Citizens.al

Raport: Liria e medias dhe siguria e gazetarëve në Shqipëri në 2021

Niveli i lirisë së medias dhe siguria e gazetarëve në Shqipëri në 2021 pati problematika dhe në disa fusha përkeqësime.

Në 2021 Shqipëria mori dhe renditjen më të ulët historike të në Indeksin e Lirisë së  Medias. Vendi u rendit i 103 nga 180 vende, në raportin e hartuar nga Reporterët pa Kufij.

Sipas raportit të fundit të publikuar nga Safe Journalists për 2021, rezulton se cilësia e përmbajtjes mediatike u përkeqësua si dhe pavarësia editoriale u ndikua nga rritja e autocensurës. Po ashtu, raporti thekson se në 2021 u zvogëlua hapësira për gazetari të pavarur dhe kritike, si pasojë e frikës nga presionet. 

Sulmet aktuale ndaj sigurisë fizike dhe jetës së gazetarëve dhe të afërmve të tyre mbeten të kufizuara në Shqipëri”, thuhet në raport. Por nga ana tjetër rastet e pakta që denoncohet dhe raportohen nuk hetohen siç duhet dhe ka transparencë të kufizuar. 

Institucionet shtetërore të Shqipërisë nuk kanë krijuar ende mekanizma efektivë specifikë për gazetarët tanë dhe stafin e medias për të siguruar masa mbrojtëse kur kërcënohen”, thotë raporti.

“Liria e shprehjes” 

Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e shprehjes, lirinë e medias dhe lirinë e informimit. Sipas legjislacionit në fuqi për lirinë e shprehjes, nuk përfshihet direkt aksesi në internet.  Por aksesi në internet garantohet nëpërmjet Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Raporti i Safe Journalists tregon se ky kuadër ligjor nuk është zbatuar plotësisht. Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për sa i përket liria e shprehjes dhe asnjë përparim nuk u vu re në 2021, argumenton raporti i KE. 

Raporti i Kombeve në Tranzit thekson se viti 2021 ishte sfidues për gazetarët për shkak të kërcënimeve, ngacmimeve dhe kushteve të tmerrshme të punës.  Në vitin 2021, Shqipëria nuk kaloi në zhvillimin e legjislacionit të ri për median”, thotë raporti i SJ edhe pse në tetor 2021 qeveria shqiptare u zotua të rishqyrtojë miratimin e ndryshimeve në ligjin për median të miratuar në 2019, të cilat u kritikuan ashpër nga organizatat mediatike vendase dhe ndërkombëtare. 

Edhe pse kryeministri Edi Rama vijon të deklarojë që do të rregullojë mediat online, ende nuk janë propozuar ndryshime të reja ligjore.  Aktualisht, nuk ka asnjë legjislacion që kërkon të licencohen mediat e shkruara dhe ato online që shkojnë përtej një regjistrimi të thjeshtë biznesi dhe taksash”, thotë raporti i SJ.

Raporti sjell në vëmendje  shqetësimet për Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) gjatë 2021.

Pavarësia dhe praktikat e funksionimit u rritën pas zgjedhjes së një personi të lidhur politikisht me partinë në pushtet si kryetar i AMA-s në korrik 2021, pavarësisht kritikave të shumta nga organizatat e pavarura mediatike”, thuhet në raporti.

Në vitin 2021, AMA operoi me burime njerëzore të kufizuara pasi të gjitha pozicionet e bordit drejtues, me përjashtim të Kryetarit, mbetën vakante midis 2019 dhe 2021.

“Pozicioni i gazetarëve në redaksi”

Në 2021 nuk pati përmirësim të të drejtave të gazetarëve në Shqipëri. Ata vijuan të punojnë me orare të zgjatura të papaguara, pa kontrata pune dhe nën presion. 

Raporti i Safe Jounralists tregon se rreth 5,970 gazetarë punuan me kontratë dhe 1,760 pa kontrata.  Rreth 80 përqind e reporterëve janë nën 35 vjeç dhe fitojnë më pak se 300 dollarë në muaj, dhe pothuajse 48 përqind e pagave u vonuan 2-6 muaj në 2021.

Mungesa e kontratave të punës mbetet një problem, i cili është theksuar edhe në raportë të tjera për median. 

“Veçanërisht për gazetarët e rinj dhe gazetarët që punojnë në mediat online”, thekson raporti i SJ.

Një tjetër problem është sigurimi shoqërorë dhe mungesa e lejes së shtatëzanisë. 

Frekuenca e pagesës është një problem veçanërisht për gazetat, mediat online dhe mediat lokale”, thuhet në raport. 

As kushtet e punës nuk u përmirësuan në 2021. Raporti thotë se u vunë re “tendenca të ngjashme si mosrespektimi i kushteve të punës, si heqja e lejes me pagesë, abuzimi verbal në vendin e punës dhe diskriminimi në bazë të gjinisë ose bindjeve politike”.

Situata paraqitet edhe më e errët në mediat online, ku sipas raportimeve gazetarët punojnë në kushte informaliteti, pa kontrata pune dhe janë anonim në shkrimet e tyre.

“Pavarësia editoriale është jashtëzakonisht e pasigurt në Shqipëri’, thuhet në raport. 

“Siguria e gazetarëve”

Bazuar në ligjin për lirinë e shprehjes, siguria e gazetarëve si në internet dhe jashtë tij është e garantuar, por nuk ligje specifike që trajtojnë sigurinë e tyre. 

Në vitin 2021 vërehet se institucioneve shtetërore u mungojnë burimet dhe kapacitetet për të mbrojtur gazetarët në hapësirën online dhe offline, thotë raporti  i Safe Journalists. 

Institucionet në Shqipëri nuk regjistrojnë dhe nuk publikojnë të dhëna për sulme specifike ndaj gazetarëve dhe mosndëshkim. 

Në vitin 2021, përgjithësisht vërehet se sulmet ndaj sigurisë së gazetarëve dënohen nga zyrtarët shtetërorë dhe konsiderohen si shkelje e lirisë së shprehjes”, thotë raporti.

Ndërsa, Policia ka reaguar publikisht më shpejt në vitin 2021, megjithatë hetimet vijuese janë të kufizuara.

Sakaq, në 2021 institucionet e pavarura kanë bashkëpunuar me organizatat e gazetarëve për sigurinë e gazetarëve, si Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisioneri për Mbrojtjen e Informacionit dhe të Dhënave.

Po ashtu, Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia kanë bashkëpunuar me organizatat e gazetarëve për çështjet e sigurisë së gazetarëve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *