Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tiranë: Para dhe tetraplegjikët me tetë kërkesa për qeverinë, marrëveshjet mbeten të pazgjidhura

“Problematikat që ne mbartim janë shumë të mëdha. Fillon trauma që në momentin e aksidentit, pastaj kalvari i vuajtjeve fillon pas traumës, fillojnë problemet me veshkat me hapjen e plagëve, problemi i ilaçeve që duhet t’i blejmë me lekë. Absolutisht nuk marrim asnjë lloj rimbursimi ilaçesh, zero, zero”, shprehet Bajram Tirana, kryetari i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve.

Më datë 2 dhjetor, Bajrami bashkë me të tjerë persona me aftësi të kufizuar protestuan përballë Kuvendit. Ata adresuan problematikat e tyre përmes një liste me tetë kërkesa. Kërkesa këto të ndikuara edhe nga situata e vështirë ekonomike si rrjedhojë edhe e rritjeve të çmimeve.

Tetë kërkesat e tyre janë:

  1. Të rikthehet energjia elektrike ashtu si ka qenë dhe është premtuar nga qeveria. (Pra pagesë 80% nga qeveria dhe 20% nga i sëmuri paraplegjik dhe tetraplegjik)

  2. T’i jepen 80 litra karburant. “Për të zëvendësuar këmbët tona na keni premtuar dy mijë lekë litri, e papërballueshme për kategorinë tonë”.

  3. Kujdestari të paguhet me pagë mininmale të një punëtori. Për këtë ka dhe një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë

  4. Paketa higjienike të shkojë 30 mijë lekë në muaj, ose të indeksohet sa herë ngrihen rrogat buxhetore. Edhe për këtë pikë ka patur një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, theksojnë ata në kërkesë.

  5. Rimbursimi i ilaçeve, për infeksione plage (dekupitues) si pasojë e sëmundjes

  6. Kujdestari që i shërben, pas 15 vitesh të dalë në pension si punë e kategorisë së rëndë

  7. Dhënia e një godine apo trualli, në plazhet e Durrësit ose Shëngjinit

  8. Të hiqet taksa që u merret kur rinovojnë patentën, sikurse e kanë pasur më parë pa pagesë.

Ata theksojnë se këto kërkesa janë premtuar për zgjidhje nga qeveria që në vitin 2012 dhe nëse nuk marrin zgjidhje do të dalin në protesta deri në grevë urie.

Në vitin 2000 është miratuar ligji për “Statusin e Invalidit Paraplegjik dhe Tetraplegjik”. Në nenin 18 të këtij ligji thuhet se: “Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit përcakton tarifat e reduktuara të konsumit të energjisë elektrike për të sëmurët paraplegjik dhe tetraplegjik”. 

Sipas këtij neni, 80% e energjisë elektrike paguhet nga shteti dhe 20% nga personat paraplegjik dhe tetraplegjik. Prej vitit 2012 ky nen nuk zbatohet, duke u risjellë nga personat me aftësi të kufizuar si një kërkesë kryesore.

Lidhur me rimbursimin e ilaçeve dhe pagesën e kujdestarit për pagën minimale, kreu i Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve Bajram Tirana, i tha Citizens Channel se në 2019 shoqata ka arritur një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, por kjo marrëveshje nuk është respektuar.

Ata theksojnë në kërkesën e tyre me tetë pika se, rritja e çmimeve është bërë e papërballueshme.

“Mbi të gjitha në duhet të jetojmë, është e drejta jonë që të jetojmë me të gjitha të drejtat e barabarta, që na i jep ligj, Kushtetuta dhe zoti mbi të gjitha. Pra, edhe ne kemi nevojë për një pavarësi ekonomike, që mos të kërkojmë lëmoshë gjithmonë. Sepse duhet të kemi dhe ne dinjitet në radhë të parë, sepse jemi njerëz që kemi lindur për të jetuar, jo për të na mëshiruar të tjerët”, shprehet Bajrami teksa flet për vështirësitë ekonomike që ata kanë.

Bajram Tirana, kryetar i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve

Atyre u është premtuar një takim ditën e premte me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Financave. Pas takimit, Kryesia e Shoqatës do të marrë vendimin për mënyrën se si do të veprojnë në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen, sqaron Bajram Tirana.

“Kërkesat janë të gjitha prioritare, pas takimit do të ketë një reagim nga Shoqata”, u shpreh kryetari i Shoqatës.

Një para dhe tetraplegjik përfiton sot nga shteti 26 653 lekë në muaj, ndërsa ndihmësi personal i tij 10 653 lekë në muaj. Sipas tyre kjo pagesë është e pamjaftueshme, prandaj ata kërkojnë që kujdestari  i tyre të paguhet me një rrogë minimale dhe pas 15 vitesh të dalë në pension për punë të rëndë.

Sot në Shqipëri numërohen 6800 persona paraplegjik dhe tetraplegjik.

Mungesa e Infrastrukturës

“Pra në qoftë se një invalid para dhe tetraplegjik nuk ka mundësi për të lëvizur, për të dalë nga shtëpia e tij, ai ngelet totalisht i izoluar, pra ai nuk integrohet fare në jetën e përditshme, ky është një problem shumë i madh”, tha Bajrami teksa shpjegoi problemet që një person para dhe tetrapelgjik has në jetën e përditshme.

Një problem ende i pazgjidhur për këtë kategori mbetet edhe barriera infrastrukturore.

Bajram Tirana u shpreh për Citizens Channel se problemet infrastrukturore i pengojnë ata të kryejnë aktivitete të jetës së përditshme lirshëm.

“Unë jam i detyruar të lëviz me një shoqërues, pasi nuk ka infrastrukturë për ne. Unë nuk shkoj dot lirshëm në një kafene sepse shumica prej tyre nuk na japin akses”, sqaron ai.

Pjesëmarrja e personave me aftësi të kufizuar në mënyrë të barabartë në shoqëri duke përfshirë edhe heqjen e barrierave në aksesueshmëri, rregullohen me ligjin nr.93 të vitit 2014. 

Megjithatë, zbatimi i tij mbetet ende jo i plotë në praktikë.

“Kemi probleme me trotuaret, me lokalet. Lokalet nuk të ofrojnë asnjë lloj infrastrukture. Pra këtu duhet të ketë, besoj se ka edhe një ligj që nuk duhet të japë leje ndërtimi pa pasur përshtatshmëri për personat me aftësi të kufizuar. Lokalet jo vetëm infrastrukturë që nuk kanë, qoftë për të hyrë e për të pirë një kafe, por tualetet lënë shumë për të dëshiruar. Nuk ka asnjë lloj përshtatshmërie për personat invalid për t’u futur në tualet”, sqaroi më tej Bajrami.

Citizens Channel e ka adresuar dhe më herët këtë problem me mungesën e infrastrukturës, çka i pamundëson lëvizjen e lirë personave me aftësi ndryshe.

E teksa flet për mungesën e infrastrukturës, Bajrami shprehet se ndryshimi duhet të nisë nga institucionet publike, për t’u pasqyruar më pas tek ato private.

“Duhet të fillojë ndryshimi më parë tek institucionet publike. Është gjëja më e rëndësishme për një invalid, para dhe tetraplegjik, kur gjen akses dhe përshtatshmëri tek institucionet publike. Unë nënkuptoj ligjin dhe rregullin e atij shteti”, tha Bajrami.

Ai bën një krahasim me zonat rurale, ku thotë se aty mungesa është edhe më e thelluar.

“Marrim zonat rurale, edhe ata duhet të jetojnë, duhet të jenë njerëz si ne dhe ata kanë të drejta të barabarta. Prandaj kjo duhet të jetë kulturë gjithëpërfshirëse, pra duhet të kap gjithë Shqipërinë”, thotë Bajrami teksa shton se në Tiranë është bërë pak më shumë punë, por jo aq sa duhet.

Për ndryshimet e bëra deri më tani, ai vë në dukje qëndresën që ata kanë bërë.

“Por me lobimin që kemi bërë ne, me kërkesat që kemi bërë, duke mos reshtur së kërkuari përshtatshmëri, gjërat kanë filluar të lëvizin”, tregon Bajrami teksa i bën apel shtetit që t’u japë mundësinë që këta persona të mos kenë më barriera në lëvizje.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *