Gjykata e Tiranës ka pranuar pjesërisht padinë e ish-minatorit Beqir Duriçi ndaj kompanisë AlbChrome në Bulqizë, duke e konsideruar të pajustifikueshëm pushimin e tij nga puna në dhjetor të vitit 2019.
Pushimi i sindikalistit dhe i minatorit Beqir Duriçi erdhi disa ditë pasi u shpall krijimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) në 17 nëntor të vitit 2019, me kryetar Elton Debreshin.
Pesë ditë pas formimit SMBB dhe parashtrimit të disa kërkesave për rritjen e pagës, sigurinë në punë, njohjen e vjetërsisë dhe vështirësisë në punë, kryetari Debreshi u pushua nga puna, me arsyetimin se ai kishte kryer shkelje të etikës.
Ngjarja shkaktoi revoltë të minatorëve të cilët u përfshinë në një grevë disa ditore dhe kërkuan rikthimin e Debreshit në punë.
Gjatë kohës së zhvillimit të kësaj greve, u njoftua pushimi nga puna i Beqir Duriçit, i cili ishte pjesë e këshillit sindikal. Më pas, u pushuan edhe minatorë të tjerë që u angazhuan në formimin e sindikatës; Ali Gjeta dhe Behar Gjimi.
Në vendimin e gjykatës, kërkohet dëmshpërblimi i Beqir Duriçit në masën 12 muja për zgjidhjen e kontratës së punës pa shkaqe të arsyeshme.
“Gjykata po ashtu vendosi masë dëmshpërblimi 1 pagë për moszbatim të afatit të njoftimit dhe e detyroi kompaninë të paguaj 91 për qind të një page mujore si pagë të 13 për minatorin”, – shkruan BIRN duke shtuar se kompania AlbChrome e ka apeluar vendimin.
Beqir Duriçi shprehet se vendimi nuk ishte tepër befasues, pasi “i ka qëndruar punës në kokë”. Shkaqet e shkarkimit ai nuk i lidh me shkeljet të disiplinës në punë, sikurse shkruhej në vendimin e datës dy dhjetor 2019, ku bëhej me dije se AlbChrome ndërpret kontratën e punës.
“Shkarkimi im ishte thjesht për organizim që bana në 2019-tën u organizum si minatorë ndaj padrejtësitë që shifshim, edhe me punën që shtohej”, – tha ai për Citizens Channel.
Edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, një vit pas pushimit të katër minatorëve që u angazhuan në krijimin e sindikatës, ka dalë në përfundimin se Beqir Duriçi dhe Behar Gjimi janë pushuar nga puna për shkak të përkatësisë në një organizatë sindikale.
Dy vite pas pushimit nga puna, Beqiri tregon se ka pasur vështirësi në punësimin në sektorin minerar pasi ata shikohen me skepticizëm nga punëdhënësit.
“Në sektorin e nxjerrjes së kromit me thënë të drejtën e patëm të vështirë për arsye se e shifshin se na ishim si tip organizatorësh. Kishin atë urrejtjen, atë përshtypjen e keqe që mos organizojmë punëtorët”.
Edhe minatorët e tjerë e kanë paditur kompaninë AlbChrome për shkarkim të padrejtë nga puna por ende nuk janë marrë vendime.