Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Sindikatat e “call-center” kërkojnë të përfshihen në skemat mbështetëse të qeverisë

Gjatë inaugurimit të ambienteve të reja të spitalit qendror në kompleksin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kryeministri Edi Rama njoftoi një program të ri mbështetës për çiftet e reja të mjekëve, policisë dhe ushtarakëve.

Ky program sipas kryeministrit synon mbështetjen e çifteve të reja të këtyre sektorëve me kredi të buta për të përftuar një shtëpi të re.

Kjo iniciativë e ndërmarrë në kushtet kur të rinjtë gjithnjë e më shumë po largohen nga vendi, është konsideruar përjashtuese për të tjerë sektorë.

Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë (SKOT) kërkoi nga Kryeministri Rama mbështetje edhe për të rinjtë në sektorin e call-centerave.

“Ne kemi berë disa herë kërkesa duke qenë se është një kategori personash, të cilët janë në moshë të re dhe me familje te sapo krijuara, të kishin një akses sidomos te kuotat që jep bashkia e Tiranës”, u shprej drejtuesi i SKOT Ilir Xhemaliaj, i cili shton se sektori i call-centerave po vuan largimin e punëtorëve, që janë kryesisht të rinj.

Ilir Xhemalaj, SKOT

Ai tregon se që prej vitit 2020, nga ky sektor janë larguar rreth 10 mijë punonjës. Xhemalaj shtoi se punonjësit e këtij sektori nuk përfituan nga asnjë prej paketave të ndihmës që u dhanë gjatë pandemisë.

“Të gjithë të rinj dhe të reja të një moshe nga 20 vjeç deri në 27 vjeç janë larguar nga Shqipëria. Ndërkohë që pjesa tjetër që kanë ngelur janë pjesa nga 27 vjeç deri në 37 vjeç përbëjnë 80% të personave që janë aktualisht në sektorin tone”,-thekson Xhemalaj, ndërsa shton se këto të dhëna janë marrë nga anketimet e fundit që sindikata ka bërë më punonjësit.

Duke parë trendin e largimeve, kreu i sindikatës u shpreh se ky sektor do të jetë drejt zhdukjes në të ardhmen.

Përpos mundësimit të mbështetjes përmes kredive të buta për çiftet e reja, sindikata kërkon edhe heqjen e taksës së dypunësimit në këtë sektor, e cila pas pandemisë rëndon në këto familje.

“Shumë call-center-ave ju ra puna dhe çfarë bënë, ulën orët e punës. Nga tetë orë ua çuan gjashtë orë, jua çuan 4 orë.  Duke qenë se e bënë të gjithë call-centar-at këtë punë dhe duke parë se 10 mijë punonjës ishin larguar, shumë prej tyre u dypunësuan duke qenë se bëjnë një punë nga shtëpia, një punë e bëjnë fizikisht, pra venë në zyrë ose edhe të dyja punët i bëjnë nga shtëpia”,– u shpreh për Citizens Channel Xhamalaj.

Sektori i call-center në avitje për më shumë të drejta

Sektori i call center numëronte 25 mijë të punësuar, kryesisht të rinj. Momentalisht ky sektor ka vetëm dy organizime punonjësish në formë sindikatash, sikurse SKOT dhe Sindikata e Punonjësve Post-Telekomit Shqiptar.

Megjithatë, ky sektor ka hasur vitet e fundit një seri problematikash, prej pandemisë, mos respektimit të Kodit të Punës dhe presioneve të vazhdueshme ndaj punonjësve për shkak të organizimit sindikal.

Në qershor të 2019, punonjës të kompanisë “Albacall”, një prej kompanive më të mëdha në këtë sektor u njoftuan përmes e-mailit për ndryshime në pagën e tyre mujore, që reflektohej me heqjen nga paga të vjetërsisë së punës.

Organizimi me sindikatën e atëhershme të sapokrijuar “Solidariteti” krijoi disa precedentë zyrtarë të kërkimit të të drejtave të punonjësve ndaj kompanisë.

Ata firmosën një peticion ku parashtruan disa kërkesa ndaj kompanisë “Albacall” që lidheshin jo vetëm me pagën, por edhe me lejet e punës, oraret si dhe shëndetin në punë. Kërkesa këto, të cilat nuk morën një përgjigje as nga kompania, por edhe nga Inspektoriati i Punës.

Në vitin 2021, teksa puna kryhej në kushtet e një situate pandemike, e kësisoj shumë punonjës e kryen punën nga shtëpia, kompania call center “Teleperformance” kërkoi vendosjen e kamerave në shtëpitë e punonjësve për t’i monitoruar. Kjo gjë u adresua me shqetësim nga sindikata e atëhereshme “Solidariteti”, dhe Komisioneri për Mbrotjen e të Dhënave Personale rekomandoi mos vendosjen e kamerave.

Në tetor të vitit 2022, punonjësit e kompanisë italiane “PARR” të organizuar në sindikatën SKOT, e krijuar në 2019, protestuan për marrjen e pagesës për ditët e festave sipas Kodit të Punës, një e drejtë kjo e mohuar prej gjashtë vitesh nga kjo kompani. Mes të tjerash ata kërkuan edhe respektimin e të drejtave të punonjësve në vendin e punës.

Përfshirja e punonjësve të këtij sektori në sindikata është shoqëruar edhe me presione ndaj punonjësve, si dhe duke mos e njohur sindikatën ku ata janë anëtarësuar.

Krijimi i sindikatave të reja në këtë sektor vjen edhe me brishtësinë e tyre ekonomike për të ndjekur procese gjyqësore kundrejt kompanive, për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve të tyre.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *