Citizens.al

Durrës: Një tur për njohjen e bimësisë së qytetit

Më 22 prill, në Ditën e Tokës, një grup qytetarësh zhvilluan një tur ekologjik në Durrës për njohjen e pemëve. Me ndihmën e ekspertëve të mjedisit ata përdorën aplikacione për të identifikuar llojin, përmasat e trungut, gjethen dhe veçanti të bimësisë në qytetin bregdetar.

“Në vitin 2018 janë bërë matje në qytetin e Durrësit dhe ka rezultuar që gjelbërimi ka qenë shumë i pakët. Nëse do flasim me vlerat evropiane dhe me vlerat shqiptare, gjelbërimi në qytet ka qenë 0.35 metra katrorë për person, ndërsa në vlerat evropiane kjo shkon nga tre metra katror për banor, gjë që po ta shohim në krahasueshmëri është 10 fish më e vogël ”, analizoi ekspertja e mjedisit, Migena Nako për Citizens Channel.

Nako shton se mbjellja e pemëve apo gjelbërimi i qytetit nuk duhet të jetë vetëm ai horizontal që ne shohim, por nëse duam ti japim frymë qytetit tonë mund të bëjmë edhe mbjellje apo vegjetacion vertikal.

Qytetarët apeluan për shtimin e hapësirave të gjelbra në qytet duke theksuar se betonizimi ka lulëzuar në raport me gjelbërimin.

“Unë e kam detin shumë afër edhe pse banoj në Durrës, varet se ku e kemi pozicionin e banimit dhe realisht lë shumë për të dëshiruar, gjelbërimi zë një pjesë shumë shumë të vogël”, pohon Arjola Kondakcium, pjesëmarrëse në turin ekologjik.

Kondakciu shton se është shumë e rëndësishme të bëhet një studim përpara se të mbillen pemë apo lloje të tjera bimësie sepse pavarësisht efekteve pozitive ndonjëherë mund të bëhen shkak edhe për burime shqetësimesh apo sëmundjesh.

“Kalova me probleme shumë të rënda shëndetësore që erdhi si konstatim i alergjisë, kështu që nuk mund të gjejmë zgjidhje tjetër se s’mund të largohemi nga qyteti, apo nga ana tjetër të priten ato shkurre, por pse jo është një sugjerim, edhe një shqetësim si qytetare”, përfundon ajo.

Ndikimi nga teknologjia dhe konsumi i tepërt i botës virtuale, u identifikuan si faktorë që e largojnë individin nga natyra duke e shndërruar atë në inaktiv.

 “Jeta virtuale në rrjetet sociale, si duket e distancon pak qytetarin, flas për cilindo lloj qytetarë, që atë të moshës së tretë që ka shumë nevojë dhe atë si të thuash që është në ngjizje ose në edukimin me qytetin, me natyrën, me jetën e vetë, i ndan si të thuash, krijon atë hendekun mes një jete virtuale dhe një jete të nevojshme”, thekson Martin Callëku.

Në përfundim të turit u mboll një rrënjë dafine, e cila simbolizon paqen dhe vazhdimësinë e jetës. Pema e dafinës është e përshtatshme për mjediset urbane dhe mund të ndihmojë në zbutjen e disa prej ndikimeve negative të ndryshimeve klimatike.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW