Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Minimumi jetik mbetet një premtim i pambajtur prej dekadash

Autore: Entela Barjamaj | Citizens Channel | Tiranë

Shqipëria është i vetmi nga vendet ish-socialiste të Evropës Lindore që nuk njeh minimumin jetik. Në 33 vite pluralizëm, qeveritë e ndryshme kanë akuzuar njëra tjetrën për mos njohjen e kësaj politike që përcakton kriterin bazë të mbijetesës, por asnjëra prej tyre nuk e ka realizuar.

Rreth 10 vite më parë, kur Kryeministri aktual Edi Rama ishte në opozitë, fliste për minimumin jetik si një e drejtë që i mohohej shqiptarëve. Programi “Për një Rilindje Shqiptare”, që e solli në pushtet qeverinë aktuale premtonte se varfëria do të  luftohet me masa sociale.

29 shkurt të vitit 2012 Rama akuzonte qeverinë e atëhershme se minimumi jetik nuk publikohej pasi ajo qeveri ishte e papërgjegjshme. “Kryeministri ka 7 vjet që gënjen, pikërisht për minimumin jetik, sepse ai ekziston vetëm në ato fjalimet në tryezën e qeverisë, por do thosha nga ana tjetër që të gjithë shqiptarët që janë shumë, që e kanë të domosdoshëm përcaktimin nga ana e qeverisë të këtij minimumi jetik, të kuptojnë se me këtë qeveri jo vetëm minimum jetik nuk do të kenë, por nuk do të kenë asnjë shpresë që të dalin nga varfëria,” akuzonte dikur Edi Rama.

Tashmë kanë kaluar më shumë se 10 vjet por ende shqiptarët nuk kanë të përcaktuar me ligj minimumin jetik. Kryeministri Rama i cili qeveris prej tre mandatesh nuk e ka mbajtur premtimin për të garantuar me ligj minimumin jetik që njerëzit e çdo kategorie të jetojnë me dinjitet.

Çfarë është minimumi jetik?

Organizata Ndërkombëtare e Punës përcakton se minimumi jetik është shuma monetare e një sërë produktesh ushqimore të përshtatshme për të siguruar funksionimin normal të trupit të njeriut dhe ruajtjen e shëndetit, plus një numër minimal artikujsh jo-ushqimorë dhe një numër minimal shërbimesh të nevojshme për të përmbushur nevojat bazë socialkulturore.

Pikërisht kjo çështje është kthyer në vëmendjen e parlamentit më 5 dhjetor 2022. Deputetja Dhurata Çupi i kujtoi deputetëve se ka 32 vite dhe ende nuk është miratuar minimumi jetik. Ashtu si Edi Rama në vitin 2012 edhe Çupi akuzoi qeverinë se ata nuk kanë ndërmend që të miratojnë minimumin jetik. Sipas saj Shqipëria është katandisur në mjerim, pasi qeveria në 9 vite ka marrë borxh 4 miliardë euro dhe nuk i ka përdorur për të rritur minimumin jetik.

Pse qeveritë shqiptare nuk e përcaktojnë minimumin jetik?!

Qeveritë nuk e kanë marrë asnjëherë mundimin që të llogarisin se sa është minimumi jetik e më pas ta zbatojnë atë. Sipas ekspertëve të ekonomisë kjo do i detyronte qeveritë që pagat, pensionet, pagesat e pamundësisë etj. ti llogarisë mbi minimumin jetik. Teuta Nunaj, eksperte e ekonomisë, saktëson se nëse ne përcaktojmë me ligj minimumin jetik atëherë ne kemi përcaktuar dyshemenë apo vlerën minimale që do ti akordojmë një qytetari në nevojë.

Këtu fillon ndihma e papunësisë, ndihma ekonomike. Këtu fillon edhe përllogaritja e pagës minimale. Gjithashtu edhe pensionet nëse janë poshtë minimumit jetik duhet që të subvencionohen që të arrihen të ardhurat që përcakton minimumi jetik. Pra, qeveritë do të detyroheshin që të “paguanin” më shumë. Pavarësisht kësaj një përpjekje për llogaritjen e minimumit jetik është bërë në vitin 2016 nga Avokati i Popullit. Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa shpjegon se ky detyrim ligjor nuk është përmbajtur asnjëherë edhe pse ka patur një iniciativë ku sipas llogaritjeve ju rezultonte se minimumi jetik është rreth 17-18 mijë lekë.

Shifrat tregojnë se shqiptarët jetojnë në varfëri 

Sipas Bankës Botërore minimumi jetik në Shqipëri është rreth 165 euro në muaj. Kuptohet që çdo pensionist, apo kategori në nevojë që ka të ardhura më pak se kjo shumë jeton në varfëri ekstreme. Sipas të dhënave të Instat, familjet shqiptare harxhojnë rreth 41.6% të të ardhurave të tyre për ushqim. Pra, rreth gjysma e të ardhurave shpenzohen për tu ushqyer. Këto shpenzime janë rritur me 1.3% krahasuar me një vit më parë, kjo si rezultat edhe i rritjes së çmimeve.

Teuta Nunaj – Eksperte e ekonomisë

Sipas ekspertes Nunaj në situata të tilla ka një mos respektim të dinjitetit të njeriut për aq kohë sa nuk i jepet minimumi jetik. Referuar të dhënave për minimumin jetik sipas Eurostatit, Shqipëria rezulton me minimumin jetik më të ulët në rajon. Nëse sheh të dhënat zyrtare të cilat nuk janë përditësuar për vendet e Ballkanit Perëndimor që nga 2020, rezulton se Shqipëria ka patur 126 euro minimumin jetik. Kjo do të thotë që të gjithë personat që kanë marrë pensione ose ndihmë ekonomike më të vogël se kjo shifër për vitin 2020 kanë jetuar në varfëri dhe pa dinjitet.

Nëse ju referohemi të dhënave zyrtare më të fundit për buxhetin e familjes do të shohim se shpenzimet e tyre janë rritur me 1.3% më shumë. Këto shpenzime janë rritur kryesisht për ushqimin dhe shëndetësinë. Shpenzimet për shëndetësinë për çdo familje janë rritur mesatarisht me 100 mijë lekë të vjetra. Në këtë kontekst një familje që jeton në Tiranë i duhen rreth një milionë lekë të vjetra për të mbyllur muajin.

Pas Tiranës qarqet që kanë shpenzime më të larta janë Korça dhe Fieri. Ndërsa qarqet me shpenzimet mesatare më të ulëta mujore për konsum janë Kukësi dhe Dibra, me rreth 700 mijë lekë të vjetra në muaj.

21 mijë firma për minimumin jetik

Shqiptarëve që ju ka ardhur në majë të hundës nga varfëria kërkojnë që të vendoset minimumi jetik, të paktën të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet. Një iniciativë e “Lëvizjes Bashkë” ka bindur një pjesë të madhe të shqiptarëve që të kërkojnë vendosjen e minimumit jetik. Në 9 dhjetor 2022 ata dorëzuan 21 mijë firma të qytetarëve pranë KQZ, të cilat u verifikuan dhe iu dërguan Parlamentit pak ditë më parë.

Aktivsitët duke dorëzuar nënshkrimet në KQZ/Foto: Organizata Politike | Dhjetor 2022

Pasi e kanë kaluar me sukses këtë fazë, më 30 mars 2023 “Lëvizja Bashkë” dorëzoi në zyrat e Kuvendit projektligjin për minimumin jetik. Ky propozim do të shqyrtohet nga Komisionet Parlamentare, nëse do të miratohet do të kalojë në Parlament. Tashmë do të presim se cili do të jetë fati i projektligjit për minimumin jetik! A do t’ju duhet shqiptarëve të presin edhe 30 vite të tjera për të?!

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *