Citizens.al

Transporti urban kërkon paketë të re subvencionesh: “Jemi në emergjencë për shpenzimet”

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kërkuan një paketë të tretë ndihmëse nga qeveria. Përmes një letre, shoqatat kërkojnë vazhdimin e subvencionit për shkak të çmimit të lartë të naftës.

Aktualisht çmimi i naftës është shumë i lartë dhe konsumi jonë bazuar në numrin e mjeteve në treg për kryerjen e veprimtarisë së transportit/frekuencën e kërkuar është shumë i lartë dhe automatikisht sjell dhe kosto shtesë, duke bërë që operatorët të operojnë në humbje ose në mungesë fitimi”, thuhet në letrën e shoqatave drejtuar qeverisë.

Qeveria vendosi rimbursim me 100 lekë për litër për muajt gusht-tetor. Kjo ishte hera e dytë që u dha një paketë ndihmëse për shoqatat e transportit, pasi këto të fundit kishin paralajmëruar se do të hiqnin abonetë.

Në letrën e tyre, shoqatat theksojnë se sektori i transportit është goditur që pas pandemisë Covid-19. Ata shtojnë se gjenden në vështirësi për të përballuar çmimin e lartë të karburantit, si edhe për pagesat e punonjësve.

Një nga qëllimet e realizimit të kësaj pakete ishte pikërisht kjo arsye dhe duke qenë që ende nuk është arritur, pasi kompensimi i kryer nuk ka qenë i mjaftueshëm për të ringritur shërbimin e transportit urban dhe për rritjen e cilësisë së shërbimit nevojitet mbështetje më e madhe nga organet përgjegjëse”, thuhet në letër.

Shoqatat theksojnë se vijimësia e mbështetjes kërkohet jo vetëm për ndihmë por edhe për të rritur cilësinë e transportit.

Anashkalimi i saj do të sjellë jo vetëm vështirësi në operim por edhe problematika në praktikë mbi mjetet e transportit/frekuencën/oraret/cilësinë e shërbimit”, përmbyllet letra e shoqatave të transportit.

“Në krizë që prej pandemisë”

Dashnor Memaj kryetar i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban i tha Citizens Channel se kërkesat e tyre primare janë të njejtat që nga pandemia.

  1. Rimbursimit të TVSH-së.
  2. Heqjes së akcizës 37 lekë/litër
  3. Heqjes së taksës të qarkullimit në karburant 27 lekë/litër.
  4. Rimbursim nga ministritë përkatëse sa i përket kategorive të individëve (Invalidë pune, të verbër, paraplegjikë, tetraplegjikë, studentët) që marrin shërbimin e transportit publik me çmim të reduktuar ose falas.

“TVSH-ja jonë është 20% dhe asnjë nga vendet e rajonit nuk e ka kaq të lart TVSH-në”, u shpreh Memaj.

Dashnor Memaj kryetar i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban

Ai tha se kërkesa e tyre është që TVSH-ja të ulet në 6- 0%.  “Karbruanti përben zërin më të madh të kostove që kemi. Heqja e taksës së qarkullimit, kjo taksë është e padrejtë dhe demotivuese sepse ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe asnjë vend në Europë nuk e ka këtë taksë”, tha Memaj.

Në datën 14 mars 2020, pas shfaqjes së rasteve të para me Covid-19 në Shqipëri, transporti publik ishte një ndër sektorët i cili u pezullua, si mënyrë për të parandaluar rritjen e rasteve me koronavirus.

Prej atij muaji, ndonëse masat u lehtësuan dhe rifilloi aktiviteti ekonomik, transporti publik qëndroi i mbyllur deri në muajin korrik, 2020.

Memaj tha për Citizens Channel se nëse qeveria nuk miraton katër kërkesat bazë të tyre ata kërkojnë minimalisht vazhdimin e subvencionimit. 

“Nëse na jepet ky subvencionim për periudhë afatgjatë kemi mundësi të rrisim pagat e puntorëve dhe të përmirësojmë edhe cilësinë. Kemi një problem të vazhdushëm që është ikja në mënyrë masive e puntorëve nga ky sektor”, u shpreh ai.

Në rast se asnjë masë nuk merret ai tha se do të dalin në treg me kapacitete të reduktuara.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *