Citizens.al

Qeveria shqiptare ende larg zotimit për integrimin e komunitetit Rom në administratë

Integrimi dhe përfshirja e anëtarëve të komunitetit rom në sektorin publik mbetet ende një realitet i largët.

Në një takim të mbajtur në kuadër të javës Rome për ecurinë e “Deklaratës së Poznanit” në Shqipëri, aktivistë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe zyrtarë shtetërorë diskutuan për kushtet në të cilat ndodhen sot anëtarët e komunitetit rom.

“Ne do të duhet të mendojmë tashmë edhe për ato breza të ardhshëm, të cilët nuk e shohin veten e tyre duke bërë vetëm punë siç është sektori i pastrimit apo fasoneria, apo puna informale. Ne duam që të jemi më të organizuar që të kërkojmë edhe disa të drejta, të cilat janë kryesisht për studentët, që përfundojnë një arsim, kanë një formim të caktuar, janë të denjë për të bërë një punë në administratën publike dhe mund të jenë ekspertë shumë të mirë edhe të kauzës, edhe të çështjes”,- u shpreh Romina Sefa, aktiviste dhe drejtuese e Qendrës për Advokim Social.

Deklarata e Poznanit u nënshkrua nga Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2019, në një samit të mbajtur në Poznan të Polonisë. Qeveritë e vendeve të Ballknait Perëndimor u zotuan asokohe për të arritur punësim, edukim, strehim, regjistrim e përkujdesje shëndetësore për komunitetin rom. Mes tyre edhe forcimin e strukturave kundër diskriminimit.

Megjithatë, pesë vite pas këtij zotimi, të drejtat e komunitetit rom janë ende të pasiguruara.

“Kemi një shifër shumë minimale të romëve që janë punësuar në administratë për shkak të kritereve. Një shumicë e konsiderueshme romësh që kanë përfunduar arsimin e lartë, por niveli i konkurrencës për të qenë në administratë i skualifikon”,-shprehet për Citizens Channel, Manjola Veizi nga Qendra për të Drejtat e Gruas Rome.

Mungesa e statistikave për punësimin e këtij komuniteti, është një tjetër sfidë. Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Etleva Sheshi, u shpreh se për aq kohë sa vetëdeklarimi i përkatësisë etnike nuk është i detyrueshëm gjatë procesit të rekrutimit, nuk mund të ketë statistika të sakta.

“Ne kemi kërkuar nga Ministria e Arsimit se sa anëtarë të këtij komuniteti janë drejtues të shkollave, na kanë vënë dispozicion vetëm ato të dhëna, të cilat ata vetë i kanë deklaruar. Nëse unë nuk e kam deklaruar që jam egjiptiane, ato nuk kanë se si ta zbulojnë këtë pjesë”,-deklaroi Etleva Sheshi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sipas aktivistëve, vetëm 10 persona të komunitetit rom kanë arritur të aplikojnë në administratën publike. Shifër kjo e ulët, mirëpo nuk ka pasur asnjë pranim nga këto aplikime.

Për Keida Metën, përfaqësuesen e Drejtorisë së Administratës Publike, tentativat për të aplikuar nuk duhet ti dekurojojnë ata që i përkasin këtij komuniteti.

“Sa nga anëtarët e komunitetit kanë tentuar të bëhen pjesë të paktën nëpërmjet DAP-it për tu bërë pjesë e shërbimit civil? Më dha një shifër që mos gaboj ishte 10 persona, që në fakt më erdhi shumë keq dhe ajo që thashë me shumë sinqeritet ishte që nuk duhet të dorëzohen në tentativën e parë”.

Ndërsa kërkesës për vendosjen e kuotave për komunitetin në sektorin publik, iu përgjigj se cenon cilësinë e procesit.

“Mënyra si rregullohet shërbimi civil është që aftësitë profesionale janë ato të cilat testohen në fund fare. Kështu që vendosja e asaj kuote mendoj që do ta cenonte të gjithë cilësinë e procesit. Pastaj ndoshta nuk do të flasim dot më për një administratë profesionale, ndoshta nuk do të flisnim për cilësi shërbimi dhe ndoshta kjo edhe besimin e publikut te institucionet do ta ulte”, deklaroi Keida Meta.

Për aktivistët e pranishëm, në rastin kur nuk jemi në kushte të barabarta, të dhënit mundësi të barabarta nuk ka vlerë. Ndaj duhet të ketë një diskriminim pozitiv, me qëllim që të ndihmohet komuniteti drejt punësimit.

“Romët, pavarësisht aftësisë duhet tu japësh një dorë për ti integruar, sepse kanë një disavantazh të trashëguar qoftë edhe në ato rezultatet mësimore dhe atë romin ose romen apo egjiptianen që të vjen në shkollë dhe të del me mesatare 7-të, ka bërë një përpjekje madhore, kundra kaq shumë pengesave për të arritur aty sa ty nuk ta merr mendja dhe kur të vijë në punë do t’i japi shpirtin asaj pune”,- u shpreh Vasilika Laçi, aktiviste.

Sipas Robert Gajdës, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, arsimi, punësimi dhe strehimi janë probleme reale të komunitetit, për të cilat duhet punuar më shumë.

“Ne akoma paraqesim disa problematika të cilat janë bërë tashmë të mprehta që lidhen nga njëra anë me segregimin në shkolla të komunitetit rom dhe minoritetit egjiptian, por edhe me një cilësi të mësimdhenies në lidhje me këto shkolla. Nga ana tjetër mbetet problemi i strehimit, ku akoma kemi shumë familje rome dhe egjiptiane që jetojnë nëpër ish-ndërmarrje apo ish-kapanone, të cilat në pjesën më të madhe jetojnë në kushte c’njerëzore, pra i mungojnë shërbimet esenciale, për tu konsideruar të paktën banesa”.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW