Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gazetarët e akredituar pranë Kuvendit, protestë simbolike kundër rregullores së re për mediat

Gazetarët që raportojnë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe të tjerë në mbështetje të tyre zhvilluan një protestë simbolike para nisjes së seancës së sotme plenare.

Ata kërkuan tërheqjen nga vendimi që përjashton gazetarët nga raportimi i pavarur i punimeve dhe mbledhjeve të Kuvendit, i bërë publik më 2 qershor.

Sipas vendimit, ka një rregullore të re të marrëdhënies së kuvendit me gazetarët, ku gazetarët nuk do të lejohen të jenë pjesë e mbledhjeve të komisioneve parlamentare apo të drejtojnë pyetje deputetëve në ambientet e kuvendit pa marrë leje në zyrën e ngritur për shtypin.

Osman Stafa, gazetar pranë medias “News 24” e cilëson këtë vendim si cenim të transparencës dhe fjalës së lirë.

“Ditën e sotme, gazetarë të mediave të ndryshme të vendit kanë dalë të protestojnë te Kuvendi i Shqipërisë për të kundërshtuar vendimin e Byrosë së Kuvendit që ndalon gazetarët që nga shtatori i këtij viti, të mos jenë të pranishëm nëpër komisionet parlamentare. Këtë ne e shikojmë si një cenim të medias, transparencës, fjalës së lirë, duke qenë se parlamenti, komisioni parlamentar është i vetmi vend ku gazetarët mund t’i drejtojnë pyetje parlamentarëve. Pra nëse ne kemi një vend ku mund të marrim përgjigje është Kryesia e Kuvendit”-u shpreh për Citizens Channel, Osman Stafa.

Osman Stafa, gazetar News 24

Sipas tij, përmes këtij vendimi gazetari bëhet thjesht transmetues i një informacioni të gatshëm të servirur nga vetë institucioni.

“Një nga arsyet që është bërë ky vendim është se deputetët ndihen të bezdisur nga gazetarët, nga pyetjet. Nëse ne e mbyllim, e izolojmë informacionin, pastaj çfarë është kjo, a është demokraci?”

Për Edona Haklaj, gazetare e kulturës pranë Fax News e cila kishte ardhur në mbështetje të kolegëve, u shpreh se gazetarit duhet ti jepet e drejta për të ndjekur lajmin kudo është.

“Janë këto seanca, është ky takim me deputetët, me përfaqësuesit e popullit nga të cilët mund të marrësh atë çfarë ti kërkon, pra të zbulosh atë anën tjetër të medaljes e cila nuk na vjen thjesht e servirur me deklarata të gatshme për shtyp, me kaseta të gatshme, me montime të gatshme, por gazetari duhet të jetë në çdo moment aty. Unë e mbështes padyshim këtë protestë sot”,-tha Edona Haklaj.

Edona Haklaj, gazetare “Fax News”

Vendimi për të kufizuar aksesin e medias në punimet e kuvendin, për gazetarin Erion Skendaj është i pritshëm. Sipas tij mbyllja e institucioneve në dhënien e informacioneve për gazetarët ka nisur më herët.

Impakti është shumë negativ, por do të thoja që nuk më habit aspak. Si gazetar i shëndetësisë, mbylljen e institucioneve e kam provuar që në vitin 2014-2015 dhe aktualisht që flasim asnjë gazetar I shëndetësisë nuk ka akses në institucionet e shëndetësisë, duke përfshirë që nga Ministria e Shëndetësisë dhe vetë spitalet, poliklinikat”,-shprehet Erjon Skendaj, gazetar pranë medias “News 24”.

Erjon Skendaj, gazetar “News 24”

Ai thekson se mediat duhet të reagojnë ndaj këtyre rasteve duke mbyllur sinjalin.

Nëse do ti referohemi sjelljes së mediave në botë, në momentin kur ka shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, çdo media duhet të mbyllë sinjalin, më e pakta dhe duhet ti drejtohet popullit me fjalët: “jemi të censuruar po privohet e drejta për informim. në fund të fundit jemi vetëm kanal informimi, ata që e vuajnë është populli”,-përfundon Skenderaj.

Gazetarët e pranishëm nënshkruan një peticion ku i kërkuan Kuvendit të tërhiqet nga vendimi dhe ti bëjë ata pjesë të diskutimeve për rregulloren e re.

Reagime: “Rregullorja e re e Kuvendit rrezikon lirinë e medias”

Ky vendim i Kuvendit është parë me shqetësim edhe nga rrjeti “Safe Journalists”. Në një deklaratë të shkruar “Safe Journalists” që përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur solidaritet me gazetarët shqiptarë.

Ata i bëjnë thirrje Kuvendit të tërheqë vendimit dhe të zhvillojë procesin e konsultimit.

Ne kërkojmë nga Parlamenti Shqiptar që të tërheqë këtë vendim dhe t’i përmbahet procesit të konsultimit, pasi rregullore të tilla kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në raportimin mediatik të pavarura, lirinë e shprehjes dhe transparencën dhe duhet të miratohen vetëm pasi të jetë kryer konsultimi i duhur me palët e interesuara në media, shoqërinë civile dhe sektorët e lidhur me to“,-thuhet në reagimin e “Safe Journalism”.

Sipas rrjetit, raportet tregojnë me shqetësim gjendjen e transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike, ndaj dhe ky vendim ndikon më tej në nivelin e transparencës së kuvendit.

Më herët ka reaguar edhe  Instituti i Studimeve Politike, i cili e ka konsideruar si cenim të së drejtës së informimit dhe në mbrojtje të interesit të deputetëve dhe jo të publikut, teksa ka kaluar pa konsultim.

“Rregullorja e miratuar rezulton se nuk është konsultuar me grupet e interesit, komuniteti i medias që mbulon Kuvendin rezulton se ka qëndrime kritike, si dhe ISP dhe organizata të tjera të shoqërisë civile nuk janë ftuar për të dhënë opinione konsultative, siç është vepruar e vijon të veprohet me disa akte të tjera rregullatorë apo raportime vjetore më të parëndësishme të Kuvendit”.

Përmes një thirrjeje publike ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, të cilët i bëjnë thirrje Kuvendit të tërhiqet nga vendimi.

“I bëjmë thirrje Kuvendit të tërhiqet nga ai vendim, që cënon mediat në ushtrimin e lirë të detyrës së tyre, si dhe të drejtat universale të informimit publik e të lirisë për të marrë e dhënë informacion, cënimi i të cilave është një kthim i rrezikshëm pas për vendin tonë dhe aspiratat e tij integruese”,-thuhet në deklaratën e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *