Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

KQZ lë jashtë zgjedhjeve lokale Lëvizjen Bashkë

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka regjistruar Lëvizjen Bashkë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Kjo vjen pas pengesës që kjo lëvizje e re politike pati nga Gjykata e Tiranës. 

Në datën 6 mars aktivistët dorëzuan dokumentacionin e regjistrimit të partisë.

“Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk donte t’ia dinte për nenin 64 të Kodit Zgjedhor, nuk donte t’ia dinte për faktin se Lëvizja BASHKË ka qenë viktimë e një padrejtësie nga gjykata e Tiranës në tejkalimin e çdo afati”, u shpreh në një deklaratë për mediat kryetari i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori. 

Aktivistja Mirela Ruko sqaron se në datën 2 mars lëvizja ka marrë vendimin nga gjykata se është njohur si parti.

Vendimi i gjykatës për regjistrimin e Lëvizjes Bashkë si parti politike

“Ne kemi marrë njohjen nga gjykata në datën 2 mars dhe kemi marrë një dokument nga gjykata që vërteton që ne jemi parti politike, ama ky vendim merr formën e prerë brenda 15 ditëve nga marrja e vendimit nga gjykata. Kështu që në datën 6 ne kemi dorëzuar të gjitha dokumentacionin e nevojshëm që jemi të njohur si parti politike nga gjykata”, u shpreh për Citizens Channel Ruko.

Aktivistja sqaron se Kodi Zgjedhor në Kodin Zgjedhor nuk përcaktohet se duhet vendimi i formës së prerë për t’u regjistruar dhe shton se ky është interpretim i KQZ-së.

neni 64 i Kodit Zgjedhor

“E duke qenë se KQZ-ja bën interpretime ne kërkojmë që ta shoh situatën më gjerësisht dhe të shoh se çfarë i ka ndodhur një partie dhe cila është situata në të cilën ndodhet. Asgjë nuk e pengon KQZ-në që të pranoj këtë dokument që ne kemi aktualisht dhe në datën 18 të marrë vendimin e formës së prerë. Sepse mendimi që ky vendim i gjykatës mund të apelohet nuk është logjik sepse ne nuk kemi palë kundështare apo konflikt”, sqaron Ruko.

Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori e konsideron këtë veprim të KQZ-së si politik.

“Pengimi i kandidimit të Lëvizjes BASHKË është fund e krye politik. Vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve është bazuar në një interpretim të pasaktë e dashakeq të nenit 64 të Kodit Zgjedhor dhe në kundërshti me një precedent të vitit 2019 kur KQZ miratoi pjesëmarrjen e Bindjes Demokratike në zgjedhjet lokale”, tha Qori për Citizens Channel.

Ai shton se prapavija e këtij vendimi është politike dhe “shpreh frikën e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe krejt shpurës së oligarkëve ndaj Lëvizjes BASHKË”.

Sa i përket ecurisë së tyre si lëvizje e re politike dhe pjesëmarrjes në zgjedhje, Qori tha se ata nuk do të dorëzohen.

Arlind Qori dhe Mirela Ruko gjatë seancës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

“Do të luftojmë deri në fund, në institucione dhe me ndihmën e qytetarëve, që populli i Tiranës të ketë një alternativë të vërtetë në këto zgjedhje”, u shpreh ai.

Arlind Qori ka shpallur kandidaturën për si kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit dhe shprehet se në rast se institucionet do të pengojnë pjesëmarrjen e Lëvizjes Bashkë si subjekt politik ai do të kandidojë si i pavarur. Për këtë aktivistët janë duke mbledhur nënshkrime të qytetarëve.

Së fundmi mbi vendimin e KQZ-së, Qori deklaroi se ata do e apelojnë vendimin e KQZ-së “dhe në një mënyrë ose në një tjetër, me solidaritetin dhe mbështetjen e qytetarëve të Tiranës, Lëvizja BASHKË do të jetë pjesë e zgjedhjeve të 14 majit”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *