Gjatë konferencës për shtyp me kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministri Edi Rama nuk lejoi asnjë gazetar nga Kosova për të drejtuar pyetje, pavarësisht insistimit të vazhdueshëm nga ana tyre.
“Më shumë se sa koha, ka qenë një injorim i qëllimshëm, pasi ka pasur edhe raste të tilla që një mediumi i është dhënë më shumë se njëherë mundësia për të bërë pyetje”, – tregon për Citizens Channel Valbona Bytyqi, një nga gazetaret pjesëmarrëse ne takim.
Bytyqi thotë se pyetjet e përgatitura për kancelaren Merkel ishin për çështjen e “Open Ballkan”, nëse kancelarja e përkrah apo jo një gjë të tillë, si dhe për refuzimin e Kosovës për t’iu bashkuar kësaj nisme.
“Një tjetër çështje ka qenë edhe ajo për dialogun Kosovë-Serbi. Ditë më parë kancelarja gjermane ka deklaruar se duhet të “zgjidhet problemi” dhe ishte e nevojshme që të kishim një përgjigje”, – shton Bytyqi.
Ideal Gola, një tjetër gazetar nga Kosova që u la në heshtje, thotë se do ta kishte rimenduar dy herë pjesëmarrjen nëse do e dinte që ai dhe kolegët e tij do të censuroheshin në këtë lloj forme.
“Organizatorja na konfirmonte vazhdimisht me kokë për të na treguar që na kishte parasysh. Nuk e kisha menduar kurrë që asnjërit nga ne nuk do i jepej hapësira qoftë edhe për një pyetje”, – pohon ai.
Ideali hedh hipoteza se marrëdhënia e krisur Rama – Kurti mund të jetë një nga shkaqet që “frikësoi” kryeministrin për të marrë ndonjë pyetje të padëshiruar.
Organizatat ndërkombëtare: “Turp për kryeministrin”
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve (EFJ) reagoi në Twitter në lidhje me censurimin e gazetarëve nga Kosova në takimin e Merkel në Tiranë, më 14 Shtator.
Shame on Albanian PM @ediramaal, who deliberately ignored the questions of Kosovo journalists. The @EFJEUROPE condemns this outrageous segregation. https://t.co/jArGqLb5q6
— Ricardo Gutiérrez (@Molenews1) September 14, 2021
“Turp për kryeministrin Edi Rama i cili me dashje injoroi pyetjet e gazetarëve nga Kosova”. – shkroi në statusin e tij Ricardo Gutierrez.
Mohimi i fjalës së gazetarëve u dokumentua edhe në Platformën e Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, gjithashtu edhe në Hartën e Lirisë së Evropës (Mapping Media Freedom).
“Shoqata e Gazetarëve të Kosovës dhe Federata Evropiane e Gazetarëve dënojnë vendimin e Ramës për të mos lejuar gazetarët kosovarë të bëjnë pyetje”,- citohet në reagimin e Këshillit të Evropës.
Nuk ka munguar as reagimi i organizatës “Gazetarë të Sigurtë” të cilët deklarojnë se çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
“Ne do t’i dërgojmë një letër shqetësimi zyrës së Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Serbisë dhe do t’i bëjmë thirrje që të mos e përsërisin një sjellje të tillë jo vetëm me gazetarët, por të gjithë punonjësit e medias”,- citohet në shkresën e tyre.
Pavarësisht se në 40 minuta takim, gjashtë gazetarët nuk reaguan dhe qëndruan të qetë edhe pse nuk e morën fjalën, juristja e të drejtës së medias Flutura Kusari vlerëson “revoltën” e tyre në përfundim të eventit.
“Kjo jep shpresë që gazetarët e Kosovës nuk mund të heshtën lehtë në dallim me shumicën e gazetarëve në Shqipëri”, – thotë ajo për Citizens Channel.
Sipas Kusarit sjellja e kryeministrit ishte e pajustifikueshme duke qenë se ky ishte takim multilateral, që nënkupton që u prekën tema që lidheshin me vende të tjera, si Kosova.
Flutura Kusari
“Ajo çfarë pamë ne atë ditë është shpërfaqje e politikave të mbrapshta që Rama ka ndaj gazetarëve, politika këto që synojnë të kontrollojnë informacionin, me qëllim përfundimtar zgjatjen e pushtetit” shton ajo.
Në përfundim Kusari shprehet se të gjitha këto reagime ndërkombëtare kanë qëllim të dokumentojnë sjelljen e kryeministrit në raport me gazetarët dhe eventualisht pasojat politike që do të mbartë ai.
“Mos të harrojmë se kur flitet për negociatat për anëtarësim, Ramës i përmendet shpesh liria e medias dhe incidentet ndaj gazetarëve”, – përmbyll ajo.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.