Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pazari i Milotit, aty ku si tradita dhe infrastruktura mbeten në mesjetë

Autor: Klevis Paloka | Citizens Channel | Kurbin

Për çdo të diel, një nga rrugët e qytetit të Milotit kthehet në një pazar ku tregtojnë produkte të shumëllojshme, tregtarë nga i gjithë veriu i Shqipërisë. Veç ruajtjes së traditës mesjetare të pazarit, duket se koha ka ngrirë edhe sa i përket infrastrukturës. Kushtet bazë të higjienës mungojnë, ndërsa disa tregtarë e kanë sajuar vetë vendin ku shesin produktet e tyre, e pjesa tjetër, i shet produktet në tokë. Kjo pasi tregu i Milotit nuk ka parë kurrë asnjë investim rehabilitues.

Që prej vitit 2015 ish-kryebashkiaku Artur Bardhi premtonte se tregu do të rehabilitohej, ndërsa sot pushteti vendor pranon se asnjë investim nuk është.

“Nga ne si institucion Bashkia Kurbin nuk është bërë asnjë ndërhyrje apo investim për rehabilitim e objektit “Pazari i Milotit“ deri në këtë moment”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë së Kurbinit dërguar Citizens Channel.

Bashkia e Kurbinit thekson se ka përfshirë në buxhetin e vitit 2021 një investim për “Ndërtimin e Tregut Milot” me vlerë prej dhjetë milion lekësh, ndërsa sqaron se projekti nuk është tenderuar e ka mbetur në fazën e hartimit të projektit.

“Histori nga tregu mesjetar”

80-vjeçari, Agron Selimi me profesion agronom nga qyteti i Laçit, i cilëson kushtet e këtij tregu primitive.

“Është akoma një treg alla fshatarshe, duhet të ketë vende posaçërisht për të tregtuar, të këtë uniform, pasi këtu njerëzit gjysma shesin në toke ç’ka nuk është aspak mirë. Unë e mbaj mend që i vogël dhe si atëherë që kushtet kanë qenë krejt primitive dhe akoma janë krejt primitive”, shprehet Selimi, i cili ka 27 vite që shet në tregun e Milotit.

Agron Selimi – tregtar në pazarin e Milotit

Selimi kujton dhe se si kaosi e mungesa e infrastrukturës janë bërë burim aksidenti.

“Përpara disa kohësh, një makinë hyri me shpejtësi në treg dhe aksidentoi për vdekje 2 persona dhe plagosi rëndë një të tretë. Kjo ngjarje e rëndë mesa duket ra në vesh të shurdhët pasi tregu vazhdon të funksionojë normalisht”, tregon 80-vjeçari.

Shitja e produkteve nuk vjen pa kosto për tregtarët, megjithëse mungon çdo lloj investimi.

Të gjithë tregtarët janë të detyruar t’i paguajnë një taksë, pronarëve të tokës, pasi duhet thënë që jo i gjithë pazari bëhet në pronë publike. Unë paguaj për vetën time 100 lekë, por ka nga ata tregtarë që paguajnë edhe 500 lekë, por edhe pse paguajmë shërbimi që marrim nga pronarët është zero”, e mbyll rrëfimin agronomi për Citizens Channel.

Besmiri, tregtar në pazarin e Milotit

Ndërsa Besmiri, i cili ka 21 vite që vjen për çdo të dielë në këtë Pazar për të shitur produktet e tij edhe nuk ka parë asnjëherë që të investohet në këtë treg.

“Kam 21 vite që vij pothuajse për çdo të dielë, për të tregtuar produkte agro-bujqësore dhe deri tani nuk kam shikuar të ketë ndonjë ndërhyrje. Edhe pse paguaj taksa për çdo muaj, kushtet e këtij pazari lënë shumë për të dëshiruar”, shprehet 35-vjeçari.

Foto galeri: Një e dielë në Pazarin e Milotit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit – gjoba ndaj tregtarëve dhe Bashkisë Kurbin

Më pas Citizens Channel u interesua edhe pranë Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU) për të pyetur në lidhje me kontrollet që ka bërë ky institucion në këtë treg.

Në përgjigjen e AKU-së theksohet se në 5 vitet e fundit janë kryer disa kontrolle dhe janë vendosur gjoba ndaj subjekteve të regjistruara, personave fizikë, por edhe ndaj Bashkisë së Kurbinit.

Janë kryer rreth 30 kontrolle gjatë 5 viteve të fundit. Kryesisht ditë të diela kur funksionon ky treg. Janë kryer monitorime periodike bazuar në Urdhërat e Drejtorit të Përgjithshëm të AKU”.

Tregu nuk plotëson kushtet për tregtimin e produkteve shtazore. Janë marrë 13 masa administrative gjobë ndaj subjekteve të regjistruara, personave fizikë dhe ndaj Bashkisë Kurbin. Janë bllokuar dhe asgjësuar rreth 535.4 kg produkte mish dhe peshk.

“Bashkia Kurbin është informuar vazhdimisht me shkresa zyrtare mbi konstatimet e monitorimeve, masave të marra dhe kërkesës për ndërhyrje në këtë treg si organi kompetent në administrimin e tregjeve të hapura”, thuhet në përgjigjen e AKU-së.

Citizens Channel u interesua pranë AKU-së për të pyetur në lidhje me gjobën e vendosur ndaj Bashkisë së Kurbinit dhe në përgjigjen e tyre në mënyrë jo zyrtare na u sqarua se Bashkia Kurbin e ka kundërshtuar këtë gjobë dhe se çështja ka shkuar në gjyq.

Të rinjtë e Kurbinit hartojnë peticion për rehabilitimin e pazarit

Kushtet në tregun e Milotit kanë shqetësuar edhe të rinjtë e qytetit, të cilët janë bërë bashkë për të ngritur zërin që pazari të rehabilitohet. Aida Ajazi e grupit rinor, të cilët tregojnë se gjatë rikthimit në shtëpi, pas studimeve në Tiranë, shohin se qyteti, e veçanërisht pazari i Milotit ka mbetur në vend.

“Duke qenë se aty vihet re shumë mirë që aty siguria ushqimore cenohet shumë dhe fuqia blerëse është shumë e madhe sepse vijnë shumë konsumatorë që blejnë produkte që tregtohen aty, gjithashtu të shumtë janë edhe tregtarët. Kështu që ne menduam që të paktën të ngremë zërin dhe të mundohemi ta sjellim në vëmendje këtë problematikë”, tregon 25-vjeçarja.

Të rinjtë kanë marrë përsipër të hartojnë një peticion për t’ua dërguar institucioneve kompetente.

“Deri tani kemi mbledhur afërsisht rreth 400 firma, të cilët ne do t’i dorëzojmë në Bashkinë e Kurbinit, përpos këtyre do të dorëzojmë edhe një kërkesë që të marrim një përgjigje nga Bashkia sepse është në këtë gjendje”, shprehet Ajazi.

Përveç kësaj, përfaqësuesja e këtyre të rinjve na tregon edhe disa statistika që e bëjnë të rëndësishme dhe të detyrueshme ndërhyrjen në këtë treg. Sipas Ajazit në këtë pazar shesin produktet e tyre rreth 500 tregtarë.

“Nga ato që kemi arritur të vëzhgojmë gjatë çdo të dielë kemi arritur të mbledhim të dhëna se këtu vijnë rreth 500 tregtarë, kështu që është një treg i një rëndësi të veçantë dhe tregtarët që vijnë këtu nuk janë nga Miloti, janë nga Laçi, Lezha, Mirdita, Shkodra, Malësia e Madhe, Kruja, Fushë-Kruja”,tregon përfaqësuesja e këtij projekti.

Sipas saj pazarit i duhet dhënë një vëmendje prioritare.

“E ka emrin tregu i Milotit, por është një treg rajonal dhe me sa kemi vëzhguar dhe studiuar është tregu më i madh rajonal në zonën e Veriut, prandaj duhet ti jepet vëmendje dhe duhet rehabilitohet sepse e dime shumë mirë që Miloti është një kryqëzim rrugësh edhe një pikë shumë strategjike pasi për shkak të kryqëzimit të shumë rrugëve kalojnë edhe shumë turiste dhe nëse do të rregullohej jam e sigurt që shumë prej tyre edhe mund të ndalonin”, rrëfen Aida Ajazi.

Ndërsa në fund, por jo nga rëndësia ajo flet për sigurinë ushqimore të këtij projekti.

“Siguria ushqimore është problemi më i madh i Pazarit të Milotit, sepse që nga infrastruktura, ku ai është një treg i ditës së dielë, ajo rrugë që bëhet treg, gjatë gjithë javës funksionon si rrugë për makinat dhe kalimtaret. Shumica e tregtarëve improvizojnë stendën e tyre, për të vendosur produktet që tregtojnë, ndërsa pjesa tjetër i vendosin në tokë, dhe rruga gjatë verës është me pluhur dhe gjatë dimrit është me baltë”, e mbyll Ajazi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *