke përfshirë të gjitha mënyrat alternative të lëvizshmërisë urbane dhe jo vetëm atë biçikliste;
  • Së treti, Plani duhet të projektojë një Tiranë policentrike, me theksin te rrjetet e transportit dhe blloqet mikse urbane.

“Çdo mënyrë tjetër, veçanërisht rruga që ka zgjedhur administrata e sotme, mund të prodhojë vetëm dështim për synimin dhe zhgënjim e vuajtje për qytetarët, ose në rastin më të mirë, ndonjë medalje ndërkombëtare për kryebashkiakun Veliaj,”– thotë urbanisti Kaprata.

Së fundmi një turbullirë tjetër në radhët e qytetarëve të Tiranës, të atyre që drejtojnë një automjet ka sjellë ngushtimi i korsisë tek Rruga e Durrësit ku edhe aty është ndërtuar korsia e biçikletave, që për ekspertin Hodo është e gabuar sepse, shpjegon ai, për 5000 biçikleta nuk mund të ndërtosh kaq shumë korsi, “mbi të gjitha pa standarde dhe pa krijuar një kulturë lëvizjeje tek të gjithë dhe pa ulur numrin e makinave në qarkullim që të lindë natyrshëm zëvendësimi i automjeteve me biçikleta brenda Tiranës duke patur parasysh që çlirimi i gazit në ajër në Tiranë është 3-4 fish mbi normën mesatare evropiane”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *