Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Elbasan: Zonat turistike pushtohen nga plehrat, dështon taskforca e bashkisë

Autore: Bardha Nergjoni | Citizens Channel | Elbasan

Kurati jeton në njësinë administrative Shirgjan, ai tregon se mbetjet janë kthyer në problem, veçanërisht në aksin rrugor Bujgjës – Kuqan: “Edhe pse ka kosha, ato janë të paktë dhe pastrohen shumë rrallë. Kjo është një pamje që sheh dhe që nuk është e mirë për ne. Sidomos në verë kur kthehen në vatër infeksioni”.

Pirg mbeturinash në rrugën Bujgjës-Kuqan

Pak kilometra më tej ndodhet zona turistike e Llixhës, në pranverë dhe në vjeshtë numri i frekuentuesve i kalon 5 mijë persona. Mbeturinat i sheh në kanale, sheshe dhe zona të pyllëzuara. Koshat e mbetjeve janë të paktë dhe pastrohen rrallë.

“Jetojmë në një zonë turistike dhe vijnë me mijëra njerëz, por plehrat nuk tregojnë këtë gjë. Vërtet njerëzit i hedhin ngado, por duhet parë edhe për kosha, kemi shumë pak. Bashkia duhet të sjellë më shumë kazanë dhe të bëjë pastrim më shpesh pasi një herë një javë që vjen makina, plehrat nisin të lëshojnë erë të keqe dhe ndosin më keq zonën”, tregon Jona Xhaferri, banore e zonës.

Duket se zonat turistike janë më të dukshme sa i përket pasojave që shkaktojnë mbetjet urbane. Bysheku, një vend piktoresk shumë afër Elbasanit me ujë të ftohtë dhe hije të rrapeve, frekuentohet jashtëzakonisht gjatë verës.

Mbetjet urbane në zonën e Byshekut

Lamçja, 50 vjeç një frekuentues i hershëm i Byshekut thotë se në këtë pikë nuk është vënë dorë qoftë për mirëmbajten ashtu edhe për pastrimin. “Vijat e ujit janë të mbushura me shishe e mbeturina. Kjo është pasojë e mungesës së qytetarisë sonë. Faji i shtetit është se nuk ka krijuar asnjë mundësi që kjo gjë të mos ndodhë. Kështu për shembull kosha mbetjesh këtu nuk ka. Është një shesh i vogël atje tej ku hidhen në natyre. Kosha më të vegjël përreth pikës turistike nuk ka. Kjo bën që njerëzit ti hedhin aty këtu mbeturinat dhe pamja që të krijohet nuk është ajo që duhet”.

Zonat periferike të qyteteve po ashtu janë të pushtuar nga mbetjet. Në lagjen Shëgune, në periferi të Elbasanit banorët i hedhin  mbeturinat në një kanal. Të pyetur pse e bëjnë këtë, ata thonë se është zonë që nuk ka pastrim. “Këtu ka biznese dhe familje, ka shkolla por mbetjet përfundojnë në kanal. Të gjithë paguajnë taksa për pastrimin, ndryshe nuk marrim letra. Shihni vërdallë a ka ndonjë kosh? Ne na kanë harruar fare që jetojmë këtu dhe njerëzit kanë gjetur si zgjidhje kanalin ku hidhen çdo ditë plehra”.

Perroi ku depozitohen mbetjet në lagjen Shegune

Mbetjet që hedhin banorët e  Shëgunes në kanal përfundojnë në përroin e Mansderes dhe më pas në rast prurjes përfundojnë përgjatë gjithë shtratit të përroit dhe në lumin Shkumbin. Adem Muça, banor në lagjen Shëgune thotë se mbetjet përfundojnë në përrua pasi askush nuk ka menduar të vendosë të paktën kosha dhe të ketë një lloj pastrimi.

Adem Muça

“Nuk vijnë ri marrin, nuk kemi kosha. Banorët i hedhin në përrua si të vetmin vend që kanë. E dimë që nuk është gjë e mirë por nuk kemi zgjidhje tjetër. Këtu bizneset paguajnë taksë për pastrimin dhe pastrim nuk ka”, thotë Muça.

E njëjta situatë paraqitet në Labinot Mal ku sërish banorët në mungesë të një shërbimi pastrimi përdorin përrenj apo gropa natyrore për të hedhur mbeturinat. Zona e Labinotit është një zonë me potencial të madh turistik por që infrastruktura dhe mbeturinat e kanë penalizuar zhvillimin e turizmit duke i kthyer në zona që po braktisen çdo ditë.

Gjinari, i njohur si zonë turistike ka një mjet dhe dy punonjës pastrimi që largojnë mbetjet nga qendra dhe banesat duke i dërguar në një gropë natyrore disa kilometra larg qendrës. O. Bërdufi thotë se kjo nuk është zgjidhje. “Atje ku hidhen plehrat aktualisht, shkaktohet prapë ndotje. Mendoni plastika, shishe e gjëra që hidhen në natyrë. Natyra nuk ka ku t’i çojë. Ne thjesht po i fshehim nga syri i më shumë vizitorëve dhe kaq. Nuk është zgjidhje ajo që është gjetur për mbetjet e Gjinarit”.

Mbetjet urbane në zonën turistike të Gjinarit

Bashkia taskforcë për mjedisin

Bashkia Elbasan ngriti në muajin qershor një taskforcë për mjedisin me qëllim marrjen e masave për të larguar mbetje nga zonat problematike. Megjithëse u publikuan disa aksione –për pastrimin e zonave problematike me mbetje, sërish situata sidomos në zonat turistike dhe ato periferike mbetet shqetësuese.

Foto galeri: Aksionet e Task-Forcës së Bashkisë Elbasan

Drejtoria e Shërbimeve Publike përmjet përgjigjes së kërkese më shkrim tha se ky aksion vazhdon çdo ditë me intensitet të lartë në të gjitha rrugët e qytetit, unazë dhe në rrugët e brendshme të lagjeve. “Aksioni konsiston në heqjen e mbetjeve inerte, të plehrave jashtë koshave dhe barishteve,” tha Klinsi Lala, drejtues i kësaj drejtorie.

Ai cilësoi problematike situatën sa i përket bizneseve që sipas tij hedhin në rrugë gjithçka nxjerrin nga prodhimtaria e tyre.

Si bilanc të këtyre muajve Lala deklaroi 275 tonë në muaj pastrim inertesh, kartonash, mbetjesh dhe degë të pemëve apo barishte. “Puna jonë vazhdon në një grafik javor dhe bazohet në një grafik që ndërtohet nga denoncime të qytetarëve dhe nga verifikimet tona në terren”, përfundoi Lala.

Zona ku mbetjet hidhen në gropa natyrore, përrenj, kanale, buzë rrugëve janë të shumta në bashkinë Elbasan. Kjo situatë është shqetësuese sidomos në zonat turistike ku mbetjet janë imazhi më i keq në dëm të frekuentimit duke minuar kështu të ardhurat për bizneset dhe banorët që e shohin turizmin si mundësinë më të madhe të zhvillimit ekonomik të tyre.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *