Minatori 56 vjeçar me iniciale M.B u plagos sot në një galeri kromi në zonën e Martaneshit. Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër aksidenti ndodhi rreth orë 14:00, ndërsa ai është dërguar për ndihmë mjekësore të specializuar drejt Tiranës.
56-vjeçari është zëne poshtë nga një masiv gurësh brenda në galeri, ndërsa ka marrë ndihmën e parë pranë spitalit të Bulqizës, për t’u dërguar më pas me helikopter në Tiranë.
Policia deklaron se po punohet për zbardhjen e rrethanave.
Pak ditë më parë, në një nga galeritë e Bulqizës humbi jetën një tjetër minator 52 vjeçar. Ndërsa nga policia nuk u bë e ditur subjekti minerar.
Sipas policisë në 10 vitet e fundit janë aksidentuar në minierat e Bulqizës 115 punëtorë dhe 18 kanë humbur jetën.
Sipas të dhënave nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, të siguruara përmes një kërkese për informacion, gjatë periudhës 2008-2022 (qershor) 6 persona kanë humbur jetën gjatë punës me subjekte të palicensuara në minierat e Bulqizës.
Ndërsa 39 persona kanë humbur jetën gjatë punës me firmat që disponojnë licensë.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).