Citizens.al

Gazetarja Alice Taylor fiton gjyqin ndaj gazetës Tema

Alice Taylor, gazetarja britanike që jeton dhe punon në Shqipëri ka fituar sot gjyqin për shpifje ndaj gazetarit Mero Baze.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi të pranojë padinë e gazetares Taylor duke i dhënë të drejtë në pretendimet për përmbajtje jo të vërtetë në shkrimet e postuara për të në median online “Tema”. Si rrjedhojë, gazetari Mero Baze duhet të publikojë vendimin e gjykatës dhe të heqë artikullin nga media e tij.

Sipas gazetares Taylor, kjo situatë nisi në fillim të vitit 2019 ku një sërë protalesh shkruajtën histori jo të vërteta për të, marrë shkas nga komentet e saj për situatën në Shqipëri në median “Russia Today“.

Në atë kohë, kishte protesta të vazhdueshme nga Opozita kundër qeverisë Rama. Ishte pas publikimit të përgjimeve që sugjeronin blerjen e gjerë të votave dhe frikësimin e votuesve në Dibër dhe Durrës. Protestat ishin në vazhdim e sipër dhe si një folëse e anglishtes amtare dhe një gazetare në Shqipëri, shpesh më kërkojnë komente nga media të huaja. Një ditë, unë komentova për “Russia Today”, së bashku me media të tjera. Ata e përdorën këtë për të thënë që unë isha një spiune/agjente/punonjëse ruse, duke punuar për mediat shtetërore ruse, gjithashtu duke punuar për opozitën, dhe se partneri im dhe dalja ime në media ishin të lidhura dhe isha e punësuar nga opozita”,-shpjegon gazetarja Taylor për Citizens Channel.

Alice Taylor

Në fillim të 2019, gazetarja Taylor u bë shënjestër e një fushate online ku një sërë portalesh e akuzuan si “spiune ruse”. Ajo rrëfen se i kontaktoi vetë mediat online me qëllim që të tërhiqnin artikujt, pasi ishin të pa bazuara na fakte.

Asnjë nga këto nuk ishte e vërtetë. Unë kontaktova të gjitha mediat që shpifën për mua dhe u kërkova atyre që të hiqnin artikujt pasi nuk ishin faktikë. Ata që nuk pranuan, unë shkova në gjyq dhe i padita për shpifje“,-shprehet Alice Taylor.

Akuzat ndaj saj në mediat online dhe jo vetëm, duke e konsideruar si spiune ndikuan negativisht edhe në shëndetin e saj.

“Unë isha gjashtë muaj shtatzënë në atë kohë dhe vuaja shumë nga ankthi për shkak të kësaj situate. Më bërtitën në rrugë, më ngacmuan në rrjetet sociale dhe menjëherë pas këtij incidenti, u shtrova në spital për shkak të stresit dhe gati sa nuk e humba foshnjën time”.

Gazetarja Taylor, sqaron për Citizens Channel se vendosi të padisë në gjykatë mediat pasi tanimë nuk kishte të bënte më me liri shprehjeje.

“Arsyeja pse unë bëra këtë veprim është se ndjeva që ajo që u shkrua për mua nuk ishte gazetari dhe as që kishte të bënte me lirinë e shprehjes. Nuk u shkrua si opinion, përkundrazi ishin gënjeshtra të paraqitura si fakte me qëllimin e vetëm për të më frikësuar dhe ngacmuar. Kjo u ndodh shumë gazetarëve në Shqipëri dhe kontribuon në një klimë frike”.

Vendimi i sotëm është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe si e tillë mund të apelohet në vijim nga i padituri. Mirëpo gazetarja Taylor beson se edhe nëse apelohet, sërish rezultati do të jetë në favor të saj.

Kjo është hera e dytë që gazetarja Taylor fiton një çështje në gjykatë. Në tetor të vitit 2019 ajo fitoi betejën 8 mujore me Policinë e Shtetit pasi në mars 2019 institucionet kundërshtuan të rinovonin lejen e saj të qëndrimit të Shqipëri. Gjykata Administrative e Tiranës pranoi padinë e ngritur nga gazetarja për të shfuqizuar gjobën prej 20 mijë lekësh, që mbante pezull procesin e aplikimit për t’u pajisur me leje të re qëndrimi.

Mbështetja ndaj gazetares në 2019 erdhi edhe nga organizatat mediatike si Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Instituti i Shtypit Ndërkombëtar si dhe u denoncua në platformën e Këshillit të Evropës. 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *