“Park Kombëtar, jo park tregtar”, “S’duam HEC-e, po ujin n’lumë”, ishin disa nga thirrjet që shoqëruan marshimit e ditës së shtunë nga banorët dhe aktivistëve e Zall-Gjoçaj, të cilët shkuan drejt digës brenda zonës së mbrojtur, për “të gozhduar” në të imazhet e përfaqësuesve të institucioneve që lejuan dëmtimin e asaj zone.
Fotografia e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mjedisit Blendi Klosi, Zamir Dedejt nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe Agron Malajt nga Bashkia e Matit u ngulën në digën që bllokon rrjedhën e lirë të lumit Flim.
“Këto janë shkaktarë të kësaj masakreje, këta janë përgjegjës të kësaj masakreje. Edhe Kryetari i Bashkisë së Matit, edhe Drejtori i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, edhe Ministri i Mjedisit, edhe Kryeministri që ka firmosur shkatërrimin e një zone të mrekullueshme”, – tha për Citizens Channel Dhimitër Koleci.
Prej më shumë se dy vitesh, banorët e Zall-Gjoçaj e ndjekin kauzën edhe në rrugë ligjore, ku kanë ngritur tre padi në Gjykatën Administrative në Tiranë dhe një padi në SPAK, megjithatë punimet vijojnë.
Ndërtimi i hidrocentralit “Zais” nga kompania “Seka Hydropoëer” është shoqëruar me prerje pemësh, derdhje të inerteve në rrjedhën që shërben si burim për ujë të pijshëm për banorët dhe bagëtinë.
Eksperti mjedisor Abdulla Diku pohon se përfundimi i plotë i digës do të sjellë dëme shumë të mëdha në një zonë si Zall-Gjoçaj, shpallur Park Kombëtar në vitin 1996.
“Dëmet kryesore, përveç peizazhit, është tjetërsimi i rrjedhës së lumit, pra lumi Flim nuk do të ekzistojë më. Është ndër zonat e rralla në Shqipëri ku gjenden gjithë gjitarët e mëdhenj që janë prezentë në faunën e Shqipërisë dhe habitati i tyre rrezikohet seriozisht”, – tha Diku.
Në vitin 2018, kjo zonë u bashkua me Lurën, për të formuar Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës”. Referuar ligjit 81/2017, në Parqet Kombëtare ndalohet ndërtimi i hidrocentraleve, megjithatë po atë vit të bashkimit me Lurën, u miratua dhe ndërtimi i HEC-eve.
“Nuk ka asnjë vend të botës ku shteti tallet me veten në këtë mënyrë”, shprehet Abdull Diku, teksa shpjegon se marrja e ujit mund të jetë fillimi i degradimit të plotë të zonës, ku mund të pasohet me prerjen e pyjeve.
Banorët pretendojnë se tashmë ka filluar prerja e pemëve, duke iu referuar pamjeve të mëposhtme nga terreni.
75-vjeçari Abdi Toçi nga Urxalla, i angazhuar prej më shumë se dy vitesh në mbrojtje të lumit Flim dhe Urakë që preken nga hidrocentrali “Sekë” dhe “Zais”, shprehet se ndër breza kanë vuajtur për ujë të pijshëm, problem që vazhdon të jetë aktual, ndërkohë që qeveritë vijojnë të japin leje për HEC-e.
Këtë protestë, Toçi ia dedikon nënës së tij dhe brezave të ardhshëm.
“Unë ia kushtoj edhe nanës time, ka vdek 98 vjeç, është martu në fshatin Urxallë, ka rrit tetë kalamaj, edhe nuk arriti me la faqet me ujë të rrjedhshëm, por i lau faqet me rrena dhe shkoi në atë botë”.
Vepra “Armiku i Popullit” në Zall – Gjoçaj
Aktivistët e grupit ATA, me veprimtari kryesisht në Kamëz, vunë në skenën e improvizuar anës lumit Flim, veprën e Henrik Ibsen, “Armiku i Popullit”, përshtatur nga regjisorja Anila Balla.
Prej kohësh, ky grup ofron shfaqje teatrale për komunitetet periferike.
“’Armiku i Popullit” flet për korrupsionin, flet për shfrytëzimin, flet për çdo lloj të keqe që mund të ketë politika dhe Zall-Gjoçajt e njëjta gjë i ka ndodhur”, – rrëfen Irena Keçi, aktore në këtë vepër.
Në mbështetje të kauzës së ngritur nga banorët e zonës, ata më pas marshuan drejt digës, teksa këndonin pjesë të veprës “Armiku i Popullit”.
“Mos ji egoist,
Je tepër i nurët për varr,
Mos lër të bëhen krimbat trashëgimtarë”
“Për këtë arsye ne e sollëm në Zall-Gjoçaj, për të mbështetur kauzën dhe për të thënë që ujin kurrë, asnjëherë nuk na e marrin. Sado që të përpiqen, ujin, ajrin nuk mund të na e marrin, këto na përkasin neve”, – përfundon fjalën e saj Irena Keçi.