Fillim shtatori i vitit 2021 u shoqërua me rritjen e çmimit të bukës me 10 dhe 20 lekë në disa furra.
Ritja e çmimit sipas përfaqësuesve të prodhuesve të bukës erdhi si pasojë e shtrenjtimit të miellit në bursën ndërkombëtare.
Megjithatë, rritja e çmimit të bukës, si pasojë e çmimit të miellit ka qenë edhe më herët në historikun e Autoritetit të Konkurrencës, shpesh si pasojë e marrëveshjeve të fshehta mes kompanive të grurit.
Përkatësisht, në vitin 2009, Autoriteti i Konkurrencës me një vendim nr.125 vendosi gjobë ndërmarrjeve “Atlas” Sh.a dhe “Bloja” Sh.a për shkak të kufizimit të konkurrencës në tregun e importit të grurit dhe prodhimit të shitjes së miellit për prodhimin e bukës. Përkatësisht 27 milion lekë për kompaninë “Atlas” dhe 38 milionë lekë për kompaninë “Bloja”.
Një vit më vonë, më 2010 Autoriteti i Konkurrencës me një vendim mbylli procedurën e hetimit për tregtimin e bukës në qarkun e Korçës.
Ky hetim u hap për shkak të rritjes së çmimit të bukës nga disa operatorë me vullnetin e tyre për një periudhë kohore prej katër ditësh.
Marrëveshja e fshehtë mes kompanive solli gjobitje të tyre edhe në vitin 2011 në qytetin e Vlorës. 41 prodhues dhe tregtues të bukës në këtë qytet vendosën bashkërisht të rrisin çmimin e bukës në mënyrë të menjëhershme pa konkurrencë. Me mbylljen e hetimeve u vendos gjobitja e ndërmarrjeve me shumën 10 mijë lekë.
Me vendimin nr.700, datë 24.07.2020 institucioni mbylli hetimet për 5 kompani importuese të grurit, duke konstatuar shkelje të bashkërenduar të këtyre ndërmarrjeve në periudhën 2017-2019. Në përfundim të vendimit Autoriteti Konkurrencës saktëson se u ka vendosur kushte dhe detyrime ndërmarrjeve, ku katwr prej tyre do të monitorohen për një vit.
Ersida Teliti, drejtuese e Qendrës “Konsumatori Shqiptar” sqaron se ky vendim është kontradiktor.
“Vetë vendimi nga ana e tij është pak kontradiktorial, ku vihet re se ka një pranim për një marrëveshje të fshehtë ndërmjet tyre dhe prapë se prapë Autoriteti i Konkurrencës nuk merr një masë administrative sikurse është gjobë, por thjesht i vendos nën monitorim. Ka praktika me institucionin e Autoritetit të Konkurrencës që pikërisht një vit pas monitorimit, këto institucione të bëjnë të mundur rritjen e çmimit”,-shprehet Teliti për Citizens Channel.
Në një kërkesë drejtuar Autoritetit të Konkurrencës nga Qendra “Konsumatori Shqiptar” u kërkua hisja e hetimit.
“Në shtator ne i dërguam një ankesë autoritetit të konkurrencës në lidhje me çmimin, duke kërkuar pikërisht hetimin dhe pretendimin nëse është një marrëveshje e fshehtë ndërmjet tregtarëve me qëllim dëmtimin e interesave të konsumatorëve dhe maksimizimin e fitimit”.
Në përgjigje ndaj ankesës së Qendrës “Konsumatorit Shqiptar”, Autoriteti Konkurrencës u bazua në vendimin e vitit 2020, dhe jo në atë të 2021 sipas të cilit u vendos se nuk do vijohej hetim i mëtejshëm.
Kthim përgjigje e Autoritetit të Konkurrencës
Kthim përgjigje e Autoritetit të Konkurrencës
Referuar vendimit të vitit 2021, gjatë periudhës së monitorimit 1 vjeçar janë konstatuar shkelje, sipas së cilave ndërmarrjet Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK “bashkërendojnë sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal, si rrjedhojë kufizojnë konkurrencën”,-thuhet në vendim.
Megjithatë gjobat e vendosura karshi kompanive janë në varësi të xhirove të tyre. Vendimi i shtatorit të vitit 2021 nuk përcakton në shifra xhiron vjetore të secilës kompanie të marrë nën monitorim, duke e lenë kështu të paqartë gjobën e vendosur për to.
Këto kompani do të jenë nën monitorim për një vit nga Autoriteti i Konkurrencës, ku për çdo tre muaj do të dorëzojnë një raportim tre mujor për çdo informacion lidhur me kostot e grurit, miellit dhe çmimin e shitjes së miellit.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).