Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Qendra e Tiranës, një shesh ndërtimi pa kriter”

Një tjetër kullë shumëkatëshe do t’i shtohet qendrës së Tiranës. “Tirana Multifuncional Center” quhet projekti më i ri për të cilin u mbajt një konkurs ku morën pjesë 5 studio, OODA, Cebra, FUKSAS, JDG+SHIGERU dhe UN STUDIO. Projektin fitues e ka ideuar studioja daneze “Cebra”. 

Kulla shumëkatëshe do të ngrihet mbi lulishten pas Pallatit të Operas dhe Baletit në qendër të kryeqytetit, duke zënë kështu edhe një tjetër hapsirë të gjelbër të mbetur në qendër.

Kjo është kulla e gjashtë që po ngrihet në qendrën e Tiranës, një zonë ku institucionet e qeverise qendrore dhe lokale i kanë lënë dorë të lirë investitorëve, duke ngelizhuar miratimin e rregulloreve që vendosin koeficentët e shfrytëzimit, lartësisë dhe përdorimit të truallit.

Një investigim i Citizens Channel, publikuar në maj të 2021 shpjegon si Bashkia e Tiranës dhe qeveria shqiptare po zëvendësojnë godinat historike me kulla shumëkatëshe, duke anashkaluar një sërë procedurash ligjore.

Sipas hartës së publikuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, qendra e Tiranës, (zona ku do ndërtohet edhe kulla e re) i përket njësisë strukturore TR/1. Në faqen zyrtare të AKPT nuk ka asnjë Plan të Detajuar Vendor (PDV) për zonën TR/1 edhe pse zyrtarisht ky territor është subjekt i PDV-së.  

“Sheshi si oborr i kullave shumëkatëshe”

“Premtimi im është që ne të kemi bashkë me qeverinë një moratorium të ndërtimeve, të ndërpresim  ndërtimet dhe të sigurohemi që fillimisht të shpëtojmë të gjitha hapësirat publike për parqe”, shprehej Veliaj në vitin 2015.

Por që nga ardhja e tij në krye të bashkisë Tiranë, disa ngrehina nisën të shfaqen në zona të ndryshme, pa asnjë uniformitet me pallatet ekzistuese. Lejet e ndërtimit vijuan të jepeshin njëra pas tjetrës, dhe kulmi arriti në vitin 2017, me projektimin e një seri kullash rreth qendrës së kryeqytetit të cilat vijojnë ende të ndërtohen. Sot në Tiranë numërohen të paktën 11 kulla. 

Kulla e Sahatit e rrethuqar nga ndertimet e reja ne qender te Tiranes/Foto:Isa Myzyraj

“Për kullat trashëguam planin francez për një qendër që do kishte ndërtesa të larta për arsye të thjeshta, as Rama as unë s’kemi cenuar kurrë hapësirën publike, ka qenë private gjithmonë”, deklaronte Veliaj në 2018. 

Plani francez parashihte 10 kulla të larta—mbi 81 metra secila, afërsisht 20-25 katëshe—të cilat do të vendoseshin përqark Sheshit Skënderbej dhe anash aksit të Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Citizens Channel analizoi një pjesë të projekteve të kullave, ku shumica prej tyre janë investime nga kompani të krijuara rishtaz, ndërsa një pjesë tjetër po u jepen disa prej “klientëve” që vitet e fundit janë përfituesit kryesor të fondeve publike.

“Ndërtime, pastrim parash dhe stok”

Tirana shënoi në 6 mujorin e fundit një rekord në dhënien e lejeve të ndërtimit.  259.385 metra katrorë sipërfaqe u dhanë për ndërtim, ndërsa vlera e tyre ishte rreth 42 miliardë lekë.

Sipërfaqen më të lartë të këtyre lejeve të ndërtimit e zënë ndërtimet për banim. Në arsyetimin që i bëhet lejeve të dhëna të ndërtimit thuhet se është kërkesa e lartë dhe rritja e numrit të popullsisë që çon drejt këtyre ndërtimeve. 

Në një analizë të Citizens Channel u pa se rritja e numrit të lejeve të ndërtimit nuk korrespondon me numrin e popullsisë, pasi që edhe pse ndër vite popullsia e Tiranës është rritur, rritja vjetore e numrit të popullsisë ka qenë në ulje. Por kjo  nuk ka ndodhur me sipërfaqet e lejeve të ndërtimit.

Procesi i ndërtimit në kryeqytet është parë nga ekspertët si një formë e pastrimit të parave. E gjitha kjo në kurriz të trashëgimisë së Tiranës dhe hapësirave të gjelbra.

Kritikave për pastrim parash, kryeministri Edi Rama iu përgjigj gjatë prezantimit të projektit të kullës më të re se “janë broçkulla, janë turpe të mëdha për ata që i bëjnë”.

Sipas të dhënave të INSTAT, në Shqipëri në tremujorin e dytë të 2022 janë miratuar gjithsej 339 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, ndërsa sipërfaqja e lejeve të ndërtimit ka pësuar rritje në tremujorin e dytë të 2022, duke shkuar në 544.127 m2.

“Nga ndërtimet e reja tek ndërtimet pa leje”

Miratimi i një VKM-je së fundmi ka hapur debat mbi ndërtimet në kryeqytet.

Në 7 shtator qeveria nisi konfiskimet ende pa publikuar VKM-në e cila do të lejonte më vonë marrjen e sipërfaqeve pa leje dhe kalimin e tyre tek shteti. Në një analizë të mëprashme Citizens Channel tregoi se si konfiskimi i pallateve pa leje nuk i shërben të pastrehëve, ndryshe nga sa kishte premtuar qeveria dhe parashikon kjo VKM.

Pamje veri-lindore e sheshit Skendërbej përpara pushtimit të kullave 2019 | Foto: Andri File

Ligji “Për Strehimin Social”, i miratuar në vitin 2018, parashikon në nenin 19 se çdo subjekt privat që aplikon për leje ndërtimi me sipërfaqe mbi 2000 m2, është i detyruar t’i kalojë shtetit 3% të sipërfaqes për fondin e banesave sociale.

Sipas pikës 4 të VKM-së, ndërtimet e konfiskuara mund të blihen nga ndërtuesi apo kushdo subjekt i autorizuar prej tij. Sipas ekspertëve, kjo VKM nuk bën gjë tjetër veçse favorizon regjistrimin e ndërtimeve pa leje.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *