Citizens.al

Kali i qyqes, shkaba e fundit në Shqipëri

Kali i qyqes, një shpend që karakterizohet nga ngjyra e bardhë, është një ndër speciet më të rrezikuara në vendit tonë.

Ai gjendet i pranishëm vetëm në pjesën jugore të Shqipërisë, kryesisht gjatë verës, duke preferuar habitate apo zona kodrinore-malore. Kali i qyqes njihet si një shpend që jeton afër njeriut.

Kali i qyqes është një lloj shtegtues. Në Shqipëri vjen në periudhën e fund Marsit dhe fillimit të Prillit dhe qëndron rreth gjashtë muaj, pra periudhën e pranverës dhe periudhën e verës ku ndërton folenë në vendin tonë dhe çel të vegjlit. Kali i qyqes largohet në fund të muajit gusht ose në fillim të muajit shtator për në vendet ku ai dimëron, siç është kontinenti i ngrohtë i Afrikës”,-na tregon Ledi Selgjekaj, biologe pranë shoqatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

Për banorët e fshatrave në jug të vendit, ardhja e shpendit pritet me gëzim.

Murat Keraj, blegtor, fshati Zhulat

Ne kur vjen kali i qyqes themi që erdhi zyrtarisht pranvera. Vjen me fat, një zog një shpend i bardhë me pak të zeza krahët. Plus që e kam rreth 500 metra vijë ajrore mund të jetë që e kam shumë afër dhe e ndjej direkt ardhjen e tij. Kështu që është një gëzim të thuash”,-rrëfen Murat Keraj, blegtor në fshatin Zhulat të qarkut të Gjirokastrës.

Për Bilbilin, një tjetër banor të fshatit Zhulat, emri i këtij shpendi lidhet edhe me gojëdhëna të transmetuara brez pas brezi.

Bilbil Gjocaj, banor-fshati Zhulat

“Kali i qyqes thonë që bie qyqen, shtegton qyqja dhe qyqen e bien nga vendet e ngrohta se në atë kohë që vjen kali i qyqes vjen edhe qyqja. Dhe kjo nga ngelur, i thonë kali i qyqes. Tani ajo shtegton vetë edhe qyqja edhe kali i qyqes them unë, por nga ajo ka ngelur kali i qyqes”,-tregon Bilbil Gjocaj.

Banorët tregojnë se kali i qyqes luan një rol të rëndësishëm në ekosistem.

“Kur kafshët që ndodhin ose i vret edhe ujku, kafshë që janë gjatë verës kali i qyqes i pastron menjëherë. Ata mblidhen dy-tre çifte ose katër, vijnë ngas lartësi të ndryshme dhe ata hanë njëkohësisht, d.m.th. mbetjet e fundit që ato mbajnë erë, ata I pastrojnë dhe nuk lenë asnjë gjë në terren. Kështu që është vërtet një mrekulli e natyrës. Kurse njerëzit, me një shkesë të njeriut mund të hedh disa qeska dhe të mbeten aty për vite me radhë. Kështu që ata dinë ta mbajnë më mirë se ne natyrën”,-rrëfen Murat Keraj.

Lidhja e njeriut me këtë shpend dëshmohet përmes historive të trashëguara brez pas brezi.

“Kali i qyqes jo vetëm që është një aset kombëtar i natyrës, por është edhe një aset turistik, por edhe historik sepse po ta shikosh ajo thotë që e ka në legjendat e mbretërve ose rri afër kalave apo afër njerëzve, kali i qyqes gjithmonë rri afër njeriut. Sipas legjendës thonë që ku ka kal të qyqes mund të ketë edhe kala kështu që janë të lidhura..”-shpjegon Murati.

Kali i qyqes, shpendi më i rrezikuar në Shqipëri 

Numri i individëve është shumë i ulët, çka e bën këtë specie një ndër më të rrezikuarat.

Popullata e kalit të qyqes në vendin tonë është e vogël, goxha e vogël, ne mund të themi që ka pësuar rënie në vitet e fundit. Ne kemi filluar monitorimet që në vitin 2013 dhe aktualisht nga monitorimi i vitit të fundit që kemi realizuar në vitin 2022, kemi vlerësuar një popullatë prej vetëm 6 çiftesh dhe në total 8 territore të zëna nga kali i qyqes”,-shprehet Ledi Selgjekaj nga PPNEA.

Ky shpend gëzon një status ruajtjeje, megjithatë i kanosen një sërë rreziqesh.

Ledi Selgjekaj, PPNEA

“Fatkeqësisht ai mbart statusin i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje, ndërkohë edhe në nivel global ai konsiderohet i rrezikuar. Janë disa kërcënime, të cilat kanë çuar në uljen e popullatës së këtij lloji apo në uljen e numrit të individëve të këtij lloji, qoftë në vendin tonë, në Ballkan apo në të gjithë botën. Këto kërcënime variojnë edhe në varësi të vendit apo kontinentit në të cilën ndodhet edhe kali i qyqes. Mund të them që në Ballkan kali i qyqes ka një popullatë prej rreth më pak se 50 çiftesh dhe rrezikohet kryesisht nga fenomeni i helmimit, ndërkohë në vendet e tjera sigurisht që edhe helmimi është një faktor kryesor, por mund të themi që kërcënime të tjera apo faktorë të tjerë janë edhe pjesa e gjuetisë së paligjshme apo persekutimet. Janë elektroshoku apo përplasja me rrymat e energjisë apo edhe përdorimi i këtij shpendi për rituale të ndryshme”,– argumenton Selgjekaj.

Në territoret ku njoftohet ardhja e kalit të qyqes Administrata e Zonave të Mbrojtura bashkë me PPNEA-s kanë vendosur edhe stacione ushqimore për këtë shpend.

Arbora Kore, AdZM Gjirokastër.

“Në rang qarku ne kemi tre stacione në dijeninë time. Një stacion në fshatin Nivicë, një stacion në Përmet dhe një stacion e kemi në fshatin Glin këtu në Gjirokastër. Këto janë stacionet e ushqimeve suplementare në të cilat ne mundohemi që të shkojmë ngahera të çojmë edhe ushqim për të ushqyer kalin e qyqes”,-tha për Citizens Channel Arbora Kore, nga AdZM Gjirokastër.

Sipas Ledi Selgjekaj, mirëmbajtja e stacioneve kryhet përmes nje rrjeti të krijuar për mbrojtjen e kalit të qyqes.

“Mirëmbajtja e këtyre stacioneve bëhet nëpërmjet një rrjeti të cilin e ne e kemi ngritur gjatë të gjithë këtyre viteve në monitorimin dhe ruajtjen e popullatës së kalit të qyqes në vend. Konkretisht ky rrjet është një rrjet lokal që quhet rrjeti i shpëtimtarëve të kalit të qyqes. Rrjeti i shpëtimtarëve të kalit të qyqes përbëhet nga banorë lokalë, të cilët mund të jenë fermerë, mund të jenë barinj, mund të jenë pronarë biznesesh, mund të jenë blegtorë të ndryshëm apo edhe përfaqësues nga administrata rajonale e zonave të mbrojtura”.-përfundon Selgjekaj.

Ndërsa vijon puna ndërgjegjësuese në terren për rëndësinë e këtij shpendi.

“Po ashtu bëjmë pastrimin e këtij territori në bashkëpunim me shumë shkolla të qytetit të Gjirokastrës kemi shkuar aty për ti vënë në dijeni nxënësit për këtë shpend të rrallë dhe kemi zhvilluar shumë aktivitete te ndryshme”,-shpjegon Arbora Kore.

Sipas Ledi Selgjekaj çdo vit shkojnë në zonë “për të bërë monitorimin e kalit të qyqes por vazhdimisht ne bëjmë edhe takime ndërgjegjësuese për të rritur ndërgjegjëismin dhe informimin mbi praninë e kalit të qyqes në zonë. Mund të themi që me kalimin e viteve sigurisht ka pasur një përmirësim goxha të njohurive dhe të banorëve lokalë dhe një rritje të interesit të banorëve lokalë për praninë e kalit të qyqes në zonë, konkretisht banorët lokalë”.

Banorët po përpiqen ta shfrytëzojnë praninë e këtij shpendi edhe për turizëm, duke organizuar ture përgjatë territoreve ku gjendet kali i qyqes.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *