Ekspertë, aktivistë dhe gazetarë zhvilluan një webinar online të shtunën pasdite të fokusuar në ato që i cilësuan si sulmet e paprecedenta që po ndodhin ndaj trashëgimisë kulturore së fundmi.
Takimi “Këmbana për Trashëgiminë” kishte si qëllim jo vetëm dokumentimin e shkatërrimit të një sërë monumentesh kulturore, por edhe sensibilizimin qytetar për krijimin e një qëndrimi të përbashkët.
Diskutimi u moderua nga aktivistët Ervin Goci, Doriana Musai dhe Lindita Komani.
“Jo një alarm, është më shumë se një alarm, jemi në një vdekje të vazhdueshme të trashëgimsië kulturore”,- kështu e nisi fjalimin e tij, arkeologu Neritan Ceka.
Cenimi i trashëgimisë kulturore dhe natyrore në të gjithë Shqipërinë
Akademiku Artan Fuga u shpreh i keqardhur nga ndryshimet arkitekturore që po pësojnë qytete të ndryshme të Shqipërisë, me qëllim për t’i ngjasuar qyteteve evropiane.
“Për shembull, Veliera e vendosur në Durrës, unë që nga ai shesh nuk shoh më detin, nuk shoh më dallgët, nuk shoh më bregun, nuk shoh më perëndimin” citoi Fuga.
Gazetari Artan Rama denoncoi masakrën që po i ndodh njëkohësisht shumë habitateve natyrore si betonizimi i Palasës nga ndërtimi i kompleksit Green Coast, shpyllëzimi i malit të Skëndërbeut, prerja e shelgjeve të famshme të Tepelenës etj.
Arkitekti Kreshnik Merxhani u ndal te rreziku i madh që paraqet ndërtimi i “by-passit” në zemrën historike të Gjirokastrës.
“Shqipërisë i lindin detyrime të informojë UNESCO-n para çdo lloj veprimi, mbi projekte të mundshme apo mbi këtë pasuri ndërkombëtare” shpjegoi Merxhani.
Ligji për trashëgiminë kulturore
Juristja Enida Bozheku e cilëson ligjin mbi trashëgiminë kulturore si teknik dhe problemin e këtij ligjin e shikon në aplikimin e tij.
“Në aspektin ligjor, ligji i trashëgimisë kulturore lidhet me një detyrim të institucioneve përkatëse që nis që me njoftimin paraprak të grupeve të interesit deri në konsultimin publik”,-shpjegon ajo.
Avokati Adriatik Lapaj e përcaktoi kodin tonë penal shumë të varfër në raport me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore materiale.
“Kodi jonë penal duhet të kishte një kapitull të dedikuar me një tërësi nenesh që kategorizonin problematikat përkatëse të trashëgimisë, duke mos lënë vakume ligjore, ku si pasojë sot, nuk mund të ndëshkojmë ata të cilët dëmtojnë trashëgiminë”,- përfundon Lapaj.
Gazetaria mbi çështjet urbane
Gjatë takimit online u diskutua edhe rëndësia e raportimit të këtyre ngjarjeve nga vetë media si një mënyrë për të sensibilizuar publikun për fatin e trashëgimisë.
Gazetarja Alice Taylor tha se vetë media nuk fokusohet aq sa duhet në çështjet e trashëgimisë kulturore sepse janë tema që nuk prodhojnë klikime.
“Ne shpesh si gazetarë injorohemi kur kërkojmë informacion nga institucionet , për këtë arsye duhet të bashkëpunojmë, nuk duhet ta lëmë me kaq, duhet të luftojmë për ta marr atë informacion”,- përfundon Taylor.
Në panelin dedikuar medias u prezantua dhe nisma “Citizens Urban Stories” e Citizens Channel, e cila ka dokumentuar gjendjen e mbi 50 vilave me status monument kulture në Tiranë.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.