Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“I ngecur mes kufijsh”, rreziqet e emigrimit të paligjshëm

Pas përfundimit të gjimnazit Gjergj Kadriu, 23 vjeç nga Dibra vendos të braktisë shkollën dhe të emigrojë.

Ai ka tentuar disa herë largimin, duke provuar mënyra të ndryshme dhe të paligjshme. Aktualisht ai jeton në Kamëz dhe punon si DJ. Për herë të parë emigrimin e ka menduar kur ishte ende në gjimnaz dhe kishte dëgjuar nga shokët dhe familjarët, që jashtë vendit bëhet një jetë më e mirë.

“Nga fjalët që vinin nga jashtë thonin se ishte një jetë shumë më e mirë atje dhe unë mendova që të nisesha dhe të provoja atë jetën atje”, thotë Gjergji.

Dëgjo historinë e plotë në Podcast:

Gjergji kishte menduar të largohej drejt Britanisë së Madhe sepse aty kishte gjithë shokët e fëmijërisë, gjithashtu dhe një pjesë të familjes së tij.

“Kisha dëgjuar për Anglinë që ishte vend me të ardhura të mira dhe vendosa që të nisesha drejt Anglisë”, thotë ai.

Ai ka tentuar katër herë largimin drejt Britanisë së Madhe. Herën e parë nga Maqedonia e Veriut me një identitet fals, për të cilin thotë se është shumë i thjeshtë për ta gjetur.

Megjithëatë, të dhënat e siguruara nga Policia e Shtetit tregojnë se numri i arrestimeve për këtë vepër penale është ulur. Në vitin 2022 shtetasit e proceduar për falsifikim dokumentesh ishte 166, teksa në 2021 ishte 175.

Gjergji tregon më tej se nga Maqedonia e Veriut arriti në Barcelonë, në Spanjë ku e ndaluan dhe qëndroi në izolim për 4 ditë. Kjo ishte tentativa e tij e parë, më pas u kthye në Shqipëri punoi disa muaj sërish si Dj, mblodhi disa të ardhura dhe sapo i ofruan një mundësi tjetër e tentoi sërish.

Rrugëtimi i tij ka qenë i vështirë, sikurse tregon Gjergji. E kanë kthyer disa herë, ka fjetur në kushte të vështira si dhe ka pasur herë thotë ai që i është dashur të flejë në park, duke qenë në rrezik.

Ai ka pasur një kalvar të gjatë, të rrezikshëm dhe të kushtueshëm, por nuk arriti asnjëherë ta prekte tokën britanike.

“Mijëra shqiptarë drejt Britanisë së Madhe”

Historia e Gjergjit nuk është e vetmja, pasi sipas të dhënave të Zyrës së Emigracionit në Britaninë e Madhe, numri i aplikimeve për azil nga shtetasit shqiptar në 2022 ishte 15,925. Kjo është shifra më e lartë e azilkërkuesve sipas të dhënave që nga viti 2001.

Një vit më parë, në 2021 kjo shifër ishte 5,147 ndërsa në vitet 2013-2018 varionte tek rreth 3 mijë persona në vit. Referuar të njëjtit burim, vihet re se numri më i lartë i azilkërkuesve i përket grup moshave të reja 18-29 vjeç. Rreth 13.7% e aplikimeve janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç.

Nëse do ua rekomandonte apo jo bashkëmoshatarëve të tij, duke marrë në konsideratë të gjitha rreziqet që ai ka kaluar, Gjergji thotë se është një eksperiencë e tmerrshme.

“Të kaluarit ilegalisht është vuajtje por edhe nuk sjell asnjë lloj përfitimi ndoshta edhe nuk kemi ditur, po na ishte bërë më e thjeshtë që të kalojë me kamion se me një vizë. Nuk ia rekomandoj askujt është shumë vuajtje, besoj që është e tmerrshme”, thotë ai.

Andi Hoxhaj, studiues dhe lektor i ligjit në Universitetin Warwick në Britaninë e Madhe shprehet se ka një sërë rreziqesh ndaj të  cilave emigrantët e paligjshëm janë të ekspozuar. Ai argumenton se rreziqet nuk përfundojnë as në momentin që kalohet kufiri.

“Në vitin e kaluar një e treta e emigrantëve në M.B kanë qenë shqiptar dhe gjithë vitin është bërë debat për shkaqet dhe një gjë që është pamohueshme është që të rinjtë e kanë të pamundur të vijnë në formë legale”, thotë Hoxhaj duke shtuar se rreziku më i madh është të qëndruarit 4-5 orë në det të hapur.

Po ashtu ai rendit si rrezik edhe trafikimin e qenieve njerëzore. “Këta individë që marrin këtë rrugë,  ka rrezik që të bien pre e trafikantëve se dhe kur të vijnë në Angli ata do jenë ilegal dhe do gjesh punë në formë ilegale dhe rreziku është i lartë. Me çfarë kemi parë shumë grupe kriminale u kanë ofruar të rinjve që t’u paguajnë rrugën në shkëmbim që ata të punojnë për lekë për ata dhe premtimet nuk janë mbajtur asnjëhere e kështu këta të rinj kanë ngecur në këto grupe”, thotë Hoxhaj.

Studiuesi thekson nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë mes qeverive për të forcuar emigrimin e ligjshëm.

Sakaq mbi arsyet e emigrimit ai shprehet se kryesoja është ajo ekonomike.

Edhe Gjergji në fund u shpreh se për sa kohë ai nuk do të ketë të ardhura të mjaftueshme sa për të përmbyllur detyrimet e tij dhe të familjes ai do e mendojë emigirmin, por këtë herë është i bindur se do të tentojë një formë të ligjshme.

Emigrimi është duke tkurrur popullsinë e Shqipërisë. Gjatë vitit 2022, referuar të dhënave të INSTAT popullsia ra me mbi 36 mijë vetë.

Aktualisht Shqipëria numëron 2.79 milionë banorë, nga 2.83 milionë që vlerësohej në vitin 2021, sipas të dhënave të 2022.

Të dhënat nxjerrin në pah se më moshat e reja janë ata që janë pakësuar më shumë

Grupmosha 20-24 vjeç u pakësua me 7.1% ose mbi 15 mijë vetë ndërsa brezi 25-29 vjeç u pakësua me 6,300 vetë dhe ai 15-19 vjeç me 5,900 vetë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *