Autor: Edison Lika | Citizens Channel
Emigrimi i shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse kishte vite që zhvillohej në mënyrë të ngadaltë, mori përmasa të tjera verën e shkuar. Sipas “Home Office” (Ministria Britanike për Migracionin), vetëm vitin e kaluar mendohet të kenë hyrë në Mbretërinë e Bashkuar përmes kanalit të La Manchit rreth 12 mijë shqiptarë. Kjo formë emigrimi, kaq e shpejtë, e lartë në numër, por edhe kaq masive, solli pasoja që mund të vërehen lehtë, prej braktisjes së qyteteve në Shqipëri, rrezikimi të jetës, lulëzimit të trafikimit të qenieve njerëzore e deri te numri shqetësues i azilkërkuesve në Britani.
Emigrimi në vendin tonë në përgjithësi është fenomen i njohur mes burrave. Kjo vjen kryesisht si pasojë kulturës së brendshme, por edhe me llojin e punëve që fillimisht shqiptarët kanë bërë në emigrim; kryesisht në punë të rënda si ndërtimi apo bujqësia. Sipas INSTAT dhe Dossier immigrazione në vitin 2006 ne Itali kishte rreth 50.000 burra më shumë se gra shqiptare. (statistikat janë vetëm për personat me dokumente)
Ky lloj emigrimi për vite me radhë solli pasoja të ndryshme sociale në shoqëri. Fenomeni i jetës së dyfishtë, lënies së grave për vite me radhë vetëm në shoqëri, rritja e fëmijëve vetëm nga nënat duket sikur tanimë dalëngadalë po bëhen fenomene të së shkuarës.
Sipas një raporti të Migration Observatory, në vitin 2019, nga 47 mijë emigrantë shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar 22 mijë janë gra. Pra, rreth 46 % e emigrantëve janë vajza dhe gra.
Në shumicën e emisioneve, studimeve, diskutimeve, emigrimi i shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar lidhet kryesisht me burra, përveç të tjerash edhe për faktin se nga personat që kanë hyrë përmes gomoneve, vetëm 2 mijë mendohet të kenë qenë gra. Shumica e trafikantëve të drogës janë burra dhe këto janë pikërisht dy argumentet rreth të cilave është orientuar debati publik.
Çfarë ndodh me gratë shqiptare që emigrojnë në Britaninë e Madhe?
Për të ilustruar më mirë këtë fenomen, do mundohemi të sjellim histori të vajzave dhe grave emigrante shqiptare në Britaninë e Madhe.
E para është Era, një vajzë me origjinë nga Kukësi, që më parë banonte në Kamëz.
Pasi mbaron gjimnazin në vitin 2020, në moshën 18 vjeçare, bashkë me të ëmën dhe dy motrat më të vogla, ajo vendos të emigrojë drejt Britanisë së Madhe, ku i priste i ati dhe vëllai. Në fillim nisen drejt Spanjës, ku do të merrnin dokumente false dhe do të niseshin nga Barcelona drejt Britanisë. Thotë se patën fat dhe ia arritën të zbrisnin pa problem. Motrat u regjistruan në shkollë, ndërkohë që Era nisi të kërkonte për një punë. Nga ai moment deri më sot ka punuar banakiere dhe kameriere, si dhe është në pritje të dokumentave angleze.
Foto: Lokali ku punon Era në rrugën Walthamstow të Londrës
Me punën që bën ndihet rehat dhe po shpreson që nga momenti në moment të krijojë pavarësinë e saj, sepse akoma është e detyruar të jetojë me prindërit. Punën ajo e sheh si një mënyrë për t’u pavarësuar, po edhe një formë për t’u integruar dhe marrë dokumentet. Era nuk e mendon kthimin në Shqipëri, ndër të tjera edhe sepse nëse do bënte të njëjtën punë ne Shqipëri, s’do ta përballonte ekonomikisht jetesën, s’do mund të ishte e lirë dhe do të paragjykohej. Ajo mban kontakte të vazhdueshme me të afërmit e saj në Shqipëri dhe thotë se shume prej tyre e mendojnë realisht largimin.
“Martesat dhe prindërimi, si urë drejt emigrimit legal”
Nga ana tjetër, Klea na fton në të tjera ujëra diskutimi. Ajo është një vajzë 24-vjeçare. Aventura e saj drejt Britanisë merr jetë në moshën 19 vjeçare, kur vendosi t’i bashkohej të fejuarit të saj që jetonte atje. Ajo braktisi studimet në vitin e dytë, në universitetin e Tiranës, ku studionte për Gjuhë dhe letërsi. Mënyra e ikjes edhe për Elën ishte e vështirë: iku ilegalisht me një pasaportë fallso, të cilën ia kishin siguruar të afërmit. Thotë se vajzat kanë më shumë fat, nuk bien në sy.
Përditshmëria e Kleas ndryshon në fare pak orë. Me të zbritur, e pret i fejuar, të cilin e sheh për herë të parë. Ishin fejuar me shkuesi. Gjithsesi, gjërat shkojnë mirë, ajo pak nga pak përshtatet dhe fillon punë. Klea na tregon se në asnjë moment nuk është përballur më diskriminim gjinor, ama me atë racor po.
Ajo sot është bërë nënë; ka dy fëmijë të cilët, përveç të tjerave, i kanë dhënë edhe leje qëndrimin Elës, së bashku me bashkëshortin e saj. Ajo sot punon si shitëse në një dyqan rrobash dhe shprehet se është e lumtur që nuk ka më nevojë që të jetë nën varësinë ekonomike të bashkëshortit.
Foto: Dyqani ku punon Ela, në zonën “Finsbury” në Londër
Shumë emigrantë zgjedhin të bëhen prindër pasi kjo është deri tani një nga mënyrat e suksesshme për të marrë dokumentet. Të rinjtë shqiptarë po e përdorin këtë mekanizëm për të përfituar dokumentet angleze: ata fejohen ose martohen nga larg dhe më pas i marrin partnerët, që të kenë mundësi të përfitojnë dokumentet.
Sipas ONS në vitin 2021 në Britani kanë lindur rreth 3 mijë fëmije me prindër shqiptarë. Ky numër është i përafërt me lindjen në qarkun e Kukësit, Lezhës dhe Shkodrës të marra së bashku gjatë një viti.
“Vajzat që zgjedhin të arsimohen”
Anxhi, 29 vjeç nga Shkodra, fillimisht emigron me prindërit drejt Italisë. Pas 12 vitesh jo shumë të mira në Itali ajo vendos të udhëtojë për Krishtlindje në Britaninë e Madhe, vend në të cilin jeton edhe sot. Sapo vendoset në Angli, aplikon në universitet dhe pranohet. Studion për 3 vite kriminalistikë, profesion të cilin e ushtron dhe sot. Për Anxhin, jetesa në Londër ka qenë me të vërtetë sfiduese. Fillim qe shumë i vështirë, por me kalimin e kohës mësohet me përditshmërinë e re; kur mendon për vështirësitë që kalojnë shqiptarët e tjerë ajo e mendon se është me fat. Ka punuar kamariere, banakiere dhe shitëse. Gjatë periudhës së pandemisë ajo thotë se i humbi të gjitha punët që bënte derisa gjeti një punë nga shtëpia si asistente ligjore. Ajo sugjeron universitetin si mënyrën më të mirë për të rinjtë të cilët duan të emigrojnë në ndonjë shtet tjetër. Thotë se është rruga më e lehtë dhe që të jep mundësi reale për t’u integruar në shoqëri.
E pyetur nëse do donte të kthehej në Shqipëri, ajo thotë se e mendon shpesh, ama është një vendim për të cilin do i duhet më shumë siguri për ta marrë.
Vajzat dhe gratë emigrante shqiptare jo vetëm që nuk janë një numër i vogël në shoqërinë angleze, por ia kanë dalë të integrohen në shoqëri në mënyrë të shpejtë. Sipas të dhënave të “Home Office” rreth 90 % e vajzave që kanë kërkuar azil/dokumenta në Britani kanë marrë përgjigje pozitive.
“Të braktisura, nënat në pritje të fëmijëve në emigrim”
Kjo është veç njëra anë e medaljes, ana tjetër janë gratë e moshës së mesme në Shqipëri. Fenomeni i emigrimit jua ka ndryshuar tërësisht jetën.
Flora është njëra prej tyre. Ajo është 50 vjeçe , me origjinë nga Burreli dhe ka 5 fëmijë: tre vajza dhe dy djem. Vajza e madhe është 32 vjeçe, ndërsa djali i vogël është 19 vjeç. Para 10 vitesh, i pari që çeli siparin e emigrimit ishte djali. Ai la vitin e dyte të shkollës së mesme mekanike dhe u nis drejt Anglisë, ku me punën ndër vite arriti të ndërtojë një shtëpi në periferi të Tiranës.
Me kalimin e viteve, edhe vajzat u martuan dhe vendosën të emigronin. Dy prej tyre i kishin burrat emigrantë dhe njëra emigroi bashkë me burrin. I fundit që kishte mbetur ishte djali i vogël, Miri. Edhe atë e “pastroi gomonia”. Sot Flora bën xhiro lart e poshtë në shtëpinë e madhe, por boshe. Është bërë edhe gjyshe, por ende s’i ka parë nipat dhe mbesat. Në dorë, nga mëngjesi deri në darkë, mban telefonin, në çdo moment pret ndonjë telefonatë. Kur e pyesim pse nuk aplikon për ndonjë vizë, thotë s’e nuk ka besim se do t’ia japin.., fundja “ajo nuk është e punësuar”, por shpreson të marrë letrat ndonjëra nga vajzat.
Historia e Florës është gjithashtu e ngjashme me historinë e shumë grave të tjera në periferinë e Tiranës. Ato jetojnë në shtëpi të mëdha, por boshe dhe mezi presin pasditen të bëhen bashkë të dalin të ecin dhe të tregojnë se ç’ka ngjarë sot në ishullin britanik.