Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti i KLSH: Bashkitë harrojnë politikat mjedisore, mungojnë strukturat dhe buxheti

Bashkive në Shqipëri u mungojnë fondet dhe strukturat e dedikuara për hartimin e politikave mjedisore, ka zbuluar auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). 

Vetëm një përqindje e vogël e buxhetit shkon për mjedisin, ndërkohë që politikat hartohen nga specialistë të fushave të tjera.

Mungesa e këtyre sturkturave për hartimin e politikave mjedisore dhe monitorimin e tyre “ndikon negativisht në përmbushjen e detyrimeve që këto njësi kanë për hartimin e planeve të veprimit për secilin element mjedisor”, thekson raporti.

Auditimi i KLSH përfshin gjithsej 7 bashki (Tiranë, Vlorë, Fier, Lezhë, Shkodër, Pogradec dhe Korçë), ku është monitoruar periudha 2018-2021. 

Auditimi nënvizon se pavarësisht se mbrojtja e mjedisit është një përparësi kombëtare dhe është e detyryar për të gjitha organet shtetërore, rezulton se këto 7 bashki nuk e kanë pasur prioritet çështjen e mjedisit.

“Thuajse në të gjitha NJVQV-të e audituara mungojnë struktura të dedikuara për të prodhuar politika mjedisore, si dhe qartazi ka munguar mbështetja me fonde buxhetore” thuhet në auditim.

Burimi:KLSH

Auditimi thekson se në Bashkinë Shkodër janë ngritur struktura për hartimin dhe monitorimin e këtyre politikave por “ato nuk kanë arritur të përmbushin rolin e tyre të plotë”.

Ndërkohë Bashkia Tiranë, më e madhja në vend ka shpenzuar vetëm 11.1% të buxhetit total për hartimin dhe monitorimin e politikave mjedisore.

“Sa i përket programeve të dedikuara për mbrojtjen e mjedisit dhe ndërgjegjësimit mjedisor në këto zëra nuk rezulton të ketë patur buxhetim dhe rrjedhimisht as realizim të tij”, thuhet në raportin e KLSH për Tiranën.

Burimi:KLSH

Bashkia Tiranë rezulton se kishte një strukturë të dedikuar në nivel drejtorie për hartimin e strukturave përkatëse, ndërsa në Bashkinë Shkodër kjo njësi përfshinte edhe detyra të tjera.

“Ndërsa në NJVQV-të e tjera detyrat për mjedisin kryheshin nga sektorë apo specialistë të ngarkuar për mjedisin, pjesë e drejtorive të ndryshme”, thuhet në adiutim.

Në bashkitë Lezhë, Fier, Vlorë, Pogradec dhe Korçë gjatë 2018-2021, nuk ka patur struktura të dedikuara për hartimin e politikave mjedisore dhe monitorimin e tyre duke mos përmbushur kërkesat e  ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”. 

“Çështjet që lidhen me mjedisin mbulohen nga specialistë në numër të pakët të cilët janë në përbërje të njësive të ndryshme brenda institucionit”, zbulon raporti.

Këta punonjës të cilët ngarkohen për çështjet mjedisore “nuk disponojnë detyra të qarta dhe të detajuara sa i përket hartimit të politikave mjedisore”.

Burimi:KLSH

KLSH i rekomandon Lezhës, Fierit, Vlorës, Pogradecit dhe Korçës që brenda vitit 2022 të ngrenë strukturat e nevojshme të dedikuara për hartimin e politikave mjedisore, si dhe të garantojnë bashkëpunimin me njësitë e tjera.

Bashkisë Tiranë dhe Shkodër i kërkon të rishikojnë strukturat ekzistuese për t’i bërë ato më efiçiente.

Të 7-ta bashkive KLSH u kërkon të shoqërojnë ndryshimet strukturore me përmirësim dhe azhurnim të akteve të brendshme rregullative “duke përcaktuar qartë detyrat dhe objektivat e njësive të dedikuara në funksion të ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit në territorin përkatës”.

Në buxhetin e vitit 2022, qeveria dha për bashkitë 18.7 miliardë lekë, me rritje vetëm 250 milionë lekë kundrejt vitit 2021 për 61 bashkitë, pra rreth 4 milionë lekë për çdo bashki.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *