Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tropojë: Banorët në mbrojtje të pemëve që po priten me “urdhër nga Bashkia”

Prerja e pyjeve në fshatin Vranë e Madhe në Tropojë ka nxitur një konflikt midis komunitetit dhe institucioneve. Banorët janë organizuar në mbrojtje të pyllit, duke akuzuar Bashkinë Tropojë për prerje të paligjshme. Nga ana tjetër, Bashkia Tropojë deklaron se po mbledh drurët e dëmtuar nga shkaqe natyrore, ndërsa fajëson banorët për prerjen e trungjeve të reja.

Nuk e di unë pse presin në këtë zonë. E kanë ba, po e shihni edhe vetë ça kanë ba këtu”, – thotë Artan Përvataj për Citizens Channel, disa minuta pasi u konfliktua me punonjës të Bashkisë Tropojë, të lëviznin në kamionë të ngarkuar me dru.

Punonjësit e Bashkisë teksa u ndeshën më banorët e revoltuar, fillimisht mohuan të kenë kryer prerje në Vranë të Madhe, por më pas pohuan se “nuk do të presin më pemë në këtë zonë”.

Që prej hyrjes në fuqi të moratoriumit për prerjen e pyjeve në vitin 2016, Bashkitë janë të detyruara të përcaktojnë qartë zonat dhe sasitë e prerjeve për të përmbushur nevojat e tyre për dru zjarri.

Bashkia Tropojë ka kontraktuar kompaninë “Alxhef Sh.p.k.” për të kryer këtë shërbim. Në përgjigjen për Citizens Channel institucioni deklaroi se kompania “është autorizuar me urdhër të Kryetarit të bashkisë që materiali drusor që është dëmtuar para dy vitesh në këtë zonë nga shkaqe natyrore të përdoret për furnizimin e shkollave dhe institucioneve të Njësisë Administrative Lekbibaj”.

Por banorët e zonës akuzojnë se punonjësit e Bashkisë dhe kompanisë, duke shfrytëzuar këtë urdhër, kanë kryer edhe prerje të druve të rinj dhe janë konfliktuar me ta, duke i ndaluar edhe heqjen e materialeve të dëmtuara.

Vëzhgimi në terren e provon këtë situatë. Pemë të reja janë prerë, ndërsa trungjet e dëmtuara nga shkaqet natyrore shihen kudo me sy të lirë.

Nuk asht e drejtë me pre trupa të njomë. Mire me kanë noj trup i rrxuem, noj lis i rrëzumun, ashtu po, po jo preje lisin e rrëzoje”, – vijon më tej Artan Përvataj.

Artan Përvataj, banor

Sipas Bashkisë Tropojë, prerjet janë kryer nga banorët. “Kanë qenë vetë banorët që kanë bërë dëmtime, por nuk është gjetur person në vend ngjarje gjatë kontrolleve nga inspektorët e zonës”.

Më tej, në përgjigjen e Bashkisë Tropojë thuhet se trungjet e prera nga banorët janë lënë në terren sepse “nuk kanë lejuar banorët që të merret materiali drusor, pasi e konsideronin si pronë të veten”.

“Moratoriumi nuk parandalon prerjet në Parkun Rajonal”

Në vitin 2014 zona Nikaj – Mërtur u shpall “Park Rajonal” kategoria e IV dhe Vrana e Madhe është pjesë qëndrore e këtij parku.

Sipas ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura” Parqet Natyrore Bashkiake sigurojnë përdorim të qëndrueshëm të territorit dhe zhvillimin e veprimtarive, që i përshtaten karakterit të zonës dhe që lidhen ekskluzivisht me nevojat e komunitetit.

Herë pas herë, tash pesë vjet, dhjetë vjet ka pas prerje”, – thotë një tjetër banor Gjon Uka, i cili dëshmon ndryshimin e asaj zonë, që ai e përshkruan si të mrekullueshme.

Gjon Uka, banor

Tash ia kanë vra orën krejt, janë ka e presin komplet, si me kanë vend i shkretë, jo vend i ynë, ku kemi jetu dhe punue, ndejt me stane”, – përfundon Uka.

Në vitin 2016, Shqipëria kaloi ligjin nr. 5/2016 “Për shpalljen e moratoriumit në pyje në Republikën e Shqipërisë” që ndalon prerjen e pyjeve deri në vitin 2026.

Ky ligj ka si objektiv ndalimin e veprimtarisë që shfrytëzon lëndën drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, tregtimin e produkteve të tij, ndalimin e eksportit të lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit, si dhe të qymyrit të drurit.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se prej vitit 2016 që hyri në fuqi ky ligj, janë prerë 44,052 trungje pemësh, ku 4,783,406 metër kub pemë kanë shkuar për dru zjarri.

Sipas “Global Forest watch” prej vitit 2016 deri në vitin 2021 Shqipëria ka humbur 7,198 ha sipërfaqe pyjore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *