Xheni Karaj, është aktivistja shqiptare që ka marrë çmimin ndërkombëtar si Mbrojtëse e të Drejtave të Njeriut 2022, nga “Civil Rights Defenders”.
Ky çmim është dhënë për aktivisten duke njohur kontributin e saj ndër vite për mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTI+ në Shqipëri, ku mjedisi është jo pranues ndaj komunitetit.
“Shumë e emocionuar, por edhe e habitur sepse kolegët e zyrës në Shqipëri kishin vite që më kishin nominuar për çmimin, por duke qenë se është çmim goxha konkurrues, ky ishte viti që u përzgjodh. Është hera e dytë që vjen në Ballkan si çmim dhe mendoj që është arritje sidomos për Shqipërinë sepse në Shqipëri është hera e parë që i jepet një aktivisti”,- shprehet Xheni për Citizens Channel.
Mes emocionesh ajo rrëfen se ky çmim është njohja e punës së saj ndër vite, ndërsa nuk ngurron t’jua kushtojë edhe bashkëpunëtorëve të saj të ngushtë dhe kolegëve.
“Për mua personalisht është njohja e gjithë punës së këtyre viteve dhe mendoj që është shumë frymëzues dhe inspirues për të vazhduar për të punuar akoma më fort në të ardhmen. Mendoj që është një çmim që nuk më përket vetëm mua, por Kristit dhe të gjithë personave të tjerë të komunitetit që këto vite kanë luftuar bashkë me mua dhe kanë qenë aty pavarësisht rreziqeve personale që kanë pasur. Sidomos kolegëve të mi të organizatës, që unë pa mbështetjen e tyre edhe unë sdo kisha arritur të bëja asgjë nga këto që kam bërë”,-rrëfen ajo.
Xheni e nisi aktivizmin e saj në vitin 2009, në moshën 21 vjeçare, ndërsa bëri daljen e parë publike si pjesë e komunitetit LGBTI+ në një televizion kombëtar, teksa ndërhyri nga audienca e pranishme në studio kur një politikan në panel tha se do ta vriste djali ne tij nëse ai do të ishte homoseksual.
Prej atëherë ajo ka qenë një zë i fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI+ në Shqipëri, por edhe kundrejt çdo padrejtësie sociale në vend.
“Mendoj që është një mundësi e mirë akoma më shumë për të rritur edhe ndërgjegjësimin dhe vëmendjen ndaj çështjeve LGBT në një rajon si Ballkani dhe sidomos në një shtet si Shqipëria”,-përfundon Xheni.
Bashkë me Xhenin, për vitin 2022 çmimi ka shkuar edhe për aktivistin nga Uganda Frank Mugisha për luftën e palodhshme për të drejtat e personave LGBTI+ në vende ku homofobia, diskriminimi dhe dhuna janë të përhapura.
Shqipëria, e pasqyruar në shumë raporte monitoruese si një ndër vendet më homofobike në Evropë nuk është një vend premtues për shumë persona të komunitetit, duke bërë që një pjesë e madhe e tyre të largohen për shkak të kërcënimeve dhe dhunës fizike e psikologjike.
Megjithatë, aktivizmi i Xhenit për të siguruar më shumë të drejta e barazi vijon përmes punës në “Aleanca LGBT”, një organizatë LGBTI+ në Tiranë e drejtuar prej saj.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).