Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Viktimat e mjerimit”, mungesa e energjisë elektrike shtyn drejt vdekjes njerëzit në nevojë

Mungesa e energjisë elektrike dhe vështirësitë ekonomike për të paguar faturën, e shtynë drejt vdekjes 48 vjeçarin Fatos Çollaku nga fshati Rrajcë. Prej muajsh ai nuk kishte mundur të paguante energjinë dhe ujin, e për pasojë këto shërbime jetike i ishin ndërprerë.

Vdekja e 48 vjeçarit është konsideruar si “vrasje nga shteti për shkak të mjerimit”. Organizata të shoqërisë civile kanë reaguar duke fajësuar shtetin për këtë tragjedi.

Organizata Drejtësi Sociale shkruan në reagimin e saj se OSHE-ja dhe Ujësjelljësi i prenë energjinë dhe ujin Çollakut por “nuk veprojnë në mënyrë të tillë me biznese të mëdha që janë debitor me mijëra euro”.

“Më e tmerrshme është mos reagim nga institucionet përgjegjëse për këtë ngjarje, pasi me veprimet/mosveprimet e tyre nxitën aktin e Fatosit”, thuhet në reagim.

“Shteti i oligarkëve ta vë litarin në fyt”, shkruan Organizata Politike në lidhje me ngjarjen, duke shtuar se rasti i Çollakut nuk është i përveçëm “por kulmim i një mënyre qeverisjeje që varfëron dhe i nëpërkëmb të varfri”.

“Në kushtet e varfërimit në rritje, miratimi i minimumit jetik do të ishte akti parë i një qeverie të përgjegjshme”, shkruan Organizata Politike.

“Qeveria që po na varfëron deri në vdekje”, thuhet në reagimin e Nismës Thurje e cila sjell në vëmendje se mbi 20 mijë familje jetojnë sot pa energji elektrike në Shqipëri. 

“Nëse mesatarisht një familje ka 5 anëtarë, 100 mijë shqiptarë sot flenë dhe zgjohen në errësirë”, shkruan Nisma Thurje duke shtuar se dhjetra kryefamiljarë qendrojnë ende në burg sepse rilidhën dritat pasi ua ndërprenë për shkak të mos pagesës së faturave.

“Mungesa e minimumit jetik shton viktimat e energjisë elektrike”

Në janar të këtij viti, 65 vjeçarja Liljana Sema u gjet e ngrirë nga i ftohti, pasi i kishin prerë dritat në banesën ku ajo jetonte e vetme. 

Si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, së bashku me Liljanën dhe Fatosin kanë humbur jetën nga 2015 edhe 4 persona të tjerë.

Në 2015 në Tiranë Arif Doda vrau veten pasi i kishin ndërperë energjinë elektrike të cilën nuk mund ta paguante. Po në të njejtin vit, një tjetër kryefamiljar vrau veten pasi nuk paguante dot dritat dhe se po ashtu i kishin ndërprerë energjinë. Fluturim Çuku, 41 vjeç në Librazhd i lënë në harresë vendosi t’i jepte fund jetës.

Pankartë gjatë protestës për vdekjen e Liljana Semës/Janar 2022, Foto: Citizens Channel

Një vit më vonë, në Mirditë një 99-vjeçare u gjet e ngrirë nga i ftohti pasi i kishin ndërprerë dritat. Në 2018 në Shkodër, 51 vjeçari Frrok Begaj humbi jetën pasi tentoi të lidhte dritat që ia kishin ndërprerë.

Shqipëria rendit ndër vendet më ta varfra në rajon, sipas raportit të fundit te Global Finance. 32% e popullsisë së Shqipërisë vuan nga pamjaftueshëmria ushqimore.

74.7% e popullsisë së Shqipërisë që është në moshë pune rrezikon varfërinë, sipas Eurostat.

Rreth 33% e popullsisë jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë dhe  sipas Bankës Botërore nga viti 2021  deri në  vitin 2023, varfëria do të bjerë me vetëm 1.5 përqind në total, edhe më pak se në shtatë vitet e fundit.

Ndërkohë që varfëria është tepër e lartë, Avokati i Popullit dhe struktura të tjera politike kanë ngritur zërin për nevojën e miratimit të minimumit jetik.

“Deri më sot nuk është gjykuar e përshtatshme të përcaktohet minimumi jetik në Shqipëri”, thotë studimi i Avokatit të Popullit.

Vlera e minimumit jetik për person është 17,875 lekë. Është një shifër 9.9 % më e lartë sesa pensioni rural, 37.5 % më e lartë se pagesa e papunësisë edhe gati tre herë më e lartë se pagesa e ndihmës ekonomike.

Në janar të 2022 aktivistë të shoqërisë civile ndërmorrën një nismë për miratimin e minimumit të energjisë elektrike për kategoritë në nevojë.

Foto nga protesta kunder rritjes se cmimeve

Nga të dhënat e mbledhura nga aktivistët dhe ekspetët, rezulton se janë mbi 60 mijë familje me ndihmë ekonomike, mbi 164 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe rreth 500 mijë pesnionistë.

Por nga VKM-ja e propozuar, jo të gjithë merren në mbrojtje, sepse mbështet vetëm disa nënkategori të cilat janë më të cënuarit.

“Ligji për sektorin e energjisë elektrike”

Ligji i vitit 2018 “Për sektorin e energjisë elektrike” në nenin 95 dhe 96 të tij parashikon rregullimet për shtresat në nevojë.

Neni 95 i Ligjit “Per sektorin e energjise elektrike” 2018 i ndryshuar

Kategoritë që duhet të përfitonin nga lehtësimet përfshijnë klientët në nevojë që përdorin energjinë elektrike në vendbanimin e tyre të përhershëm si dhe ata që kanë konsum të energjisë elektrike lidhur në rrjetin njëfazor.

Citizens Channel ka sjellë më parë historitë e disa familjeve  të cilat kishin mbetur peng i këtij ligji dhe jetonin pa energji elektrike.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *