Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Baldushk: “Rindërtimi” cenon pronat private të banorëve

Një bllok banesash, pjesë e programit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, që do të ndërtohet në zonën e Baldushkut, do t’i kushtojë familjes Greca rreth 3 mijë metra nga prona e tyre private.

Shpallja si zonë për zhvillim të detyruar me anë të të vendimit Nr.82, datë 3 Janar 2020 të Këshillit të Ministrave, e ngarkon bashkinë Tiranë me një sëre detyrash si ndërtim i banesave të reja, rikonstruksion i infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër me funksion rindërtimin.

Në bisedat me banorët gjatë një vizite atje, situata paraqitet e ndryshme. Ata tregojnë se zona nuk është prekur nga tërmeti, e pavarësisht kësaj, qeveria shqiptare ka vendosur të zbatojë “zhvillimin e detyrueshëm” i cili nënkupton ndërtimin e banesave të reja për persona të tjerë, në toka për të cilat banorët janë në procese gjyqësore dhe privatizimi.

Zaptim i pronës private në kundërshtim me ligjin

“Kanë ardhur në 8 të mëngjesit, ne ishim në gjumë, kur jemi zgjuar thjesht pamë fadromat, policinë që ishin para shtëpisë sonë”, tregon Altin Greca.

Sipas anëtarëve të familjes Greca prona e tyre është tokë e vjetër, ose tokë babe siç e cilësojnë ndryshe dhe ndodhet në proces legalizimi që nga viti 2014.

“Jemi banorë autoktonë që nga 43 por si në fshat e kemi neglizhuar procesin e dokumentacionit”, vijon Altini.

Edhe pse forcat policore hasën me rezistencën e banorëve ata hodhën në tokë murin e gurit rrethues dhe të gjithë pemëtarinë dhe puset e familjes Greca.

“Me stallë dhe ushqim lope, me magazinën e pulave, kanë dëmtuar çdo gjë”, thotë Shkëndije Greca.

Sipas banorëve fillimisht ishte thënë se do të prisheshin vetëm magazinat e shtetit që ishin të vendosur lart shtëpive të banimit dhe nuk do të ndërhyhej tek pronat të cilat ishin ende në proces gjygjësor.

Në një deklaratë për mediat, avokati i familjes Greca u shpreh se Bashkia dhe policia janë në tejkalim të kompetencave, pasi firma e ndërtimit nuk iu ka paraqitur banorëve asnjëlloj dokumentacioni, dhe asnjëlloj autorizimi për fillimin e punimeve.

“Këto janë vendime arbitrare, banorët duhen sqaruar, pasi kanë një jetë që investojnë për shtëpitë e tyre”, tha avokati Leonard Cullhaj.

Mungesë transparence dhe arbitraritet

“Brenda këtij viti projekti është ndërruar tre herë”, pohon një nga banorët e zonës për Citizens Channel.

Ky foto kolazh nga banorët identifikon këto shkelje:

Në foton e parë dhe të dytë konstatohet një ndryshim projekti në krahasim me hartën e miratuar fillimisht nga Këshilli i Ministrave.

Në foton e tretë operatori fitues si projektues (AVE Consulting & Talant SHPK) shfaqet një hartë e zgjeruar në jug krahasuar me atë të VKM, sipas së cilës kemi ndërtim objektesh në brendësi të hapësirave private.

Në foton e katërt konstatohen punimet që po realizohen aktualisht edhe në terren.

Edhe pse fadromat janë duke punuar në qendër të fshatit, vetë banorët janë të paqartë se cili projekt po implementohet.

“Ky ngushtim”, siç e cilësojnë ata prek rreth 10 familje në fshat.

“Asnjë lloj informacioni fare, thjesht na thonë që do bëhen shpia tërmeti”, konfirmon Altini.

Sipas banorëve ata janë informuar nga punonjësit e firmës që do të ndërtohen 52 shtëpi për të pastrehët e tërmetit, ndërsa përfaqësues të komunës i kanë konfirmuar se do të ngrihen vetëm 26 godina.

Citizens Channel foli me përgjegjësinë e punimeve në terren i cili u shpreh se kishte në kontroll zbatimi vetëm pjesën infrastrukturore, për rrugën dhe kanalizimet e fshatit, por nuk ishte në dijeni për banesat që do të ngriheshin.

“Po pimë ujë me ujërat e zeza. Firma s’mban përgjegjësi për asnjë lloj gjëje, vetëm prish”, u ankua Refik Greca.

Avokati Cullhaj konfirmoi për Citizens Channel se është kërkuar në anë ligjore pezullimi i punimeve të projektit në Gjykatën Administrative dhe të Apelit Tiranë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *