Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

8-Marsi, manifestim për punën e papaguar të grave dhe barrën e pandemisë

Në ditën ndërkombëtare të 8–Marsit, vajzat dhe gratë u bënë bashkë në sheshin “Skëndërbej”, për të shprehur njëzëri problematikat dhe sfidat e tyre të përditshme.

Duke respektuar masat anti-Covid, në distancë dhe me maska ata shpalosën banderolën e kuqe me nënshkrimin: “Për gratë, me gratë”.

“Ata thonë është dashuri, ne themi është punë e papaguar”, “Patriarkat, pandemi, pabarazi”, “Refuzoj punët e shtëpisë”, “Edhe liri edhe orgazëm”, ishin disa nga thirrjet gjatë manifestimit.

Për gratë që nuk ishin në shesh

Shumë nga aktivistet feministe u shprehën se mesazhi dhe prezenca e tyre në shesh u dedikohet grave që nuk mundën t’i bashkoheshin organizimit të sotëm.

“Shpresojmë që ne të jemi zëri i atyre grave që janë sot në fshat, që janë sot me Covid, që janë sot të papuna”,- tha Dorela Lazaj.

Deni Sanxhaku e cilësoi këtë ditë si një mundësi për të fituar sa më shumë të drejta, të munguara.

“Jemi këtu edhe për ato gra që e kanë të pamundur për të qenë këtu edhe për gratë e periferisë, edhe për gratë të cilat janë të mbyllura sot në fasoneri dhe e kanë të pamundur të bojkotojnë punën, edhe për ato gra të cilat janë të mbyllura me dhunuesit e tyre brenda shtëpive, për t’ju dhënë një mesazh solidariteti, për t’ju dhënë një mesazh inkurajimi, për t’ju thënë që ne jemi këtu me ju”, – u shpreh Sanxhaku.

Kundër shtypjes së grave, në të gjitha nivelet

Fjalimet e mbajtura sot në shesh iu referuan problematikave të të gjitha sferave, duke u ndaluar edhe tek vështirësitë gjatë izolimit, duke i cilësuar gratë si “peshëngritëset e pandemisë”.

Irena Shtraza

“Janë ato që kanë mbajtur këtë vit pandemie barrën më të madhe të kësaj shoqërive. Gratë nuk munden më të mbajnë një barrë të tillë. Barra është e përbashkët, familja është e përbashkët, fëmijët janë të përbashkët”, – deklaroi për Citizens Channel, Irena Shtraza nga AWEN Network.

Patriarkat, Pandemi, Pabarazi, ishin edhe tre PPP (marrë nga Partneriteti-Publik-Privat) e grave përgjatë këtij viti.

“Protestojmë për ndarjen e punëve të shtëpisë,  për paga të barabarta dhe kundër diskriminimeve gjinore dhe seksizmave që kemi në ambientet e punës dhe në shoqëri kudo që jemi”,- citoi Misuela Shimaj.

Gratë rome, egjiptiane dhe transgjinore, më të diskriminuarat

Gratë transgjinore dhe rome janë ato të cilat hasin më shumë vështirësi pranimi në shoqëri, duke pasur edhe më pak akses në të drejtat dhe liritë e tyre.

“Duke qenë një person trans, ndonjëherë midis dy botëve, i kuptoj të dyja rolet gjinore shumë mirë dhe konkluzioni që kam arritur është që e gjithë gjëja është një iluzion, e rëndësishme është të jemi të barabartë, të lirë”, – shpjegon Lola.

Ndërsa Anxhela pranon se si transgjinore është ndjerë shpesh herë e përbuzur dhe përmend se ai komunitet, bashkë me atë rom dhe egjiptian, janë grupimet më të diskriminuara në shoqëri.

“Nuk jam një feministë që dua ta marr, ta komandoj botën por jam një feministë që dua të jetoj në një vend ku mbizotëron harmonia”, – përfundon Lola.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *