Citizens.al

“Bashkëfajtorë në vrasjen e minatorëve”, aktivistët hedhin bojë të kuqe mbi institucionin e sigurisë së minierave

Pasditen e 28 majit, një 35-vjeçar humbi jetën në galeritë e kromit në Bulqizë.

Kompania AlbChrome, e cila menaxhon pjesën më të madhe të minierave në Bulqizë u shpreh se aksidenti ka ndodhur për shkak të pakujdesisë gjatë punës. Mirëpo një ditë më pas Drejtoria Vendore e Policisë së Dibrës njoftoi arrestimin e një tekniku për veprën penale “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë“, ndërsa procedoi penalisht edhe dy brigadierë.

Humbjet e jetës dhe plagosjet në vendin e punës në minierat e Bulqizës dhe qarkun e Dibrës kanë qenë të shpeshta gjatë muajve të fundit. Në muajin shkurt një tjetër minator humbi jetën në galerinë D të Bulqizës dhe dy minatorë të tjerë në Dibër pak muaj më parë.

Referuar të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore aksidentet përgjatë vitit 2020 në miniera rezultojnë të kenë prekur 28 punonjës, ndërsa ka humbur jetën një prej tyre.

Sipas ISHPSHSH përgjatë tre muajve të parë të vitit 2021, përkatësisht janar-mars , janë inspektuar tre subjekte për shkak të aksidenteve në punë në sektorin minerar, ndërsa janë aksidentuar katër punëtorë e një prej tyre humbi jetën.

Aktivistët e Organizatës Politike ngjyejnë murin e AKSEM në shenjë proteste

Si reagim ndaj vdekjes së minatorit 35 vjeçar në Bulqizë, aktivistë të Organizatës Politike mbajtën një komunikatë para Agjencisë së Kontrollit, Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera.

Sipas statistikave, sa më shumë rritet numri i viktimave në miniera, aq më pak institucionet shtetërore hetojnë apo marrin masa serioze për shkeljen e sigurisë në punë. Agjencia e Kontrollit, Sigurisë dhe Emergjencave ne Miniera, ashtu si Inspektorati Shtetëror i Punës, gjykatat, policia, ministritë dhe qeveria jo vetëm që heshtin përballë kësaj situate, por janë qartazi bashkëpunëtorë në krim”,-u shpreh Klodi Leka, aktivist i Organizatës Politike.


Teksa lexohej deklarata, aktivistët shkruan parullën “Bashkëfajtorë në Vrasjen e Minatorëve” në murin e Agjencisë së Kontrollit, Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera dhe hodhën bojë të kuqe si simbolikë sipas tyre e njollës së turpit.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW