Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rritja e çmimeve të konsumit, ushqimet dhe transporti kategoritë që u ndikuan më shumë

Çmimet e produkteve të konsumit kanë pësuar rritje në vitin 2022. Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i çmimeve në janar është më i larti krahasuar me dy vitet paraardhëse. 

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve në muajin Janar 2022 është 3,7 %, ndërkohë një vit më parë rritja ishte 0,6%.

Sipas INSTAT, ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve në muajin Janar 2022, krahasuar me Dhjetor 2021 është 1,3 %.

Kategoria që ka pësuar më shumë rritje të çmimeve është “ushqime dhe pije jo alkoolike”. Më pas i dyti në listë është “Transporti” me +0,48 pikë përqindje. Më pas listohen “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,38 pikë përqindje. 

Si përllogaritet indeksi i çmimeve të konsumit? 

Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përdorura nga njësitë ekonomike familjare për konsum vetjak. Indeksi  llogaritet duke përdorur strukturën e konsumit final të njësive ekonomike familjare. Indeksi përdoret si  matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri.

Ekspertët argumentojnë se rritja e çmimeve të ushqimeve në një vend si Shqipëria është shumë shqetësuese. 

Ekonomisti Klajdi Bregu, i tha Citizens Channel se “në Shqipëri varfëria relative (ata që jetojnë me më pak se $5) është rreth 31 përqind, dhe kjo rritje e çmimeve pritet të shtojë vështirësitë e kësaj shtrese të shoqërisë”.

“Për këtë grup të shoqërisë pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre shkon pikërisht për ushqime dhe kur çmimi i ushqimeve rritet jeta bëhet edhe me pak e përballueshme”, u shpreh ai.

Bregu shprehet se në rritjen e çmimeve kanë ndikuar shumë faktorë globalë.

Klajdi Bregu, ekonomist

“Ajo që ne po shohim në shumë vende, përfshirë këtu vendet e BE-së dhe SHBA, është që çmimet e ushqimeve në vitin e fundit janë në rritje. Duke pasur parasysh që ne jemi një vend që importojmë shumë, një pjesë e këtij inflacioni po importohet edhe në vendin tonë”, u shpreh Bregu.

Por përtej fakotrëve globalë, ai rendit edhe faktorë lokalë që sipas tij, e bëjnë “situatën edhe më keq”.

 “Në Shqipëri ne nuk kemi një ekonomi tregu funksionale sepse korrupsioni dhe lidhjet e bizneseve me qeverinë nuk lejojnë konkurencën të jetë në nivelin e duhur. Pasoja kryesore dhe e menjëhershme, që ne shohim kur konkurenca pengohet me mjete jashtë tregut, janë çmimet e larta. Prandaj, të paktën pjesërisht, këtë rritje të çmimeve mund tja atribuojmë mungëses të konkurencës në vend”, shton Bregu.

Protesta kundër rritjes së çmimeve dhe varfëria

Teksa indeksi i çmimeve vjen në rritje, pakenaqësia e qytetarëve është rritur gjithashtu. Në tetor të vitit të kaluar, qytetarë e aktivistë dolën në shesh për të shprehur indinjatën e tyre në lidhje me rritjen e çmimeve.

Ata shprehën kundërshtinë për rritjen e çmimit të bukës, gazit, naftës, energjisë elektrike. Aktivistët akuzuan institucionet për keq menaxhim të krizës dhe mos marrje përgjegjësish. Ndërsa qytetarët u shprehën se e kanë të pamundur të përballojnë jetesën me këtë nivel të ri çmimesh.

Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), tregoi se Shqipëria është vendi me varfërinë me të lartë në rajon.  

Në vitin 2020, në Shqipëri një e treta e popullsisë, pra 32.6%, konsiderohej e varfër, nga 31.8% që ishte në 2019.  

Shkalla e varfërisë në Shqipëri është një nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbulimi i saj me mbrojtje sociale është ndër më të ulëtat”, thuhet në raportin e FMN.

Sipas vlerësimit të FMN-së, bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, të varfër quhen ata persona që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë.

Sipas Bankës Botërore nga viti 2021  deri në  vitin 2023, varfëria do të bjerë me vetëm 1.5 përqind në total, edhe më pak se në shtatë vitet e fundit. 

Në një analizë për Citizens Channel, ekonomisti Klajdi Bregu sqaroi arsyet se pse nuk ulet varfëria në Shqipëri pavarësisht rritjes ekonomike. Bregu i tha Citizens se është shumë shqetësues ritmi me të cilin varfëria ka rënë nga viti 2014 ku arriti vlerën më të lartë prej 37%. 

Minimumi jetik 

Mungesa e njjë minimumi jetik të garantuar me ligj e bën më të vështirë përballimin e rritjes së çmimeve për kategoritë në nevojë.

Avokati i popullit prezantoi një draft ku propozohet se sa duhet të jetë minimumi jetik në Shqipëri. Sipas studimit të Avokatit të Popullit, një personi i duhen minimalisht 17 875 lekë për të garantuar nevojat bazë për një muaj.

“Kjo vlerë është 9,9 % më e lartë sesa pensioni minimal për zonat urbane, 37,5 % më e lartë se pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më e lartë se ndihma ekonomike, ndërsa është 45,5 % më e ulët sesa paga minimale”, njoftoi Avokati i Popullit gjatë prezantimit në korrik të 2021.

Në Shqipëri, minimumi jetik nuk është i përcaktuar në terma konkretë, përveçse si parim në Kushtetutë sa i përket dinjitetit të njeriut, të drejtave dhe lirive të tij, drejtësisë shoqërore.

"Është e rëndësishme që vakumi normativ i përcaktimit të minimumit jetik duhet të përfundojë sa më parë në mënyrë që të vendoset një standard normativ me efekte të drejtpërdrejta në politikat sociale dhe ekonomike, si dhe të sigurohen garancitë e qytetarëve në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të jetesës", thuhet në draftin e Avokatit të Popullit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *