Raporti i fundit i Këshillit të Europës për vitin 2021 dhe fillimin e 2022, nxjerr në pah se janë rritur kërcënimet ndaj gazetarëve.
Një numër i lartë i rasteve të keqtrajtimeve dhe frikësimit ndaj gazetarëve është rregjistruar gjatë kësaj periudhe në Poloni, Rusi, Serbi, Slloveni dhe Britani. Kështu tregon raporti i Këshillit të Europës “Mbrojtja e lirisë së shtypit në kohë tensionesh dhe konfliktesh”.
Raporti u hartua nga 15 organizata të medias, dhe tregon se përqindja e kërcënimeve ndaj lirive të medias u rrit në mënyrë dramatike në vitin 2021. Gjatë vitit të kaluar, u regjistruan 41% më shumë kërcënime serioze ndaj lirisë së medias sesa në vitin 2020.
“Shumica e kërcënimeve ndaj gazetarëve ishin të përqendruara ndaj jetës, shëndetit dhe integritetit fizik të tyre”, thotë raporti.
“Liria e medias në Shqipëri”
Raporti përmend Shqipërinë si pjesë e vendeve ku janë raportuar incidente sulmi nga forcat e policisë gjatë raportimit të ngjarjeve publike.
Pjesë e listës përveç Shqipërisë janë edhe Franca, Greqia, Polonia, Rusia, Spanja, Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia.
Gjithsej janë raportuar 12 incidente në këto vende, duke shënuar kështu një renie të ndjeshme nga viti 2020, thotë raporti.
Mbi “Ruajtjen e konfidencialitetit të burimeve”, raporti thotë se ka pasur katër sinjalizime në Itali, Portugali dhe Shqipëri ku konfidencialiteti i burimit është rrezikuar.
“Përdorimi i kompetencave hetuese nga zyrtarët e zbatimit të ligjit kërcënoi mbrojtjen e burimeve dhe sinjalizimin e sjelljeve të paligjshme ose keqbërjeve. GJEDNJ ka vendosur kriteret sipas të cilave shkelja e konfidencialitetit është nën mbrojtjen e lirisë së shprehjes”, thotë raporti.
Mbi “Ngacmimin administrativ”, raporti përmend Shqipërinë së bashku me shtete të tjera si Rusia dhe Turqia.
Për Shqipërinë ai sjell në vëmendje rastin kur kryeministri Edi Rama censuroi gazetarët e Kosovës në një konferencë për shtyp.
“Liria e medias në Ballkanin Perëndimor”
Për Ballkanin Perëndimor, raporti thekson se ka pasur raste kur zyrtarë shtetërorë kanë sulmuar gazetarët, kryesisht në mitingje dhe protesta.
“Siguria e stafit të medias në këto ngjarje ishte aq e rrezikuar sa në disa raste organizatat e medias dhe stafi i tyre ndaluan së shfaquri logon e tyre gjatë raportimit nga terreni”, thuhet në raport.
Raporti përmend edhe Kosovën, përpos faktit që nuk bën pjesë në Këshillin e Europës. Raporti thotë se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës më 2021 ka regjistruar 29 raste të kërcënimeve dhe shkeljeve të tjera të lirisë së shtypit.
“Këto raste përfshijnë sulmet fizike, kërcënime ligjore të iniciuara nga prokurorët dhe fushatat e shpifjeve”, thuhet në raport.
Raporti nënvizon se në Kosovë vazhdon mosndëshkimi në rastet e gazetarëve të vrarë. “Nuk pati asnjë përparim domethënës në hetimet e gazetarëve të vrarë ndërmjet viteve 1998 dhe 2005”, thotë raporti.
Së fundmi raporti thekson se Kosova duhet t’i shtohet “Platformës për t’u mundësuar partnerëve të përpilojnë dhe shpërndajnë informacion mbi shqetësimet serioze për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në atë vend”.
Për Serbinë, raporti përmend krijimin e grupit të punës për sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve, në dhjetor 2020, por thekson se në mars të vitit 2021 pesë shoqata të gazetarëve dhe mediave u tërhoqën nga ai grup, duke përmendur “mungesën e besimit në institucione dhe fushatën e orkestruar të shpifjeve dhe kërcënimeve ndaj grupit drejtues të gazetarëve hulumtues KRIK”.
Sakaq, raporti sjell në vëmendje se në Serbi paditë SLAPP (Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike), janë kthyer në taktikë të zakonshme kundër mediave të pavarura.
“Zakonisht, prokurorët i kërkojnë gjykatës që të detyrojë gazetarët dhe mediat të heqin publikimet, të kërkojnë falje, të publikojnë korrigjimin dhe të angazhohen që të mos raportojnë për një temë të caktuar në të ardhmen”, thotë raporti.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.