Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Elbasan: Familjet në nevojë i kërkojnë bashkisë të heqë tarifat për ushqimin e fëmijëve në kopshte

Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome, (LRER) përmes një kërkese dërguar Bashkisë Elbasan kërkon që të zgjatet orari i qëndrimit të fëmijëve në kopësht dhe të hiqet pagesa prej 160 lekësh në ditë për drekën e fëmijëve.

Besnik Bodurri, aktivist i LRER sqaron për Citizens Channel dhe kjo nismë synon që familjet në nevojë, përfshi këtu dhe komunitetin rom dhe egjiptian të lehtësohen nga pagesa për frekuentimin e kopshteve dhe çerdheve me dreke.

Nga kontaktet që kemi me anëtarë të komunitetit kemi vënë re se shume familje nuk i dërgojnë fëmijët në këto institucione për shkak të arsyeve ekonomike“, tha Bodurri për Citizens Channel.

Kjo është hera e parë që ndërmerret një nismë e tillë në Elbasan. Një praktikë të ngjashme e ndjek Tirana, gjë e cila u arrit në 2019 pas kërkesave nga aktivistë të komunitetit rom dhe egjiptian në Tiranë.

Per tu bërë e mundur kjo gje nevojitet që Këshilli i Bashkisë Elbasan të miratojë në vendimin e përcaktimit të tarifave dhe taksave vendore përjashtimin e kategorive në nevojë nga pagesa e çerdheve dhe kopshteve me drekë“, shton Bodurri.

Më tej ai sqaron se aktivistët janë në pritje të reagimit të bashkisë.

Në rast të mosveprimit prindërit do të ndërmarrin hapa të tjerë për arritjen e kërkesës së tyre“, thotë Bodurri.

“Rasti i Tiranës, si u arrit miratimi”

Ola Tare nga qendra TRE-ja, sqaron për Citizens Channel se si u arrit heqja e pagesës në Tiranë.

Ola Tare, aktiviste

“Ne e nisëm që në 2017 me shkresa dhe takime të drejtpërdrejta me anëtarë të Këshillit Bashkiak. Deri në vitin 2019 nuk pati reagim nga institucioni. Gjatë shtator- tetorit të 2019 ju referuam ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe ndërmorëm nismën për mbledhjen e firmave të 6000 banorëve të Tiranës”, shprehet Tare.

Tare kujton se dërguan 3 ankesa nga prindërit te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Sipas vendimit të komisionerit kjo përbënte diskriminim për shkak se ju hiqte të drejtën fëmijëve për të ndjekur kopshtet, çerdhet bazuar në mungesën e të ardhurave të familjeve.

Ne dhjetor 2019 Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin për përjashtimin nga tarifa e regjistrimit dhe ushqimit fëmijët rom dhe egjiptian në kopshtet dhe çerdhet publike te Tiranës.

“Rritja e çmimeve rëndon situatën ekonomike të familjeve rome dhe egjiptiane”

Besnik Bodurri sqaron se situata ekonomike aktualisht është më e rënduar për shkak të rritjes së çmimeve, për familjet rome dhe egjiptiane.

Shumë familje të komunitetit, me rritjen e çmimeve janë duke u përpjekur që të punojnë orë shtesë. Orari i kufizuar për të dërguar fëmijët në kopësht kushtëzon prindërit që të punojnë pas orës 12:00.

Shohim shumë prindër të interesuar për t’i lënë fëmijët e tyre në kopshte me dreke, për shkak të mbajtjes së fëmijëve deri në orën 4, gjë e cila do tí krijonte mundësi prindit të gjente një punë dhe të punojë“, shprehet Bodurri.

Më tej ai shton se problemin më të madh për të punuar e kanë gratë, “duke qenë se barra e rritjes së fëmijës iu bie atyre”.

Mirjena Ramazani është nënë e tre fëmijëve dhe orarin kufizuar dhe pagesa e drekës ia la vështirësuar asaj jetesën.

“Unë punoj deri në 4, por me kë ta lë vajzën e vogël. Po i lë fëmijët rrugëve, se nuk e paguaj dot kopshtin. Më shkon 45 mijë lekë në muaj, unë nuk e përballoj dot, nuk kam të ardhura. Kam tre fëmijë për të mbajtur”, shprehet Ramazani për Citizens Channel.

Ajo tregon se i rrit e vetme fëmijët dhe “hallin lë të madh e kam për vajzën e vogël 3 vjeç”.

Mirjena Ramazani shprehet se qëndrimi i vajzës deri në orën 12 e ka detyruar që të punojë me orare të reduktuara tani.

“Tani nuk punoj më deri në 4 se nuk mundem. Po pres të nis punë diku tjetër. Po të rinte vajza në kopësht do e kisha mendjen e mbledhur se atje është e sigurt të paktën”, tregon Ramazani.

“Nuk më pëlqen ti lë fëmijët me njerëz të tjerë”, shton ajo.

Së fundmi Mirjena shprehet se kjo është më pakta që mund të bëjë shteti për të.

“Kjo është ndihmë për mua, më e pakta të paktën të punoj. Unë skam as shtëpi, as ndihmë ekonomike nga shteti”, tregon Mirjena.

“Nevoja për miratimin e minimumit jetik”

Nisma të tilla, të lidhura ngushtë me shpenzimet për nevoja jetike, sjellin në vëmendje nivelin e varfërisë në vend dhe nevojën për miratimin e minimumit jetik.

Vlera e minimumit jetik për person është 17,875 lekë, sipas Avokatit të Popullit.

Është një shifër 9.9 % më e lartë sesa pensioni rural, 37.5 % më e lartë se pagesa e papunësisë edhe gati tre herë më e lartë se pagesa e ndihmës ekonomike.

Shqipëria është një vend ku rreth 41% e shpenzimeve totale të një familjeje shkojnë për ushqime dhe pije jo-alkoolike.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë..

Gjithashtu Shqipëria ka nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në Europë.

Këto fakte përforcojnë nevojën e miratimit të minimumit jetik, që sipas ekspertëve nuk ndikon vetëm tek shtresat më të varfra por në të gjithë shoqërinë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *