Citizens.al

Albcontrol, shoqëria miliardëshe që shpenzon më shumë se fiton

Pas një ditë ndërprerje, mesditën e djeshme nisën fluturimet më të rëndësishme në aeroportin “Nënë Tereza”. Në një deklaratë për shtyp, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të qartë kategoritë e fluturimeve që u kryen dje, ndërsa njoftoi se do të vijonin edhe fluturimet e udhëtarëve.

“Në këto momente në aeroportin e Rinasit do të nisin fluturimet esencialë dhe ato që futen në këtë kategori janë fluturimet humanitare, emergjente ato shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarakë. Ju njoftoj që kemi arritur që me një përpjekje të madhe të ruajmë sasinë e konsiderueshme të vaksinave që duhet të vinin dje por që është bllokuar për shkak të kësaj greve dhe do të vijë sot rreth orës 15:00 ku më pas do të nisë shpërndarja sipas planit”,-u shpreh ministrja.

Po ashtu, 100.000 vaksina kundër virusit COVID-19 mbërritën pasditen e djeshme. Ardhja e vaksinave u konsiderua nga qeveria si një vonesë e shkaktuar për shkak të grevës së kontrollorëve të trafikut ajror.

Prej dy ditësh tanimë, aeroporti qëndron i mbyllur nga greva e kontrollorëve të trafikut ajror e shprehur ndryshe edhe si “pezullim pune” për shkak të gjendjes së stresuar në të cilën ndodhen, pikë kjo konform ligjit. Po ashtu greva e tyre erdhi edhe për shkak të largimit nga puna të dy prej kolegëve të tyre dhe për shkurtim të pagave krahasuar me periudhën para pandemisë.

Gjatë mbrëmjes së të mërkurës policia mori në pyetje disa prej kontrollorëve ndërsa tre prej tyre u ndaluan për të dalë përpara gjykatës.

Sindikata e Kontrollorëve Evropianë të Trafikut Ajror: “Lironi menjëherë kolegët tanë shqiptarë!”

Pas reagimit të Sindikatës Evropiane të Kontrollorëve të Trafikut Ajror (ATCEUC), ku është bërë me dije situata në të cilën ndodheshin kontrollorët shqiptarë, me anë të një komunikimi tjetër ATCEUC ka bërë thirrje për lirimin e kolegëve shqiptarë.

“ATCEUC ka humbur të gjitha kontaktet me kolegët tanë shqiptarë dhe është thellësisht e mërzitur nga ky zhvillim dhe e shqetësuar për mirëqenien e tyre, ne kërkojmë që autoritetet shqiptare të lirojnë menjëherë kolegët tanë”,-thuhet në deklaratë.

ATCEUC shprehu shqetësimin për mënyrën se si po trajtoheshin kontrollorët shqiptarë në një vend i cili aspiron të bëhet anëtar i BE-së.

Në një vend që aspiron të bëhet anëtar i BE është e papranueshme që punëtorët thelbësorë, të rëndësishëm për sigurinë mund të pushohen nga puna dhe përfundimisht të arrestohen thjesht për kryerjen e detyrave të tyre në përputhje me rregulloret e BE ose për transmetimin e shqetësimeve të tyre publikisht kur punëdhënësi i tyre refuzon të dëgjojë ose angazhohuni me ta, një punëdhënës që në fund të fundit është përgjegjës për sigurinë e pasagjerëve që udhëtojnë nëpër qiellin shqiptar”,-thuhet më tej në deklaratë.

Ndërsa i ka bërë thirrje institucioneve të BE-së të ndërhyjnë për të ndihmuar Shqipërinë në marrëdhënie me shtetasit e saj.

‘Albcontrol-i hapësirës ajrore” 

Albcontrol është një shoqëri aksionare SH.A që ofron shërbime të navigimit ajror në hapësirën ajrore dhe në aerodromet civile të Shqipërisë. E themeluar që prej dhjetorit të vitit 1998, kjo shoqëri aksionere është në pronësi publike të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Duke qenë një kompani në pronësi publike anëtarët e saj të bordit janë po ashtu persona me funksione publike, si Besart Kadia, Albana Koçiu, Mirlinda Karçanaj etj.

Prej themelimit të kësaj kompanie në krye kanë qëndruar 7 drejtues duke nisur me Besnik Leskaj, Petrit Sulja, Arben Xhiku, Lilika Radovicka, Ferdinand Shehu, Belinda Balluku dhe së fundmi administratorja Mina Kusta.

Në vitin 2017, me urdhër të Ministrisë së Financanve dhe Ekonomisë kur ministër ishte Arben Ahmetaj, u bë i mundur zmadhimi i kapitalit të shoqërisë.

Të ardhurat rriten ndërsa Albcontrol mbyll vitet me humbje

Referuar të dhënave të grumbulluara nga Open Procurement, të publikuara fillimisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Albcontrol ka pësuar humbje jo vetëm përgjatë pandemisë (sikurse u tha përgjatë këtyre ditëve), por që prej vitit 2018.

Në vitin 2014 fitimet e kompanisë ishin 26 miliardë lek. Shifër kjo, e cila vjen në ulje në vitin 2015 në afërsisht 7 miliardë lek, për të pësuar sërish rritje deri në vitin 2017. Ndërsa në vitin 2018 fitimi shkon në ulje në rreth 13 miliardë lek. Viti 2019, i cili është edhe viti i fundit për të cilin janë publike bilancet ekonomike, llogaritet të ketë fitim prej 28 miliardë lekësh, më shumë se viti 2018, por më pak krahasuar me vitet e mëparshme.

Burimi: Open Corporates.al

Të ardhurat e kompanisë për vitin 2019 ishin 356 miliardë lek, shifër kjo e rritur gradualisht me kalimin e viteve.

Burimi: Open Data Procurement

2.5 miliardë trajnime, shpenzime personeli dhe “të tjera”

Referuar të dhënave financiare të vitit 2019, një pjesë e konsiderueshme e parave shkojnë për shpenzime personeli, me një shifër prej 1.3 miliardë lekësh. Megjithatë nuk jepet një sqarim i detajuar i shpenzimeve. Ndërsa 1.2 miliardë lekë shkojnë për kategorinë “shpenzime të tjera” pa specifikuar llojin e tyre.

Të ardhurat e Albcontrol sipas deklaratave të ditëve të fundit kanë pësuar ulje për shkak të situatës pandemike dhe uljes së numrit të fluturimeve përgjatë vitit 2020. Arsye kjo edhe për përgjysmimin e pagave të kontrollorëve u shpreh ministrja Balluku në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën e 8 prillit.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW