Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Uzina e superfosfatit, dikur krenaria e Kurbinit, sot një varrezë mjedisore

Ish-uzina e superfosfatit, e përuruar më 1967, gjatë regjimit komunist cilësohej si “krenaria e qytetit”, ndërsa sot nga ky objekt trashëgojmë vetëm mbetjet kimike.

Emarilda Leti, koordinatorja e qendrës rinore “Sebastia”

“Është një varrezë mbi tokë dhe e shëmtuar për komunitetin” shprehet Emarilda Leti, koordinatorja e qendrës rinore “Sebastia”.

Sipas të dhënave nga Programi i Mjedisit i Kombeve të Bashkuara (UNEP) në territorin e uzinës janë depozituar rreth 300.000 ton mbetje të pasura në hekur, të shpërndara në një sipërfaqe 38 hektarë.Në mostrat e marra nga mbetjet konstatohet prezencë e arsenikut dhe bakrit, të dy elementë të rrezikshëm për shëndetin e njeriut.

Sipas ekspertëve të UNEP ujërat e shiut mund t’i filtrojnë këta elementë lehtësisht në shtresat ujëmbajtëse nëntokësore, e më pas në puset e banorëve të fshatit. Të njëjtat të dhëna paraqiten edhe në një Vlerësimin Mjedisor Strategjik të Bashkisë Kurbin.

Citizens Channel kontaktoi me Bashkinë Kurbin për t’u informuar nëse ka pasur matje apo studime të reja mbi ndotjen, apo një plan për rehabilitimit e zonës, por institucioni, edhe pse kanë kaluar 18 ditë pritjeje, nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion.

Të rinjtë e Kurbinit kërkojnë demontimin dhe rehabilitimin e ish uzinës

Aktivistët e qendrës rinore “Sebastia” kanë krijuar një peticion online të quajtur “Meritojmë të jetojmë në një vend të sigurtë”. Deri tani peticioni ka arritur në 360 firma.

Peticioni online

Elton Laska, ekspert ligjor, tregon se shpesh aktivistëve marrin “kritika” se pse një nismë e tillë është ndërmarrë tani dhe jo më përpara duke qenë se uzina ka mbi 20 vite që është jashtë funksionit.

“Duke patur parasysh kontaktet me banorët, që kafshët e tyre nuk rriten normalisht, imagjinoni pastaj sesi rritet shëndeti dhe fëmijët e tyre” shpjegon Laska.

Pavarësisht heshtjes institucionale, aktivistët kanë shpresë së zona jo vetëm mund të rehabilitohet por të shndërrohet edhe në një atraksion turistik, si një provë historike, njerëzore.

“Mund të kthehet në një zonë muzeale, ku të mund të pasqyrohet i gjithë investimi dhe kapitalet të cilat i kanë dhënë këtë emër qytetit të Laçit dhe zonës së Kurbinit” përfundon Laska.

Ish-Uzina, një burim i rrezikshëm mbijetese 

Në shkurt të 2013, 18 – vjeçari Gjin Lleshaj humbi jetën pasi një masiv gurësh e zuri poshtë teksa gërmonte për skrap. Tragjedia u përsërit serish më qershor të 2018, ku për të njëjtën arsye humbën jetën dy të rinj Kurbinas, Dashamir Jahja dhe Drilon Lamaj.

Aktivistja Rodona Bundo tregon se papunësia e madhe në zonën e Kurbinit dhe përreth i detyron të rinjtë ta shohin uzinën si një burim të ardhurash.

Rodona Bundo, aktiviste

“Zona përreth uzinës të gjitha fshatrat janë shumë të varfëra, njerëzit vuajnë në skamje, vuajnë edhe për bukën e gojës. Këtu jo vetëm në 2018, por vazhdimisht qëllon që fëmijë dhe të rritur humbin jetën”, rrëfen Bundo.

Një studim i PNUD llogariti se një ndërhyrje me 16.7 milion euro zona mund të rehabilitohej, por deri tani nuk është ndërmarrë ende asnjë iniciativë për ndryshimin e situatës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *