Citizens.al

Dibranët protestojnë në Londër kundër hidrocentralit Skavica

Një grup aktivistës shqiptarë protestuan dje në Londër kundër ndërtimit të hidrocentralit Skavica në lumin Drin i Zi. Tubimi u mbajt përballë ndërtesës ku po zhvillohej një panair për përzgjedhjen e nënkontraktorëve nga kompania Bechtel që është kontraktuar për ndërtimin e projektit hidrik.

Aktivistja Ferzilete Gjika i tha Citizens Channel për zhvillimin e këtij takimi në Londër u njoh nga njoftimet në media se kompania amerikane Bechtel dhe UK Export Finance (UKEF) do të zhvillojnë me date 20-21 tetor një event për përzgjedhjen e nënkontraktorëve.

Unë komunikova me policinë dhe bëmë një aplikim online. Policia nuk ra dakord që ta bënim protestën se ne kërkuam që të marshonim me pankarta në duar. Këtu afër është një park i madh, por na duhej të kishim leje edhe për parkun” – thotë Gjika për Citizens Channel.

Në aplikimin e dytë, ne i kërkuam që të qëndrojmë në një vend pa lëvizur. Ashtu na e aprovuan”, – pohon më tej ajo.

Dhjetëra aktivistë shqiptarë protestuan për disa orë gjatë zhvillimit të panairit nga Bechtel dhe UK Export Finance (UKEF) dhe bënë thirrje kundër ndërtimit të Skavicës.

Foto: Grupi “Opposition to Skavica Dam”

Duhet ndaluar ky projekt absurd që po vendos natyrën dhe jetën e banorëve në rrezik”, – tha njëri prej protestuesve gjatë protestës.

Kam diçka për t’ju thënë: imagjinoni nëse do të ishte nëna ose babai juaj, familja, vëllezërit dhe motrat dhe ju thonë që duhet të shpërnguleni sepse shtëpia juaj do të shkatërrohet. Si do të ndjeheshit ju?”, – ngriti pyetjen Liri Konomi, një tjetër protestuese.

Liria dhe Atifete Konomi, nënë e bijë, kundërshtojnë më ngulm ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Atifete është larguar nga Dibra në moshën 18-vjecare, megjithatë lidhja e saj me vendlindjen është shumë e fortë.

Si mundet të shuhet ëndrra ime fëmijërore, të futet nën ujë? Mos të më jepet mundësia të shkoj me vajzën time, t’i them që mami këtu ka lindur, këtu është varri i gjyshit, këtu mbarova shkollën. Si mundet gjithçka të fshihet?”, – thotë për Citizens Channel Atifete Konomi nga telefoni.

Për Atifeten, ndërtimi i Skavicës “fut në errësirë përgjithmonë Dibrën”.

Atifete Konomi

E bija, Liria, pohon se ka ndërtuar një lidhje të fortë më Dibrën, ndonëse ka lindur jashtë shtetit dhe se një ditë dëshiron të kthehet në Shqipëri.

Ëndrra ime është të bëhem juriste, të kthehem në Shqipëri dhe t’i mbroj njerëzit në mënyrën e duhur”, – përfundon ajo.

Situata aktuale në Dibër

Prej muajsh, banorët e Dibrës janë mobilizuar kundër ndërtimit të Skavicës dhe kanë zhvilluar disa protesta në terren.

Sipas tyre, kuotat e propozuara do të çojnë në përmbytjen e shumë fshatrave dhe të historisë së tyre. Sa i përket transparencës, banorët pohojnë se nuk janë të informuar nga institucionet rreth të ardhmes së tyre në rast se ndërtohet HEC-i, mbi ku do të shpërngulen dhe sa do të dëmshpërblehen.

Mediatikisht, flitet për dy alternativa kuotash: 388 metra mbi nivelin e detit dhe 443 metra mbi nivelin e detit. Ekspertët cilësojnë se alternativa e dytë, ajo e cila është më e lakuara, do të çojnë në përmbytje të disa fshatrave në nëntë njësi administrative në Dibër, nga 15 ekzistuese.

Citizens Channel iu drejtua me një kërkesë për informacion KESH për të mësuar cilat fshatra do të preken nga kjo vepër hidrike, dhe çfarë do të ndodhë me banorët.

Përmes një përgjigje me shkrim, KESH pohoi se “po kryhen vlerësimet e nevojshme për përcaktimin e të dhënave të hidrocentralit dhe si rrjedhojë, përcaktimi i zonave që do të preken nuk është përcaktuar ende”.

Gjatë raportimit të fundit nga Citizens Channel, datë 17 tetor, banorë të dy fshatrave në Dibër, Muhurr dhe Katund i Ri pohuan se përfaqësues të KESH dhe Bechtel kanë zhvilluar takime me komunitetin rreth ndërtimit të Skavicës.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare e konsideron Skavicën një projekt  që do t’i japë Shqipërisë garanci energjetike dhe që do ta kthejë vendin tonë një lider absolut në rajon sa i përket eksportit të energjisë.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW