Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shënim: “Lufta kundër rejnxhërsave që mbrojnë Zonat e Mbrojtura?”

Nga Artan Rama*

Javën e shkuar u mbajt në Tiranë Kongresi i 5-të i Federatës Europiane të Rejnxhersave (ERF). 100 delegatë, rejnxhërs** dhe ekspertë konservimi nga 24 vende europiane, madje përtej saj, të cilët përfaqësojnë 5000 rejnxhërsa profesionistë, shpalosën flamujt dhe logot shumëngjyrëshe në shkallët historike të Hotel Tiranës në Sheshin Skënderbej. Ndonëse një ngjarje e pazakontë, e rrallë dhe njëkohësisht, jashtëzakonisht frymëzuese për ekipet e rejnxhërsave tanë, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) u mjaftua vetëm me një njoftim të zbehtë post-event në Facebook.

Zyrtarët e Agjencisë munguan përgjatë tri ditëve të Kongresit, i cili u zhvillua vetëm disa metra larg zyrave të tyre. Administrata e re e Zonave të Mbrojturave refuzoi pjesëmarrjen dhe nuk i uroi delegatëve mirë se ardhjen, duke shkelur një traditë universale, e pranuar dhe e zbatuar nga çdo vendi pritës në raste të ngjashme.

Vetëm një grup prej tetë delegatësh nga administrat lokale të zonave të mbrojtura nëpër qarqe arriti të penetrojë në sallë dhe u bashkua me rejnxhërsat europianë për të diskutuar mbi strategjitë dhe idetë për krijimin e hapësirave të bashkëpunimit, në një botë e cila po ndryshon me shpejtësi në kurriz të natyrës dhe që po përballet me sfida të mëdha.

“Ishte një braktisje e pamerituar”, – shpreh keqardhjen Gent Kromidha, një ekspert mjedisor nga Instituti për Konservimin e Natyrës në Shqipëri (INCA). “Ne kishim planifikuar pjesëmarrjen e një grupi më të madh të rejnxhërsave lokalë, 20 deri në 30 të tillë”, – vijon ai, “por heshtja e autoriteteve na paralizoi”.

Shoqata Kombëtare e Parqeve të Shqipërisë (ShKPSh), e cila përfaqëson zyrtarisht rejnxhërsat shqiptarë, mbështeti transportin e delegatëve shqiptarë, nga qarqet drejt Tiranës. “Mundësitë tona ishin të kufizuara”, – shprehet Genc Kaçorri nga ShKPSh. “Fillimisht ne kishim rënë dakord me autoritetet për të siguruar pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë në këtë Kongres, por Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nuk u tregua e gatshme, duke e refuzuar pjesëmarrjen”, përfundon ai.

Dukshëm, një Agjenci që administron një faqe fejsbuku me tone të larta për shpërndarjen e leksioneve të rëndomta të botanikës, ka ulur ndjeshëm zërin përballë këtij aktiviteti. Për këdo që beson, apo adhuron propagandën e Agjencisë në rrjetet sociale, kjo kundërshti nuk bën sens. Por nëse hulumtojmë pak më thellë situata nuk duket e padeshifrueshme.

Në 2017, një përfaqësi e vogël e agjencisë së sapothemeluar e Zonave të Mbrojtura udhëtoi drejt komunitetit të vogël të Litomericës, një monument urban pranë Pragës, në të cilin u mbajt Kongresi i  4-t i Federatës së Rejnxhërsave Europianë. Federata tregoi bujari dhe kurajo për të përfshirë përgjithmonë në gjirin e saj edhe përfaqësuesit nga Shqipëria.

Rejnxhërsat shqiptarë u anëtarësuan në Federatë (ERF) me të drejta të plota në vitin 2018.

Negociatat për caktimin e Shqipërisë si mikpritëse e Kongresit të 5-të të ERF filluan në vitin 2020. Atëbotë, drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit e mirëpritën idenë dhe u përfshinë ndershmërisht në mbështetje të Kongresit të ardhshëm. Ishte koha kur agjencia kishte një tjetër drejtor dhe natyrisht, një tjetër frymë. Por drejtori u largua në mars të 2022. Ministrja e ri e Mjedisit, Znj. Kumbaro, komandoi një ish-vartës, të transferuar më herët nga Ministria e Kulturës, për të cilën detyra e re si drejtore e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura ishte një surprizë, aspak e menduar më parë. Kalimi si këshilltare kulture drejt administrimit dhe konservimit natyror, pa një përvojë në mbrojtje të ekosistemeve dhe të habitateve të egra, vështirë që të garantojë një të ardhme për to, pasi shpesh qëllimi i drejtuesve të emëruar, nuk është forcimi i institucioneve që trashëgojnë, por sigurimi i pushtetit të pamerituar. Nuk vonoi dhe kongresi i ardhshëm u konsiderua si diçka e cila nuk i përkiste administratës së re.

“Është një turp i madh që nuk pamë më shumë rejnxhërsa shqiptarë në Kongres”, – shprehet Linda Nunn, nënpresidente e Federatës Ndërkombëtare të Rejnxhërsave, një prej organizatorëve të Kongresit. “Kongresi synonte të bashkonte rejnxhërsat europianë për të shkëmbyer eksperiencat, njohuritë dhe idetë, në mënyrë që të përballojmë sfidat dhe problemet e përbashkëta në të ardhmen”, përfundon ajo, jo pa trishtim.

Por brenda Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura situata është në prag të shpërthimit. Në pak muaj janë dorëhequr katër nga drejtuesit kryesorë të Agjencisë, ndërsa dy të tjerë janë në ikje e sipër. “Nëpër korridoret e Agjencisë mbizotëron stresi dhe pasiguria për vendin e punës”, – shprehet një nga rejnxhërsat, i cili kërkon mospublikimin e emrit, për shkak të frikës nga përndjekja. “Ka një shtim të burokracisë dhe kontrolle të pakuptimta nga lart. Ndoshta synojnë që të na largojnë, ose të na detyrojnë që të largohemi vetë”, – përfundon rejnxhërsi anonim.

Në një përpjekje të rreme për t’u perceptuar publikisht si një autoritet që mbron parqet kombëtare, drejtuesit e Agjencisë, duke luftuar rejnxhërsat, duke i shpërfillur, duke përhapur frikë dhe panik brenda radhëve të tyre, në të vërtetë investojnë për shkatërrimin e parqeve kombëtare.

“Si federatë, qoftë europiane, qoftë ndërkombëtare, ne nuk u tregojmë të tjerëve se çfarë duhet të bëjnë”, – thotë nënpresidentja e Federatës Ndërkombëtare të Rejnxhërsave, Znj. Nunn. “Ne duam vetë të bashkojmë rejnxhërsat, pasi të gjithë synojmë të njëjtën gjë. Por nëse ju nuk i doni rejnxhërsat e një vendi tjetër, atëherë ju humbisni mundësinë për t’u njohur me teknologjitë e reja, idetë e reja dhe me mënyrën se si mund të përballoni problemet që ju dalin.

“Siguria e rejnxhërsave mbetet shqetësimi ynë më i madh”, – thotë  Ilan Yager, shefi i operacioneve pranë Autoritetit Shtetëror të Parqeve në Izrael. “Ata nuk e dinë se çfarë mund t’u ndodhë kur dalin herët në mëngjes nga shtëpitë e tyre e deri në fund të një dite të zakonshme pune. Rejnxhërsat nuk punojnë në zyrë, por lëvizin jashtë, në pyll, në mal. Ata përballen më kafshë të egra, me shiun, me zjarret, me brakonierët, madje me kriminelë apo me trafikantë droge. Ata janë të parët dhe shpesh të vetmit që përballen me të tilla rreziqe”, përfundon Z. Yager, i sapozgjedhur si nënpresident i Komitetit Ekzekutiv të ERF-së.

Sikur të mos mjaftojnë rreziqet në terren, pasiguria e tyre po kërcënohet edhe nga brenda. Një prej gjërave të këqija që kanë arritur drejtuesit e rinj të zonave të mbrojtura është frika që kanë mbjellë brenda radhëve të rejnxhërsave se mund t’i largojnë nga puna. Në disa raste, më kurajozët janë kërcënuar me ndjekje penale…

Duket se përpjekja për të siguruar pushtetin e drejtuesve të rinj të Agjencisë është më e fortë se përpjekja për të siguruar habitatet egra. Fatkeqësisht, kjo mbivendosje korruptive e interesave të ulëta mbi interesat e burimeve natyrore, do të vazhdojë ende për një kohë të gjatë. Sulmi ndaj, rreth 270-280 rejnxhërsave dhe monitoruesve të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura është, indirekt, një sulm  ndaj parqeve kombëtare dhe peizazhit natyror shqiptar.

“Ne grumbullojmë të dhëna të vazhdueshme shkencore në terren dhe propozojmë masa konservimi për habitatet apo gjallesat e rrezikuara”, – thotë Joni Vorpsi, një ornitolog i përkushtuar nga Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), “por asnjëherë nuk e harrojmë faktin se shëndeti i habitateve dhe i gjallesave është, kryesisht, falë sakrificës dhe kujdesit të vazhdueshëm që tregojnë rejnxhërsat”, vlerëson ai.

Në një kohë kur sfidat për mbrojtjen e natyrës po bëhen më të vështira, rejnxhërsat shpërfillen, nëpërkëmben, ose kërcënohen me ndjekje penale, nga një pakicë burokratësh të cilët kanë akaparuar drejtimin e agjencisë dhe po avancojnë më tej, duke e bërë akoma më agresive luftën për dominimin në bazë.

Është njësoj si t’i japësh një dorë më shumë shkatërrimit të natyrës.

***

*Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai e fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016. Së fundi është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

**Rejnxhëri është rojtar i parkut, një person të cilit ligjërisht i është ngarkuar mbrojtja dhe ruajtja e parqeve kombëtare apo lokale.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *