Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gjykata rrëzon për herë të tretë “rindërtimin e detyruar” të Kombinatit 

Për herë të tretë banorët e Kombinatit fituan në gjykatë kundër bashkisë Tiranë për shembjen e pallateve.

Gjykata Administrative vendosi të rrëzojë vendimit e këshillit bashkiak të Tiranës që përcaktonte shembjen e pallateve 141 dhe 153 në zonën e Kombinatit. Me një vendim të Këshillit Bashkiak më 28 shtator 2020 këto pallate u shpallën të pabanueshme duke udhëzuar prishjen e detyruar.

Sipas avokates Irena Dule, e cila përfaqësoi banorët në gjykatë, shkalla e dëmtimit të pallateve ishte DS3 dhe jo DS4 sipas akt-ekspertizës së bashkisë Tiranë.

“Për pallatin 141 dhe pallati 153, të dyja këto vendimmarrje gjykata i vlerësoi të gabuara, në kundërshtim me ligjin. Pra edhe shkalla e dëmtimit, e cila u provua nga ekspertët ishte më e vogël, pra jo DS4, por DS3”,-u shpreh avokatja Dule.

Gjatë mbledhje së këshillit bashkiak më 2020, kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj u shpreh se: “Kemi zhvilluar 8 seanca maratonë, ku çdo pallat është studiuar dhe prezantuar në mënyrë transparente nga inxhinierët, me të gjithë librat e kontrolleve dhe akt-konstatimet e projekteve inxhinierike”.

Sipas aktit normativ 9/2019 të miratuar “Për Përballimin e Pasojave të fatkeqësisë Natyrore” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr.634, dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti vlerësohen në shkallën nga DS1 në DS5, ku DS1 është shkalla më e lehtë e dëmtimit dhe DS5 shkalla më e rendë e dëmtimit. Nëse shkalla është e lehtë dhe mesatare, pra nga DS1-DS3 banorët marrin një fond lekësh në varësi të dëmtimit.

Për shkallën e dëmtimit DS4, sipas nenit 34 të aktit normativ numër 9/2019 të miratuar për përballimin e pasojave të tërmetit, nëse ndërhyrjet për riparimin e strukturës së godinës kushtojnë më shumë se 70% e kostos së rindërtimit nga e para të godinës, atëherë autoriteti përgjegjës vendos shembjen e detyruara të këtij objekti.

Sipas avokates Dule, akt-ekspertiza e bashkisë i nxori këto pallate në një shkallë dëmtimi më të lartë se sa ishte në të vërtetë, e pranuar kjo edhe nga oponenca e institutit të ndërtimit.

Irena Dule, avokate

Fakti është që të dyja këto pallate kanë qenë në një shkallë DS3 dhe jo DS4 siç pretendon pala e paditur, pra Bashki, Instituti i ndërtimit dhe Këshilli Bashkiak por edhe sikur DS4 të ishte vlera e dëmtimeve është poshtë 70% , diku në një rast u vlerësua 40 % , diku në një rast tjetër, të paktën dy rastet e sotme u vlerësua diku te 45%, në mos gaboj 3-4% rangu gabimit. Do të thotë shumë poshtë asaj vlerës që duhet prishur”,-argumenton avokatja Irena Dule.

Në ndryshim nga rastet e tjera, pallati 153 tanimë është i shembur, duke u gjykuar nga gjykata pas shembjes. Mirëpo, sipas avokates gjykimi u bazua në akt-ekspertizën e kryer në mënyrë private nga banorët dhe preventivëve të punimeve.

“Më përpara vetë banorët janë investuar dhe kanë bërë një akt privat ekspertize që u paraqit para gjykatës, për të vlerësuar dhe shkallën e dëmit, por ishte shumë e thjeshtë për të dalë në përfundimin e vendimit të kundra ligjshëm të bashkisë sepse preventivi i punimeve gjendet kudo sepse është pjesë e të gjithë dosjes që ka sjellë pala e paditur”.

Sipas avokates preventivi ka pasur kosto të shtuara me qëllim tejkalimin ligjor prej 70% të kostos.

“Ka pasur zëra të tillë në preventiv që e kanë rritur vlerën e preventivit në mënyrë artificiale për ta kapur këtë vlerë 70%. Ka pasur trotuare, pemë dekorative, sisteme zjarri, veshje kapot, gjëra të cilat nuk i shërbejnë qëndrueshmërisë së pallatit, siç vetë akti normativ kërkon, që ti do të investosh aq sa ta bësh pallatin të qëndrueshëm dhe jo ta bësh pallat luksi’,-përfundon avokatja Dule.

Padia e ngritur për pallatin 153 u krye nga një fondacion fetar, pasi në katin e parë të pallatit ushtronte veprimtarinë një kishë. Ky vendim gjykate përveç provimit të kundërligjshmërisë, detyron njëkohësisht bashkinë Tiranë të dëmshpërblejë banorët për vlerën e pronës.

Pallati 141 nuk do të shembet, sikurse kërkoi bashkia Tiranë, duke u bërë pallati i pestë pas pallatit 146, 157 dhe 159 (ende të pashembur) dhe pallatit 153 (i shembur) që kanë fituar çështjen kundër bashkisë Tiranë.

Ky vendim pritet të apelohet nga bashkia Tiranë, ndërsa sipas avokates Irena Dule janë edhe një sërë çështjes të tjera që po ndiqen në gjykatë për të njëjtin vendim të këshillit Bashkiak, atë të shembjes si rezultat i dëmtimeve nga tërmeti.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *