Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti i “Freedom House”: Shqipëria vijon të ketë rënie të standardeve demokratike

Shqipëria vijon të konsiderohet si një vend me “regjim hibrid apo në tranzicion” sa i përket vlerësimit të demokracisë. Në një raport të publikuar nga organizata Freedom House, Shqipëria zbret me një pikë krahasuar me një vit më parë referuar matjes së demokracisë, duke marrë 46 nga 100 pikë në total.

Raporti i përvitshëm i titulluar “Kombe në Tranzicion” analizon 29 shtete dhe konsiderohet si një barometër, i cili tregon ecurinë e demokracisë bazuar në matjen e disa elementëve sikurse: procesi zgjedhor, shoqëria civile, pavarësia e medias, qeverisja lokale, korrupsioni dhe kuadri ligjor.

Disa prej këtyre elementëve kanë ndryshuar pikë krahasuar me një vit më herët, ku shoqëria civile nga 5 pikë të grumbulluara një vit më parë, këtë vit zbriti në 4.47 pikë nga 7 në total. Kjo rënie, sipas raportit i dedikohet shembjes së godinës së teatrit dhe dhunës që përfshiu protestuesit dhe forcave policore.

Rënie po ashtu ka shënuar pavarësia e medias, nga 3.75 pikë në raportin e vitit 2020 në 3.50 për këtë vit. Kjo rënie e lehtë lidhet me retorikën ngacmuese, ndjekjen penale dhe përhapjen e panikut në fushën mediatike të politikanëve dhe pushteteve ndaj gazetarëve, cilëson raporti.

Citizens Channel në punën si media e angazhuar është listuar disa herë si burim informacioni për raportin e Freedom House të vitit 2020, për problematika si mjedisi dhe situata e medias në Shqipëri.

Qeverisja Kombëtare Demokratike

3.25 pikë nga 7 gjithsej ka marrë hapësira që i është dedikuar qeverisjes demokratike në vend. Kjo gjë lidhet me sjelljen e partive politike dhe institucioneve në vend.

Raporti thekson largimin e opozitës nga Kuvendi duke djegur mandatet, e me gjithë këtë, puna mes qeverisë dhe opozitës parlamentare dhe jashtë saj u përqendrua në ndërtimin e konsensusit për reformën zgjedhore. Reformë e cila nga ndërkombëtarët u konsiderua si e “ngutshme”

“Një raport i përbashkët nga Komisioni i Venecias dhe Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) zbuloi se ndryshimet e PS dhe reformat zgjedhore u miratuan me ngut, dhe se “kushtetuta ndryshimet shkuan kundër rregullave më themelore të hartimit të ligjit demokratik”, thuhet në raportin e Freedom House.

Po ashtu, në raport mes të tjerash përmendet edhe aktivizimi i presidentit Ilir Meta duke u kthyer në një “agjent politik”.

Në Mars, Presidenti Meta akuzoi qeverinë për realizimin e një puçi dhe organizoi një tubim për të protestuar veprimet e PS-së. Akuzat e ashpra u shkëmbyen midis Presidentit Meta dhe Kryeministrit Rama gjatë gjithë vitit”,-citon raporti.

Mungesa e një Gjykate Kushtetuese dhe e një opozite të vërtetë parlamentare si dhe shmangia nga detyrimet sipas Konventës për Mbrojtjen e Lirive Themelore me vendosjen e masave kundër COVID-19 duke kufizuar liritë civile, ishin ngjarjet që shoqëruan sferën politike dhe qytetare, përmend raporti.

Shoqëria Civile 

4.75 nga 7 pikë gjithsej i janë deleguar sferës së shoqërisë civile. Me shqetësim në këtë pikë shihen veprimet e qeverisë, e cila e favorizuar nga pandemia përfitoi të kufizojë liritë civile. E demonstruar kjo edhe me veprimin armiqësor ndaj aktivistëve qytetarë në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

“Pas më shumë se dy vitesh mbështetje publike për të mbrojtur ndërtesën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, në 4.30 të mëngjesit më 17 maj, një forcë e madhe policie bastisi ndërtesën. Imazhet e dhunës joproporcionale dhe të panevojshme nga policia jo vetëm kundër artistëve, qytetarëve dhe protestuesve, por edhe kundër reporterëve që mbulojnë protestën, nxitën kritika të gjera. Qeveria injoroi kritikat dhe madje mohoi vërtetësinë e ngjarjeve që ishin raportuar”. 

Mos lejimi i protestave gjatë pandemisë dhe shoqërimi ne polici i aktivistëve gjatë pandemisë renditen si aspekte negative në raport.

“Midis marsit dhe korrikut, mbi 100 qytetarë dhe aktivistë u akuzuan penalisht për organizimin ose pjesëmarrjen në protesta të paligjshme. Individët u gjobitën disa herë deri në 5 milion lekë shqiptare (44,770 dollarë), mbi 100 herë më shumë se paga mesatare në Shqipëri. Policia shpesh përdorte dhunë jo proporcionale kur shtypte veprime të tjera të shoqërisë civile”.

Raporti thekson se qeveria shqiptare gjatë pandemisë injoroi shumicën e rekomandimeve të shoqërisë civile duke forcuar kontrollin në hapësirën qytetare.

“Për shkak se pandemia prekte më rëndë grupet e margjinalizuara si njerëzit LGBTI +, ndihma e shoqërisë civile për ata që u ndikuan në mënyrë të konsiderueshme ishte jetike. Sidoqoftë, politikat e qeverisë COVID-19, u dhanë policisë kompetenca më të forta në mënyrë disproporcionale, të cilat u abuzuan në disa raste”.

“Pavarësia e medias në rënie”

Pavarësia e medias përgjatë pandemisë në vitin 2020 u kufizua edhe më tej, nënvizon raporti. Fushatat e shpifjeve, sulmet fizike ndaj gazetarëve, vetëcensura pësuan rritje.

“Indeksi i Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij (RSF) dhe vlerësimi i lirisë së medias nga “Article 19” – të dy vëzhgues të lirisë së shtypit – shënuan përkeqësime në peizazhin mediatik të vendit, në të cilin qeveria ka rritur gjithnjë e më shumë kontrollin. Elitat politike dhe ekonomike dhe ndërmjetësit e pushtetit kanë kapur industrinë e medias dhe e kanë keqpërdorur atë për interesat e tyre të ngushta”.

Rritja e padive SLAPP të cilat kryhen nga politikanë apo biznesmenë kundër gazetarëve për arsye të ndryshme ishte fenomen shqetësues për peizazhin mediatik në vend. Duke përmendur këtu paditë ndaj BIRN Albania dhe gazetarit Artan Rama.

Pasojat e pandemisë mbi median ishin të renda hekson raporti, duke sjellë shkurtime pagash për 40% të reporterëve si dhe humbjen e punës për 47 gazetarë.

Ndërsa, në shtator krijimi i një organi vetërregullues mbi etikën filloi punën.

“Në shtator, 16 media shqiptare krijuan një organ vetërregullues mbi etikën mediatike bazuar në rekomandimet e mendimit të Komisionit të Venecias për ligjin e mediave audiovizive”.

Korrupsioni dhe pavarësia gjyqësore

Raporti vë në dukje ecurinë normale të reformës në drejtësi, ku tre gjyqtarë të lartë u emëruan për Gjykatën e Lartë e tre të tjerë u caktuan në Gjykatën Kushtetuese. E megjithatë, raporti thekson se gjyqësori humbi mundësinë për të treguar se politikanët dhe zyrtarët e lartë janë të ndëshkueshëm.

Korrupsioni ka pësuar trend rritës, i ndikuar nga niveli i lartë i kapjes së shtetit dhe presionit të biznesit mbi qeverinë.

“Dëshmitë nga reporterët e pavarur sugjerojnë që ligjvënësit kanë përshtatur legjislacionin për t’i shërbyer interesave privatë të individëve të fuqishëm dhe se ligjet zbatohen në një mënyrë të njëanshme. Këto sfida kërkojnë ndryshime të thella strukturore dhe rivendosjen e strategjive anti-korrupsion dhe ndërtimit të integritetit në Shqipëri.

“Kthesa antidemokratike”

Raporti i vitit 2021 shënon numrin e demokracive më të ulëta që prej fillimit të raportimit nga Freedom House në këtë sferë.

Raporti thekson se nga 29 vendet që mbulon, vihet re se ka thellim të shenjave të autokratizimit, veçanërisht në vende sikurse Polonia dhe Hungaria.

Qëllimi i partive në pushtet në Hungari dhe Poloni është të legjitimojnë praktikat e tyre antidemokratike. Kjo është arsyeja pse, pasi nënshtruan politikisht sistemet e tyre përkatëse të gjykatave, Fidesz dhe PiS kanë filluar të promovojnë “risitë” e tyre gjyqësore në revistat e sapo themeluara të ligjit. Dhe ndërsa “instituti i tyre i sundimit të ligjit” i planifikuar, ende nuk ka dalë në terren, ata qartë kanë nxjerrë një pozicion përtej normave ligjore të Evropës, duke sfiduar mekanizmin e zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian si “politik” dhe duke argumentuar se nuk ka një përkufizim të përbashkët për sundimin e ligjit”.

Grafik nga raporti i Freedom House

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *