Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Pa tarifë nuk ka shkollim”, Shkencat Sociale ndalojnë studentët të prezantojnë diplomat

Studentë të Shkencave Sociale janë ndaluar të futen në prezantimin e diplomës për shkak të vonesave në pagesën e tarifës. Lëvizja për Universitetin (LPU) e denoncoi rastin duke e cilësuar sjelljen e përfaqësuesve të universitetit si antikushtetuese dhe diskriminuese.

“E kushtëzuar nga logjika tregtarizuese e ligjit të arsimit të lartë, sot burokracia e Fakultetit të Shkencave Sociale tentoi të mos fuste në provimin e diplomimit studentët e vitit të tretë që nuk kishin paguar tarifat. Kjo pengesë absurde u tejkalua falë ndërhyrjes së aktivistëve të “Lëvizjes Për Universitetin” dhe reagimit të vendosur të studentëve”, thuhet në deklaratën e LPU-së.

Aktivisja Anxhela Naso tregon për Citizens Channel momentin kur ka ndodhur ndalimi i studentëve dhe ndërhyrjen e tyre. 

“Ditën e provimit të diplomës për vitet e treta në Fakultetin e Shkencave Sociale, studentët lëvizin korridoreve me kupon për të paguar tarifën dhe jo me libra e shënime. Administrata i kërcënon se nuk do futen në provim pasi s’kanë paguar tarifën”, thotë ajo.

Nasto tregon se studentët përballen me vështirësi ekonomike dhe në momentin që nuk janë lejuar të futen në diplomë dhe “kërkonin 400 mijë lekë me urgjencë nga prindërit”.

“Fakulteti ka të drejtë të mos i japë studentëve që s’kanë përmbushur detyrimet financiare kartonin e diplomës, ama jo t’i penalizojë ata duke mos i futur në provim”, shprehet aktivistja.

Ajo e konsideron këtë ndalim si antikushtetues pasi “e drejta për arsim kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie” dhe jo ekonomike.

Aktivistja tregon se problemi u zgjidh pas ndërhyrjes së tyre duke folur me dekanin i cili më pas ka lejuar studentët të japin diplomën.

“Studentët përballen me kosto të larta jetese, përpos tarifave”

Disa nga studentët të cilët u ndaluan të jepnin provimin e diplomës tregojnë për Citizens Channel vështirësitë ekonomike me të cilat përballen.

Ariela Cenaj, studente në Fakultetin e Shkencave Sociale, shprehet se përpos stresit të provimit që kishte u përball edhe me burokracitë e fakultetit, kjo pasi nuk kishtë paguar tarifën.

“E nëse nuk e paguanim para se të futeshim në provim, provimi do të ishte thjesht një iluzion që ti do doje ta arrije”, tregon ajo.

Ariela Cenaj, studente

Studentja tregon se për shkak të vështirësive ekonomike nuk kishte arritur ta paguante dot në kohë tarifën: “Të jesh student i rretheve dhe të jetosh në Tiranë, është e pamundur të mos kesh probleme ekonomike”.

Cenaj tregon se si një studente që vjen nga rrethet, familja e saj është hasur me vështirësi për shkollimin e saj. 

“Gjatë tre viteve shpenzimet kanë qenë të shumta, që nga librat, fotokipjet, transproti, qeraja. Askush nuk mund te penalizohet se nuk ka mundesi ekonomike”, shprehet e revoltuar studentja.

Cenaj shton se përmes reagimit dhe rezistencën ajo dhe studentët e tjerë ia arritën të hynin në provim.

E.D një tjetër studentë që nuk e kishte paguar tarifën tregon për Citizens Channel se si u ndalua të jepte provimin e diplomës.

“Për shkak të kushteve të vështira ekonomike,nuk e kam paguar tarifën. Ishte gjithçka mirë deri kur pedagogia lexoj emrat e atyre që mund të jepnin provimin, emri im nuk ishte në listë”, tregon studentja.

Ajo shprehet se në atë moment e kapi paniku dhe shkoi tek financierja dhe aty pa shumë studentë të tjerë që njësoj si ajo nuk e kishin paguar tarifën.

“U mundova ti shpjegoja pse se kam paguar tarifën, se ndoshta me kuptonte, ama ishte e kotë”, tregon studentja.

Aktivistët: “Ligji përçon fryme tregtarizuese”

Ligji për Arsimin e Lartë, është kundërshtuar nga studentët aktivistët e LPU-së që në fillesat e tij, pasi është cilësuar si një ligj klientelist dhe që studentin e kthen në një konsumator dhe “bankomat”.

Pedagogu dhe aktivsti Redi Muçi sqaron se vendosja e parakushtit të pagesës së tarifave për hyrjen në provimin e diplomimit “nuk sanksionohet në gërmën e ligjit në arsimin e lartë, por përçohet në frymën e tij”.

Redi Muçi, pedagog dhe aktivist i lëvizjes Për Universitetin

Me këtë, Muçi kupton se ligji dhe aktet nënligjore nuk e sanksionojnë këtë si kusht.

Ai sqaron se në nenin 73, pika 2 shkruhet:  “Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome.” 

“Pra këtu flitet për kritere cilësie në varësi të notës dhe jo të kryerjes së pagesës së tarifës”, sqaron ai.

Por përpos kësaj, pedagogu shton se “fryma tregtarizuese që përçon ligji, ka bërë që shumë fakultete ta aplikojnë këtë kriter bazuar në rregulloret e brendshme”.

Me fryme tregtarizuese ai kupton atë ku institucionet e arsimit të lartë supozohet të konkurrojnë për të thithur sa më shumë studentë të cilët do përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave, teksa buxheti i shtetit për arsimin vjen duke u tkurrur gjithnjë e më shumë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *